21:39

Avokati Hodaj: Topi është në fushën ligjore, jo atë politike

Avokati Taulant Hodaj ka deklaruar se gjatë procesin gjyqëor në Gjykatën Speciale, të gjitha forcat duhet të koncentrohen në sferën ligjore dhe jo atë politike.

Ai në emisionin “DESKU” të KTV-së, ka deklaruar se kjo mund të jetë mundësi e mirë që të marrim mësim edhe në aspektin ligjore sesi funksionojnë gjykatat.

“Besoj në një pjesë të madhe të profesionalizmit të tyre, se janë persona që kanë prapavijë në institucione kredibile mirëpo kjo gjithmonë e vështirësojë punën në institucionet ndërkombëtare, që nuk është lehtë sepse kjo rrjedhë e informatave, ia ulë kredibilitetin dhe ka ndodhur në gjykata ndërkombëtare kjo problematikë. Ka interesa të ndryshme, pjesëmarrës të shteteve të ndryshme, profesionalizëm ka, ka infrastrukturës dhe po besoj se përveç kritikave, do marrim edhe mësime të mira, profesionale si në udhëheqje të seancës, të dokumenteve ose paraqitje profesionale. Unë besoj se edhe si avokat mund të mësoj shumë, e kemi zyrën e avokatëve që i ka përgatitur dokumentet e caktuara që mendoj se duhet aplikuar të avokatët në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Tutje, avokati Hodaj ka thënë se palët që do shkojnë në Speciale, do duhet të jenë të përgatitura mirë, që ta shfrytëzojnë kornizën ligjore. Ai ka potencuar se shumica e madhe e të akuzuarve do të mbrohen në liri, sepse paraburgimi është në raste të jashtëzakonshme dhe se nuk është rregull për të gjithë të konfirmuarit e aktakuzës.

“Ata janë të obliguar të respektojnë në maksimum procedurën, të drejtat dhe liritë e të akuarit potencial, po besoj që një shumicë të madhe do të jenë të mbrojtur në liri ,sepse paraburgimi është në raste të jashtëzakonshme, nuk është rregull për të gjithë të konfirmuarit e aktakuzës. Kjo i ka lënë shije të keqe dhe mundësi pak më të vogla që të gjithë të mbrohen në liri”, ka shtuar ai.

21:36

Miftaraj: Specialja duhet të përgjigjet se si rrodhën informatat

Gjykata Speciale duhet të përgjigjet se si rrogën dosjet dhe informatat, ka thënë Ehat Miftaraj në emisionin Desku në KTV.

“Ka një numër të madh të gazetarëve që kanë dërguar pyetje tek Gjykata Speciale, Prokuroria, dhe është komunikimi më i keq, nuk është transparencë, nuk është llogaridhënie nëse në çdo përgjigje ato janë ‘nuk ka koment’. Ata duhet të kenë komente dhe duhet të përgjigjen se si kanë rrjedhur këto informata, kush ka qenë përgjegjës, cilat janë masat që nuk janë ndërmarrë”, ka thënë Miftaraj.

Sipas Ehat Miftarajt, nga IKD, sistemi i ruajtjes së lëndëve në Gjykatën Speciale është sistem elektronik, është aq i avancuar, aq profesional dhe dihet saktësisht se në këto dosje kush ka pasur qasje.

“Ka pasur qasje administratori, prokurori, kush ka pasur në regjistër, gjyqtari i procedurës paraprake. Pra, për çdo rast janë 3, 4, 5, 6 veta që kanë qasje. Duhet ta dinë. Nuk mund t’i besoj një Gjykate Speciale për t’i hetuar krimet e luftës në Kosovë nëse nuk është në gjendje ta hetojë, me i ruajt dosjet të cilat janë super konfidenciale”, ka thënë ai.

Tutje Miftaraj ka treguar se kanë kërkuar që dosjet të kthehen në Kosovë pasi t’i përfundojë mandati Gjykatës Speciale.

