15:46

Prodhuesit e qumështit shkojnë në polici për derdhjen e qumështit në rrugë

Ka përfunduar takimi i prodhuesve të qumështit me ministrin e Bujqësisë, Besian Mustafa. Aty, shkurt, në hyrje janë takuar edhe me kryeministrin Avdullah Hoti, por ai u ka thënë se s’ka kohë për diskutime.

Pas takimit, protestuesit kanë shkuar në Policinë e Kosovës për të dhënë deklaratën e tyre lidhur me derdhjen e qumështit në rrugë.

14:22

Hoti s’i përgjigjet insistimit të fermerëve për takim, këta ulen para ndërtesës së Qeverisë

Kryeministri Avdullah Hoti i ka njoftuar fermerët se nuk mund t’i presë në takim.

Ai ka thënë se e ka agjendën e zënë dhe sot nuk mund të takohet.

Ndërkohë që protestuesit janë ulur para Qeverisë dhe thonë se do ta presin Hotin derisa ai t’i ftojë të takohen.

Image
14:13

Fermerët thonë se po protestojnë edhe kundër atyre që u takuan sot me Hotin

Protestuesit kanë arritur te Qeveria dhe janë duke qëndruar në distancë me kërkesë të Policisë së Kosovës. Po kërkojnë nga Qeveria zgjidhjen e problemit të tyre, ndalimin e importit të qumështit dhe vajit të palmës.

“Ne protestojmë edhe kundër atyre që kanë qenë në takim sepse ata që i keni parë sot janë prodhues vendorë që e përdorin vajin e palmës”, ka thënë një nga protestuesit.

Policia e ka njoftuar kryeministrin Hoti, dhe protestuesit janë duke pritur nëse ai do t’i thërras në takim.

13:45

Fermerët e qumështit nisen drejt Qeverise pa leje të Policisë

Fermerët e qumështit janë nisur drejt ndërtesës së Qeverisë, pa lejen e Policisë.

Policia më herët i ka ndaluar ata te rrethi Dragodanit, duke mos i lejuar të vazhdojnë.

13:29

Fermerët derdhin qumështin në rrugë

Fermerët kanë nisur derdhjen e qumështit nëpër rrugë.

Ata nuk janë lejuar të shkojnë para ndërtesës së Qeverisë, aty ku ishte planifikuar të mbahej protesta.

Policia ka kërkuar nga fermerët të shpërndahen, porse këta të fundit kanë kërkuar që t’u lejohet qasja drejt Zyrës së Kryeministrit.

13:21

Fermerët e qumështit protestojnë, Policia s’i lejon të shkojnë para Qeverisë

Fermerët e Qumështit janë duke e mbajtur protestën e thirrur nga dje.

Mirëpo të njëjtit janë ndalur te rrethi i Dragodanit pasi që Policia nuk po i lejon të vazhdojnë në drejtim të Qeverise.

Fermerët kanë thënë se do të presin deri sa Policia t’ua lejojë kalimin. Para Qeverise ata po synojnë t’i zbrazin deri në gjashtë cisterna qumësht.

 

Kjo protestë po mbahet edhe pas takimit të prodhuesve të qumështit me kryeministrin Avdullah Hoti, i cili u mbajt sot.

Madje Hoti ka premtuar se do të subvencionojnë prodhimet e qumështit, derisa të dyja palët kanë bërë thirrje që protesta e thirrur sot të mos mbahet.

Image