Arbëri

Stafi teknik paralajmëron bojkot të punës, nëse Qeveria s’realizon premtimin

Stafi teknik paralajmëron bojkot të punës, nëse Qeveria s’realizon premtimin
12:01

Stafi teknik paralajmëron bojkot të punës, nëse Qeveria s’realizon premtimin

Punonjësit teknikë të QKUK-së dhe SHSKUK-së kanë paralajmëruar edhe bojkot të punës, nëse Qeveria e Kosovës nuk përmbush premtimin e dhënë për pagesat prej 300 eurosh, për punën në rrezik në kohë pandemie.

Në protestën e mbajtur të mërkurën, stafi teknik është shprehur i zhgënjyer me shtetin e Kosovës. Ata thonë se kurrë më shumë se tash s’kanë qenë të rrezikuar në vend të punës.

Përfaqësuesi i administratës, Kastriot Gjoshi theksoi se janë rreth 2000 persona të cilët janë diskriminuar në këto pagesa. Madje, ai ka shtuar se kanë informacione që shumë prej tyre janë ndaluar nga SHSKUK që të mos bashkohen sot në këtë protestë. Ndërkohë që ai kërkoi edhe nga ushtruesi i detyrës të drejtorit të këtij institucion, Valbon Krasniqi që t’ua lirojë rrugën.

“Të gjithë janë në dijeni se ne personeli mbështetës të cilët jemi të punësuar në QKUK dhe SHSKUK, siç janë: administrata, recepsionistet, IT, vozitësit e autoambulancave, sigurimi, servirët e ushqimit, bocmanët, bartësit e pacientëve, shërbimet teknike, higjienistët dhe kategoritë tjera, çdo dite kanë qenë të rrezikuar dhe ende janë me përballjen me Covid-19 dhe të gjithë këta te apostrofuarit me lartë nuk janë përfitues të shumës prej 300 euro të cilën e kanë premtuar publikisht nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj”, ka thënë ai.

Ai kërkoi që të trajtohen barabartë si pjesa tjetër e stafit të ShSKUK-së, në të kundërtën nëse nuk ndërmerret diçka deri të hënën, do të bojkotojnë punën.

Ushtruesi i detyrës të drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi tha se janë në bashkëbisedim me qeverinë edhe me ministrin e Shëndetësisë që të shqyrtohen të gjitha mundësitë që të gjithë punonjësit të përfshihen në këtë pagesë shtesë prej 300 euro.

“Këto protesta në këtë moment nuk janë në një mënyrë ose tjetër të panevojshme, për faktin se ne jemi thellë të bindur dhe jemi të angazhuar maksimalisht që të gjithë punonjësit të marrin këtë pagë prej 300 euro. Dhe unë pres që qeveria të reflektojë mbi këto kërkesa. Ekziston vullnet dhe gatishmëri që të gjendet zgjidhje edhe për këta punëtorë. Unë ju bëj thirrje që të na i leni neve kohën në dispozicion, sepse ne jemi shumë më shumë të angazhuar që kjo të ndodhë. Dhe ju siguroj që nuk do të ndalemi për asnjë moment, derisa të sigurohemi që gjithë punonjësit të marrin pagesat e tyre”, theksoi ai.

 

10:06

Fillon protesta e personelit teknik të QKUK-së

Në shenjë pakënaqësie për mospërfshirje në listat e shtesave prej 300 euro të ndara nga Qeveria për rrezikshmëri, ka nisur protesta e personelit mbështetës, të cilët janë të punësuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Në protestë po marrin pjesë dhjetëra punëtorë nga administrata, recepsionistët, vozitësit e autoambulancave, sigurimi, shërbyesit e ushqimit, bocmenët, shërbimet teknike, si dhe ata të pastrimit.

KOHA në vazhdimësi ka raportuar për ndarjen zinxhirore që i është bërë personelit të qendrave mjekësore, që janë në kontakt të vazhdueshëm me personat e prekur me Covid-19.