00:03

Raka: Ekziston mundësia e riinfeksionit nga COVID-19

Mikrobiologu, Lul Raka, ka thënë se ekziston mundësia e riinfeksionit nga COVID-19.

“Janë dy opsione. I pari më i shpeshtë dhe më reali është se një pjesë e pacientëve nëse janë pozitivë vazhdojnë me qenë pozitivë për disa javë me radhë, ka raste për gjashtë javë. Edhe pse pacienti në fillim ka pasur simptome mirëpo më vonë jo, edhe në këto raste interpretimi ka qenë që ajo është fazë kur imuniteti i organizmit e largon virusin nga trupi”, ka thënë Raka. “Mirëpo një nga mangësitë e testimeve PCR është e ai nuk e dallon a është virus i gjallë apo janë pjesëza të virusit që nuk janë infektive. Në shumicën e rasteve këto janë pjesëza të virusit që s’janë infektive. Pra, nëse s’ka simptome nuk e bart infeksionin”.

Ai ka thënë se rastet e riinfkesionit janë të rralla.

“Interesante ka qenë rasti i parë i riinfeksionit, kjo mundet me u përcaktuar me sekuencionim, një metodë gjenetike që tregon se ai virusi i parë dhe i dyti gjenetikisht a janë të njëjtë apo ndryshojnë. Nëse janë të njëjtë është vazhdim, nëse ndryshojnë atëherë ka riinfeksion. Deri sot në botë janë pesë raste të tilla. Teorikisht e praktikisht ka mundësi me u përsërit, mirëpo gjasat janë me pas të njëjtin virus”, ka thënë Raka.

23:42

Raka thotë se pas lirimit të masave nuk pati inspektim nga institucionet përgjegjëse

Infektologu Lul Raka ka thënë se numri i madh i rasteve me COVID-19 erdhi pasi masat u liruan menjëherë.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se numri i madh i rasteve të infektimit erdhi pasi lirimi i masave nuk u përcjellë me inspektim strikt.

“Një pjesë e konsiderueshme e popullit mendoi që me lirimin e masave shkoi virusi dhe do t’i kthehemi jetës normale. Njëkohësisht lirimi i masave nuk u përcjell me inspektim strikt nga autoritetet, dhe në momentin kur patëm sfidë në korrik e gusht, dhe kur pati sinkron kur njerëzit filluan t’i respektonin masat, në anën tjetër pat inspektim nga autoritet, i pamë rezultatet”, ka thënë ai.

Raka ka thënë se është kundër mbylljes së serishme, duke shtuar se nëse secili segment e kryen pjesën e vet, virusi do të menaxhohet.

“Ky është një reflektim i asaj që nëse secili segment e kryen pjesën e vet pandemia bëhet e menaxhueshme. Ne kemi qenë kundër mbylljes së serishme sepse virusin e kemi pasur në komunitet dhe do ta kemi. Ne e kemi kryer gjysmën e maratonës dhe edhe në këtë sfidë nëse secili i kryen pjesën e vet, menaxhimi do të jetë më i lehtë. Ne do të bashkëjetojmë me virusin por duhet të mësohemi me realitetin e ri”, ka thënë ai.