“Delegacioni i Kosovës ka kërkuar që pas përfundimit të mandatit të kësaj gjykate, pas dhjetë viteve dosjet të kthehen në Kosovë. Përgjigja ka qenë e prerë, jo, sepse përmes kësaj do të keni qasje në dëshmi, në dëshmitarë, familjarë të tyre dhe mundësia e hakmarrjes pas 20-30 vjetësh do të jetë e madhe. Pra, gjatë hartimit të ligjit është diskutuar se si t’i ruajmë dëshmitarët e familjarët e tyre”, ka thënë Miftaraj. “Dhe ende pa filluar procesi gjyqësor të rrjedhin informatat. Kosova është një shtet që fatkeqësisht e kemi një president që është i akuzuar dhe nuk ka as kredibilitet të kërkojë njëfarë mënyre sqarime as nga Këshilli i Bashkimit Evropian. Kemi një politikë që po merren me njëri-tjetrin”.


Rrjedhja e informatave ka dëmtuar kredibilitetin e Speciales

Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD) vlerëson se me rrjedhjen e informatave nga Gjykata Speciale, kredibiliteti, integriteti dhe besueshmëria e saj është dëmtuar tepër shumë. Ai në një intervistë në DESKUN e KOHËS ka thënë se Gjykata ka punë para vetës që të përmirësojë këtë gabim, nëse do të mund të përmirësohet.

"Gjykata mund të them se është në një nivel shumë-shumë të ulët dhe duhet ekstra veprime të saj dhe të Prokurorisë, që kjo rrjedhje e informatave të mos dëmtojë asnjë dëshmitar apo proceset gjyqësore", ka thënë Miftaraj.

Ai ka thënë se do të kërkojë nga komisioneri për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut pranë Këshillit të Bashkimit Evropian sqarime.

"Dua të dijë se cilat janë masat që do të marrë Gjykata Speciale për të ruajtur sigurinë fizike, juridike të dëshmitarëve dhe të familjarëve të tyre. Nuk duhet harruar faktin se këta janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe çdo viktimë potenciale në të ardhmen duhet të ketë një adresë, duhet të ketë përgjegjësi. Gjykata Speciale, në këtë rast Prokuroria, nuk mund ta kalojë kaq lehtë një skandal të tillë me rrjedhjen e informatave, ky është një super-skandal", ka shtuar Miftaraj.

21:19

Miftaraj e quan të dështuar politikën kosovare lidhur me gjykimin e krimeve të luftës

Udhëheqësi dhe juristi i Institutit për Drejtësi në Kosovë, Ehat Miftaraj ka deklaruar se politika kosovare është përgjegjësja kryesore e dënimeve të krimeve lufte në Kosovë.

Ai në emisionin “DESKU” të KTV-së, deklaroi se që nga 2014, Kosova ka pasur kompetenca për të hetuar, ndjekur dhe gjykuar krimet e luftës, përpos atyre që kanë qenë në proces të EULEX-it.

“Nga 2014 deri 2020, kemi vetëm një person të dënuar për krime luftë. E gjithë kjo i atribuohet se politika tek ne, tërë fokusin e ka pasur ta kap shtetin, ta kontrollojë policinë, ta kontrollojë prokurorinë, gjykatat, e kemi, së paku nga viti 2011 ,kur kanë filluar negociatat Kosovë-Serbi, kur faktori ndërkombëtar fatkeqësisht, ka qenë më shumë në aspektin politik, për të pasur një marrëveshje Kosovë-Serbi, e ka lënë mbrapa sundimin e ligjit, dhe ua ka lënë duart e lira këtyre që thjeshtë, e kanë shndërruar Kosovën si provë private, sistemin e drejtësisë si pronë private, dhe jemi në situatë kur të gjithë e mallkojmë EULEX-in dhe UNMIK-un që nuk i kanë hetuar krimet e luftës por përgjegjësinë nuk e kemi marrë ne”, ka deklaruar ai.

Miftaraj ka potencuar se përgjegjësi ndërkombëtare ka pasur edhe ajo e ndërkombëtareve mirëpo një politikë më e përgjegjshme e Kosovës, e kishte obliguar EULEX-in ta përfundojë mandatin e vet, sepse kur flasim për EULEX-in, flasim për një mision të dështuar, shkruan KOHA.

“Emrin e ka pasur EULEX, që për popullin e do të thotë zbatimi i ligjit nga BE, po për mendimin tim, emrin më së shumti që i kishte shkuar, do të ishte EUPOLICS, i cili fare s’ka pasur të bëjë me sundimin e ligjit në Kosovë. Unë besoj se as kërkesa e qytetarëve, as kërkesa e veteranëve, nuk ka qenë e duhur në proporcion me politikën, për t’i obliguar që të hetohen krimet e luftës në Kosovë”, ka shtuar tutje ai.

