Arbëri

Krushqit e pangrirë: Mbi martesat mes vajzave shqiptare dhe burrave serbë

 

Kur ish-studentja ime në lëndën e Komunikimit Ndërkulturor, Olta Murataj, në studimet Master në Letërsi të Krahasuar të Universitetit të Tiranë, komunikoi në “Messenger” me mua (prof. Dr. Akademik Artan Fuga), thashë “sa kohë kam pa dëgjuar të rejat e saj”.

Më shpjegoi që kishte qenë për disa vjet dhe kishte bërë një doktoraturë në një universitet shumë të mirë në Turqi, në fushën e sociologjisë. U gëzova sepse ajo tanimë kishte një formim ndërdisiplinor aq i rrallë në Shqipëri. Pastaj, në bisedë e sipër, më shpjegoi për temën e saj studimore: “Martesat mes vajzave shqiptare dhe burrave serbë në Sanxhak të Serbisë”. U hodha përpjetë. “Do të të bëj një intervistë,-i thashë,- unë, ish-profesori yt, do të bëj gazetarin modest dhe ti doktoreshën në Sociologji”. Olta, vajzë e mençur, e sjellshme, sot është ende pa një vend pune universitar në Tiranë. Askush fatkeqësisht nuk i di gjetjet e rëndësishme të punimit të saj të rrallë në Sociologji, bazuar mbi bazën e intervistave të thelluara dhe të historive të jetës, aq të munguara në vendin tonë. Olta Murataj ndofta nuk e di se çfarë shërbimi të madh i ka bërë kërkimit shkencor në Shqipëri, që lëngon, por unë e di. Ajo, me modestinë e saj, me një punim prej 300 faqesh që çdo shtëpi botuese e huaj do ta kishte botuar menjëherë, nuk e di ndoshta se fjalamanët, tjerrin në doktoratura fjali pa lidhje dhe pa kuptim, kurse ajo trajton një problem sa sociologjik, aq edhe gjeostrategjik për vendin e vet.