15:47

Haradinaj në Speciale: Nuk e njoh këtë gjykatë

“Nuk e njoh këtë gjykatë dhe nuk do ta njoh”, ka thënë nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili ka shtuar Gjykatës Speciale “i ka skaduar mandati më 2 gusht”.

Ai ishte pyetur nëse do që ta ngrejë ndonjë çështje.

“Jam padrejtësisht këtu, keni shkelur Kushtetutën e vendit tim”, ka thënë ai.  

Kësaj deklarate, gjyqtari i është përgjigjur se do të ketë kohë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur të gjitha çështje të ngritura.

Lidhur me paraburgimin e tij, gjyqtari ka thënë se pret që prokuroria të dorëzojë aktakuzën sa më shpejt të jetë e mundur.

15:44

Mbrojtja kërkon lirimin e menjëhershëm të Haradinajt

Avokati mbrojtës i Nasim Haradinaj ka kërkuar nga Gjykata Speciale që klienti i tij të lirohet menjëherë.

Sipas palës mbrojtëse të Haradinajt, nënkryetari i OVL-së nuk akuzohet për krime lufte dhe “veprat për të cilat ai dyshohet kjo gjykatë s’ka juridiksion”.

Në fjalën para gjykatës, pala mbrojtëse e Haradinajt ka kërkuar që nënkryetari i OVL-së të lirohet me kusht.

“Mbrojtja ka dorëzuar një mocion për hedhjen poshtë të këtyre akuzave dhe lirimit të menjëhershëm të klientit tim. Prokuroria tha se po bëhet proces i shpejtë e se aktakuza po përpunohet shpejt, por unë s’kam dëgjuar një datë prej tyre. Klienti im ka përfunduar në paraburgim. Kjo punë kërkon shumë javë dhe muaj. Duhet të rishikoni akuzat ndaj klientit tim. Ai s’është akuzuar për krime lufte. Ky është tribunal për krime lufte dhe klienti im s’është i akuzuar për krime lufte. Në parashtrim kam thënë se kjo gjykatë s’ka juridiksion për këto akuza ndaj klientit tim. Të hidhni poshtë akuzat, ta lironi menjëherë zotin Haradinaj nga paraburgimi me kushtet që do të përcaktoni ju dhe t’i jepen atij dhe avokatit të tij dokumentet mbështetëse të akuzës. Deri tani kemi marrë vetëm fletarrestimin dhe dokumentet e transferimit. Po kështu vetëm edhe protokollin për COVID-19”, ka thënë avokati mbrojtës.

15:38

Prokuroria e Specializuar: Aktakuza ndaj Haradinajt do të dorëzohet shumë shpejt

Aktakuza ndaj Nasim Haradinajt do të dorëzohet shumë shpejt, ka thënë prokurorja gjatë seancës.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar po punon shumë shpejt për dorëzimin e një aktakuze ndaj Haradinajt brenda një kohe sa më të shkurtër”, është thënë nga prokurorja gjatë seancës.

Haradinajt paraprakisht i ishin lexuar të drejtat dhe ishte pyetur nëse i kupton, të cilës pyetje Haradinaj i është përgjigjur në mënyrë pohuese.

15:31

Haradinaj: Për arrestimin tim, familja u njoftua përmes medieve

Nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka thënë se i është dhënë mundësia ta kontaktojë me familjen me vonesë.

“Familja u njoftua përmes medieve për arrestimin tim… Uroj të ketë qenë pa qëllim”, ka thënë ai.

Ndërkohë, gjyqtari i procedurës parakrake, Nicolas Guilloi, ka bërë të ditur se avokati mbrojtës i Haradinajt ka dorëzuar parashtrim në fillim të seancës ndaj tij në Gjykatën Speciale.

“Theksoj se kam marrë një parashtrim prej mbrojtësit të Haradinajt. Këtë parashtrim e kam marrë në fillim rtë seancës”, ka thënë ai gjatë seancës.

Haradinaj është pyetur nëse i është dorëzuar fletarrestimi, të cilës gjë i është përgjigjur në mënyrë pohuese.

Më pas janë lexuar edhe arsyet e arrestimit të tij, përkatësisht dyshimet se Haradinaj “është përgjegjës penalisht për këto vepra: frikësim, hakmarrje dhe shkelje e fshehtësisë së procedurës”, ka bërë të ditur gjatë seancës gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

15:10

Nis seanca në Speciale ndaj Haradinajt

Ka nisur të martën seanca në Gjykatën Speciale ndaj Nasim Haradinajt.

Haradinaj, nënkryetar i OVL-së të UÇK-së dyshohet për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje si dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ai u arrestua të premten bashkë me kryetarin e OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati.

Që të dy me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, janë transferuar për në Hagë.

Urdhërarresti për Gucatin e Haradinajn është lëshuar pasi kishin shpërndarë informata konfidenciale dhe jopublike, si edhe dokumente të lidhura me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Në fletëarrestin ndaj tyre thuhet se dyshohen për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për veprën penale frikësim të dëshmitarëve, Gucati dhe Haradinaj mund të dënohen me burgim prej dy deri në dhjetë vjet. Për hakmarrje mund të dënohen me burg deri në tre vjet. Ndërsa për shkelje të fshehtësisë së procedurës deri në një vit. Avokatët thonë se nëse Prokuroria konsideron që edhe persona të tjerë kanë bërë të mundshëm zbulimin e informatave konfidenciale mund ta kenë fatin e njëjtë me atë të krerëve të OVL-së.