Udhëheqësi i IKD-së, ka thënë se Serbia ka dërguar më shumë se Kosova fletëarreste ndaj Kosovës, ndërsa do duhej të ishte e kundërta.

“Ne duhet të kemi aktvendime të fillim të hetimeve, prokurorë të Prokurorisë Speciale që ndjekin dhe lëshojnë fletëarreste ndërkombëtare. Nëse Kosova do i përmbushte detyrat e veta, nëse do e kishte mision hetimin e krimeve të luftës, sot do i kishim me mijëra fletëarreste ndërkombëtare, sot Serbia do të ishte në një raport shumë më të palakmueshme në raport me Kosovën, sepse kur i tregon botës se Serbia po i fsheh mbi 5 mijë persona që kanë kryer krime lufte dhe s’po bën asgjë, edhe presioni ndërkombëtar do të ishte më i madh”, ka deklaruar ai.

Miftaraj ka potencuar se Kosova e sfidon Serbinë me 40 apo 50 fletëarreste ndërkombëtare, që nga viti 1999.

21:10

Miftaraj: Përgjigjen pse kemi Speciale duhet kërkuar nga politika në Kosovë

Ehat Miftaraj, nga IKD, ka thënë se përgjigja se pse kemi Gjykatë Speciale në Kosovë duhet kërkuar nga politika në Kosovë, veçanërisht nga klasa që ka udhëhequr vendin nga viti 2008 e këndej.

Ai ka thënë se këta kanë pasur mundësi të bëjnë çdo gjë të ndërtojnë politika që hetojnë krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë edhe nga aparati shtetëror serb. Nuk e kanë bërë këtë.

“Nëse e marrim aspektin e tërë qytetarëve të Kosovës, flas për qytetarët e thjeshtë, e jo për juristët që e kuptojnë mandatin e kësaj Gjykate dhe i kuptojnë kompetencat e institucioneve të Kosovës për mu ndjek dhe gjykuar krimet e luftës në Kosovë, shumë herë flitet se kjo Gjykatë do t’i hetojë vetëm shqiptarët, në kategori. Është e vërtetë se kjo i heton kryesisht shqiptarët, pasi kërkesa e faktorit ndërkombëtar ka qenë që kjo gjykatë të hetojë raportin e publikuar nga senatori Dick Marty. Tani më po e dimë se kush do të jenë të akuzuar, një numër i caktuar i personave që kanë udhëhequr me Kosovën le të themi nga viti 2008. Persona që kanë pasur pozita udhëheqëse, mundësitë e botës të forcojnë shtetin, të ndërtojnë politika që hetojnë krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë edhe nga aparati shtetëror serb. Nuk e kanë bërë. Tash veteranët e luftës mund t’i kuptojë një pjesë të tyre, që ndihen të frustruar dhe kërkojnë përgjigjet për Gjykatën Speciale nga prokurorët dhe gjyqtarët e kësaj gjykate, që mendoj se është gabim. Përgjigja pse kemi Gjykatë Speciale, pse nuk janë hetuar krimet e luftës në Kosovë është te politika në Kosovë, te gjithë ata që kanë sunduar nga viti 2008 e këndej. Kur është formuar Tribunali i Hagës, aiështë marrë me kokat e mëdhaja të luftës në ish-Jugosllavi. Tribunali i Hagës u ka lënë kompetencë çdo shteti që veç e veç të merret me krime që janë më pak të themi ordinere për krime lufte, t’i trajtojë ato”, ka thënë Miftaraj në DESK në KTV.

21:05

Miftaraj: Çdo i akuzuar mund t’i drejtohet Kushtetueses për legjitimitetin e Speciales

Ehat Miftaraj, nga IKD-ja, në emisionin Desku në KTV ka thënë se çdo i akuzuar mund të kontestojë legjitimitetin e Speciales duke e dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese në Hagë.

“Kryeparlamentarja vetëm e ka dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese të Hagës, e cila tani është në trajtim e sipër. Me vet faktin se Gjykata Speciale është duke vazhduar me veprimet e saj po nënkupton që nuk ka arsye dhe nuk mundet, nuk e pengon në punën e saj”, ka thënë Miftaraj.

Miftaraj beson se Kushtetuesja do t’i japë të drejtë Speciales.

