12:09

Përfundon seanca ndaj Rikallos dhe të tjerëve, vendimi do t’u dorëzohet me shkrim

Ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit Nenad Rikallo dhe të tjerëve.

Avokati Florent Latifaj që përfaqëson Ekrem Gjokajn ka propozuar hedhjen poshtë të aktakuzës.

Prokurorja Habibe Salihu ka deklaruar se nuk qëndrojnë kundërshtimet e të akuzuarve.

“Kërkesat për hedhje poshtë të aktakuzës janë të pabazuara sepse prokuroria ka prova të mjaftueshme se të pandehurit kanë marrë pjesë në veprën penale të përshkruar në aktakuzë. Aktakuza e Prokurorisë Speciale është e bazuar në ligj dhe meqë provat që janë siguruar janë të ligjshme i propozoj gjykatës që të hedh poshtë kërkesat e avokatëve për hedhje poshtë të aktakuzës. Ka prova të mjaftueshme se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen”, ka thënë ajo.

Është njoftuar se vendimi do t’iu dorëzohet palëve me shkrim.

10:59

Avokati i Rikallos kërkon funksionarë e ish-funksionarë të Qeverisë të ftohen si dëshmitarë

Gjykatësi Arben Hoti ka pyetur Nenad Rikallon nëse tani dëshiron të deklarohet rreth provave apo e ka bërë këtë më herët më ndonjë kërkesë për hedhje poshtë të akuzave e cila ka mundur të mos i shkojë gjykatës.

Miodrag Brkljac, avokat i Rikallos ka thënë se nuk kanë kërkuar hedhje poshtë të akuzave pasi sipas tij, e kanë pranuar lëndën me vonesë nga ana e prokurorisë.

“Arsyeja e parë është që është vonuar pak dorëzimi i lëndës nga prokuroria tek ne. Deri në këtë moment nuk kam kurrfarë vërejtjesh ndaj prokurorit sepse ata në mënyrë të rregullt kanë dorëzuar gjithçka çka është dashur. Kam vlerësuar se nuk është e nevojshme që të parashtroj kundërshtim pas përfundimit të afatit. Deri në këtë moment nuk kemi parashtruar kërkesë për hedhje poshtë të akuzave”, tha ai, raporton KOHA.

Avokati Brkljac ka kërkuar që të ftohen si dëshmitarë ish-zyrtarë dhe persona që aktualisht punojnë në Qeveri.

“Do të propozojmë qe si dëshmitarë të dëgjohen një numër i funksionarëve dhe ish-funksionarëve të Qeverisë së Kosovës, nuk do tua përmendja emrat por do ta dorëzojmë këtë kërkesë në afat sa më të shkurtër. Shpresoj që ta pranoni një komunikim ndërmjet një avokati dhe gjyqtari”, tha ai.

10:45

Nis shqyrtimi i dytë ndaj ish-ministrit Rikallo për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Në Gjykatën Themelore ka nisur shqyrtimi dytë ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe personave të tjerë.

Nenad Rikallo po gjykohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ish-ministri Nenad Rikallo, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën keqpërdorim i detyrës zyrtare. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe sekretari i përgjithshëm Kapllan Halimi dhe zyrtarët e tjerë të akuzuar në këtë rast.

Prokuroria në aktakuzë pati thënë se Nenad Rikallo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri, dhe Ekrem Gjogjaj, në bashkëveprim gjatë vitit 2018, me qëllim që t’u mundësojnë përfitime në mënyrë të kundërligjshme disa kompanive, kanë vepruar në mënyrë të kundërligjshme, si dhe me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për bujqësi dhe zhvillim rural, neni 5.1, neni 8, neni 13, paragrafi 1.2 , neni 4, neni 14.2, Ligji 03/L-098 për bujqësi dhe zhvillim rural, neni 8 dhe 9, Rregullores (QRK) nr. 37/2013, neni 7.1, paragrafi 1.1, Udhëzuesi dhe Doracaku për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.