00:13

Ramadani: COVID-19 ka ndikuar në shëndetin mental të punëtorëve shëndetësorë

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se pandemia mund të ndahet në dy etapa sa i përket vlerësimit të punëtorëve shëndetësorë nga qytetarët e Kosovës.

Ai thotë se pavarësisht se fillimisht u duartrokitën, më vonë u gjuajtën ‘shigjeta’ ndaj tyre gjë e cila bëri që tek ata të shkaktonin dëm në shëndetin mental.

“Në fillim na duartrokisnin nga ballkonet dhe pastaj sikur u lodhën njerëzit dhe më le që nuk kishte duartrokitje por filluan gjuajtje të shigjetave. Kjo punëtorët shëndetësorë pos punës së tyre të përditshme dhe të tejngarkuar i lodhi edhe në aspektin psikologjik, dëme në shëndetin mental të çdo qytetari të Koosvës. Në këtë dëm të shëndetit mental, qytetarë janë edhe punëtorët shëndetësorë dhe kjo i ka stërngarkuar punëtorët shëndetësorë”, ka thënë Ramadani.

Ai shton se virusi COVID-19 ndikon keq sidomos tek personat e stresuar dhe të stërngarkuar, e që janë të shfaqura pikërisht tek punëtorët shëndetësorë.

Ramadani ka thënë se kur shikohet prapa, në fillimin e shpërthimit të pandemisë në Kosovë, ndaj punëtorëve shëndetësorë ka pasur një presion “të paparë” nga të gjitha anët.

“Jemi përballur me një ecuri epidemiologjike e cila ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në këtë ecuri kemi pasur probleme dhe në atë ecuri kur shihet në retrospektivë mund të shohim shumë gjëra që tash mund të thuhet se janë qesharake, p.sh. sepse në kohën e pandemisë shkurt-qershor kemi pasur një presion të paparë të cilin e kam shprehur shpeshherë ndaj institucioneve shëndetësore, nga të gjitha anët janë drejtuar shigjeta se nuk po punohet sa duhet dhe se institucionet shëndetësore nuk janë në nivelin e duhur”, tha Ramadani.

00:03

Ramadani beson se vaksina kundër COVID-19 do të zbulohet së shpejti

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), Naser Ramadani, vlerëson se koha optimale për zbulimin e vaksinës kundër COVID-19, do të jetë në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2021. Kjo në bazë të asaj që po zhvillohet në laboratoret dhe kompanitë më të njohura në botë.

Ramadani në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se tashmë është planifikuar strategjia e imunizimit.

“Koha më optimale dhe më e shpejtë do të jetë fundi i këtij viti dhe fillimi i vitit të ardhshëm. Por që është një problematikë tjetër në këtë kontekst. Nuk është vetëm zbulimi i vaksinës, nuk është vetëm futja e vaksinës në praktikë, por është edhe shpërndarja distribuimi në gjithë rruzullin tokësor duke pasur parasysh kërkesat shumë të mëdha të shteteve për vaksinë kundër COVID-19”, ka thënë Ramadani.

Ai ka thënë se Kosova i ka gjasat e mëdha që të vijë deri te furnizimi me vaksina falë shteteve evropiane.

“Qysh tash e kemi paraqitur kërkesë. Sipas të gjitha gjasave, Kosova do të furnizohet në bazë të planifikimit të Bashkësisë Evropiane, edhe për Kosovën dhe shtetet e Ballkanit planifikohet se do të vijë vaksina. Ne do ta marrin atë, popullata do të jetë e vaksionuar në bazë të prioriteteve, në radhë të parë personat me indikacione epidemiologjike”, ka thënë ai.

23:52

Ramadani: Hedhja e përgjegjësisë nga njëri institucion te tjetri ka dëmtuar situatën me COVID-19

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, ka thënë se situata me COVID-19 dhe përballja me të është dëmtuar më së shumti nga hedhja e përgjegjësisë prej një institucioni në tjetrin.

Në Interaktiv të KTV-së, Ramadani ka thënë se hedhja e përgjegjësisë nga njëri-institucion te tjetri, në kohën kur në Kosovë kishte shifra alarmante të rasteve të reja me COVID-19, kishte bërë që në vend të krijohej perceptimi se çka do që të bëhej në parandalim të virusit, do të ishte gabim.

“Nëse flasim për terminologji të caktuara, që mund të quhen si nocione gabim, mosmarrje të përgjegjësisë, e kështu me radhë, mund të flasim tërë natën dhe të gjuajmë topin nga njëri institucion në tjetrin e prej njërit individ në tjetrin. Kjo e ka dëmtuar më së shumti situatën. Çdo herë kur një palë, një qytetar, një grupacion, një institucion apo çka do qoftë tjetër, aludon se dikush po gabon gjithnjë, atëherë në perceptimin psikologjik dhe analitik të mendjes së njeriut krijohet përshtypja se paska njerëz të gabueshëm. Atëherë ka vend edhe për sulme, nëse ka vend edhe për sulme, do të ketë vend edhe për pakënaqësi. Atëherë ne nuk do të jemi të kënaqur, do të kalojmë në pesimizëm, s’do të merremi me përgjegjësinë e secilit që na përkasin këtu e të merremi me të tjerët”, ka thënë fillimisht ai.

Sipas tij, vlerësimi varet nga këndvështrimi që merr vlerësuesi, por Ramadani ka vlerësuar se në vend është bërë punë “kolosale” nga të gjithë.

Aktualisht në Kosovë janë 1359 raste aktive me COVID-19. Deri tash në vend janë regjistruar 15663 raste pozitive, me 627 persona që kanë vdekur. 13677 persona janë shëruar.