“Jam i sigurt se shumë shpejtë kjo (Gjykata Kushtetuese) shumë shpejt do të dalë me një qëndrim, opinion ku do të vlerësojë ligjshmërinë e mandatit të Speciales ku jam i sigurt se do të jetë në favor se ka mandat”, ka thënë Miftaraj.

Sipas tij avokatët kanë të drejtë ta kontestojnë legjitimitetin e Gjykatës Speciale ndërlidhet kryesisht me nenin 1 të këtij ligji mbi Dhomat e Specializuara.

“Pastaj edhe dispozitat e tjera ku lidhet me qëllimin për çka është themeluar kjo gjykatë ku thuhet se kjo është themeluar për të hetuar pretendimet e Dick Martyt, kështu që çdo i akuzuar ka të drejtë të kontestojë legjitimitetin pranë Gjykatës Kushtetuese, nëse mendon se ajo aktakuzë nuk e ka pasur asnjë referencë në raportin e Dick Martyt, nuk ka qenë asnjë referencë në raportin që është miratuar nga Këshilli Evropian kur është miratuar raporti i Dick Martyt”, ka thënë Miftaraj.

20:59

Palokaj: Gazetarët duhet të botojnë dokumentet e Gjykatës nëse u besojnë burimeve

Gazetari dhe korrespodenti i KOHËS nga Brukseli, Augustin Palokaj, duke komentuar punën e gazetarëve në lidhje me raportimin rreth Gjykatës Speciale, ka thënë se ekziston një vijë e hollë e kufirit se ku përfundon një gazetar profesionist me të drejtat e tij dhe ku fillon gazetari si qytetar me obligimet e tij.

Ai, në një video-paraqitje në emisionin “DESKU” në KTV, ka thënë se gazetarët e duhet të vazhdojnë t’i publikojnë dokumentet që mund të rrjedhin nga Gjykata, natyrisht nëse u besojnë burimeve.

“Gazetarët kanë të drejtë, e ndoshta nganjëherë edhe obligim që t'i botojnë nëse besojnë në to, nëse e dinë se origjinaliteti i tyre rrjedh nga një burim i besueshëm dhe gjithmonë duke pasur parasysh se ajo që do të botojnë do të ishte në interes të publikut dhe nuk do të rrezikonte jetën e qytetarëve. Këtu ekziston ai kufiri, mediat nuk bën të botojnë emrat apo identitetin e dëshmitarëve të mbyllur apo të dikujt që do t'ia rrezikonin jetën”, ka thënë Palokaj.

Ai ka folur edhe për përvojën e gazetarëve gjatë proceseve në Tribunalin e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Ka treguar se shumë gazetarë kanë pranuar të dëshmojnë e disa të tjerë kanë refuzuar.

“Për t’u marrë si dëshmi në Gjykatë, gazetari duhet të vijë në gjykatë dhe ta dëshmojë autorësinë. Kemi pasur shumë gazetarë që kanë dëshmuar në Tribunalin e Hagës. Por ka pasur edhe të tillë që kanë refuzuar të dëshmojnë, pasi si gazetarë e ruajnë profesionin e tyre dhe po të dëshmojnë, në të ardhmen në konfliktet që i mbulojnë mund të shihen si dëshmitarë potencialë dhe në këtë mënyrë mund të rrezikojnë punën e gazetarit”, ka thënë Palokaj.

20:50

Hodaj: Arrestimet e Gucatit dhe Haradinajt i kanë plotësuar kushtet minimale të Speciales

Avokati Taulant Hodaj ka deklaruar se procedura e të dyshuarit, Salih Mustafa, nga Gjykata Speciale ka shkuar në përputhje me rregulloren e procedurës dhe me ligjin për Dhomat e Specializuara.

Ai në emisionin “DESKU”, në KTV, ka thënë se kjo procedura nuk vlen edhe për arrestimin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj, pasiqë sipas tij, në këtë rast, janë plotësuar kushtet minimale me ligjin për Dhomat e Specializuara.

“Mendoj se sidomos te zotëri Mustafa ka shkuar gjithçka në përputhje me rregulloren e procedurës dhe provave, me ligjin për Dhomat e Specializuara që janë dy dokumentet themeltare për themelimin e Speciales. Ndërsa sa i përket arrestimeve të Gucatit dhe Haradinajt, janë plotësuar kushtet miminale me ligjin për Dhomat e Specializuara, edhe pse këto ka një dilemë që në ligjin për Dhomat e Specializuara, thuhet se kjo ka mandat përveç krimeve të luftës edhe për krime të tjera ndaj drejtësisë që hynë nenet të posaçme te kodit penale të Kosovës të vitit 2012”, ka deklaruar Hodaj.

