1 perditesime
13:13

Berisha: Krim s’ka bërë Haki Rugova, por Prokuroria

Besnik Berisha, avokati i kryetarit të Istogut, Haki Rugova, ka thënë se ndaj klientit të tij është bërë krim nga Prokuroria e shtetit.

“Një fjali që e kam proceduar vazhdimisht është se krim s’ka bërë Hakia, por Prokuroria. Arrestimi i tij është i kundërligjshëm. Sot në orët e pasdites do të ketë konferencë për media ku do të shpaloset gjithçka që pretendon prokuroria dhe çdo provë që ka dorëzuar pala mbrojtëse. Ajo që do të dëgjoni nga shkresat do të vërë në pikëpyetje jo vetëm objektivitetin e prokurorisë që ka urdhëruar arrestimin e tij, por edhe një dozë të pasigurisë për këdo që e promovon”, ka thënë ai, në një deklaratë për media, gjatë mbajtjes së seancës dëgjimore, që po mbahet e mbyllur.

E ka akuzuar Prokurorinë për “fakte të falsifikuara”, teksa ka thënë se klienti i tij po “persekutohet”.

Rugova ishte arrestuar të premten nën dyshimin për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, “konflikt interesi” e “falsifikim të dokumentit zyrtar”.

10:35

Seanca ndaj Rugovës, e mbyllur për media

Seanca dëgjimore ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, është duke u zhvilluar e mbyllur për media në Gjykatën Themelore në Pejë.

Rugova ishte arrestuar të premten, nën dyshimin për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, “konflikt interesi” e “falsifikim të dokumentit zyrtar”.

Siç ka mësuar KOHA, arrestimi i Rugovës së bashku me ish-nënkryetarin e Komunës, Lulzim Blakaj, e një zyrtar tjetër të Komunës, Faton Bujupi, lidhet me dhënien e disa parcelave të Komunës për shfrytëzim nga kompania “Ma Con”, të cilat janë shfrytëzuar për gurëthyes.