Ai ka përmendur se kodi penal i Kosovës i vitit 2012, ka ndryshuar dhe duke pasur një kod të ri, nuk është në përputhje me ato të Dhomave të Specializuara mirëpo, sipas tij, kjo duhet të jetë sfidë e avokatit që t’i kundërshtojë ato.

“Për juridiksionin e veprave të tjera penale, që janë pengimi i drejtësisë, në mënyre decidive përmenden nenet përkatëse te kodit penal të vitit 2012, tani zoti Gucati dhe Haradinaj janë me veprën penale 387, ndërsa në Dhomat e Specializuara, ky nen nuk është fare. Po besoj që kjo do të sqarohet nga mbrojtja, sa i përket nëse gjithçka ka shkuar në rregull, do të ishte evituar kjo situatë ose ky shoë që ndodhi me arrestimin e tyre”, ka thënë tutje ai.

Hodaj ka përmendur se edhe në EULEX ka pasur raste të tilla, kur ka pasur informacioneve rreth dëshmitarëve, dhe EULEX ka dërguar shkresë apo njoftim se informacionet e tilla nuk duhet të publikohen.

“Nuk do të thotë se mosnjohja e ligjit arsyeton dikë, por nëse do të kishte një reagim paraprak nga Dhomat, besoj se të njëjtit do të kishin reflektuar dhe vlerësuar nëse ia vlen t’i publikojnë ato që i kanë publikuar. Në anën tjetër, mendoj se jo çdo informacion që kanë mundur ta kenë ata, bie në kuadër të veprave penale të para nga administrimi i drejtësisë. Mediat mund të zbulojnë informata lidhur me ngjarjet që zgjojnë interes publik, besoj se këto janë të mbrojtura edhe me lirinë e shprehjes”, ka thënë ai.

20:34

Miftaraj: Në rast të vrasjes së dëshmitarëve, për akuzat si ndaj Gucatit e Haradinajt, burgim i përjetshëm

Ehat Miftaraj, nga IKD, ka thënë se në rast të vrasjes së dëshmitarëve, për akuzat si ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, dënimet me burgim mund të jenë edhe të përjetshme.

“Kohëve të fundit po shohim interpretim të situatave më shumë me ndjenja duke marrë përbazë atë që ka ndodhur para 20-22 viteve, e jo me realitetin se çka nënkupton Gjykata Speciale, çka nënkupton mandati i saj dhe si duhet të sillemi të gjithë ne në raport me të”, ka thënë Miftaraj.

Sipas tij të gjithë qytetarët e Kosovës duhet t’i përgjigjen Speciales.

“Autoriteti i Speciales është obligim kushtetues dhe ligjor i Republikës së Kosovës. Të gjithë qytetarët e Kosovës pa marrë parasysh veteran të luftës apo ushtarë të UÇK-së e kanë për obligim që t’i përgjigjen pozitivisht këtij mandati”, ka thënë ai. “Çdo kush që bie në kundërshtim me këtë sigurisht se do të ketë pasoja. Në fund të proceseve gjyqësore mund të ndodhë të kemi më shumë të akuzuar për pengim në administrimin e drejtësisë se sa ndoshta aktakuza për krime lufte që dalin nga raporti i Dick Martyt”.

Sipas tij Gjykata ka kërkuar që të ketë kompetenca të plota kundrejt atyre që e pengojnë drejtësinë.

“Kur është hartuar me ekspertë që kanë qenë kryesisht nga Haga, një pjesë e veçantë që ata kanë dashur të kenë siguri është që kjo Gjykata të ketë kompetenca ndaj kujtdo që e pengon administrimin e drejtësisë. Është në mandatin e saj që të hetojë këdo që në njëfarë forme e pengon punën e kësaj gjykate”, ka thënë Miftaraj. “Për vepra penale për të cilat janë akuzuar Gucati dhe Haradinaj, nëse në të ardhmen mund të ketë viktima, dëshmitarë që mund të vriten, dënimet mund të shkojnë nëse s’gabojnë edhe me dënime me burgim të përjetshëm”.