3 perditesime
21:01

Njohësit e fushës së edukimit të hershëm kërkojnë të merren parasysh rekomandimet e tyre

Edhe njohësit e fushës së edukimit të hershëm janë kundër përdorimit të librave për fëmijët e moshave 5-6 vjeç.

Merita Shala, eksperte në edukimin e fëmijërisë së hershme thotë se në këtë moshë ata kanë nevojë të mësojnë përmes lojës.

“Nuk kemi pasur një informatë kthyese për rekomandimet që kemi dërguar. Përveç analizës që kemi bërë që kjo paketë nuk përmbush kriteret, grupi ekspertëve ka ofruar rekomandimet përkatëse për çka më tutje por nuk kemi marrë përgjigje. Paketa është hedhur në treg dhe fëmijët janë të detyruar të punojnë me të njëjtën paketë e cila nuk stimulon zhvillimin e tyre por rrezikon rritjen dhe zhvillimin në këtë moshë.”, ka thënë ajo.

Shala, gjithashtu, është njëra ndër personat e ftuar nga Ministria e Arsimit për të dhënë komentet e saj rreth pakos didaktike.

Ajo ka shtuar se gjatë analizës së bërë, paketa didaktike rriskon respektimin e stadeve të zhvillimit të fëmijëve.

“një studim thotë se nëse fëmijët e kësaj moshe ngarkohen me stimulim të përmbajtjeve akademike, me të njëjtit fëmije në përiudhën 8-9 vjeçare ka një rënie të arritshmërisë shkollore, dhe rritje të prevalencës së problemeve të tyre personale dhe të sjelljes”, ka thënë ajo.

Përveç rekomandimeve që i kanë dhënë këta profesionistë të fushës së edukimit të hershëm të fëmijëve rreth kësaj pakoje, Ministria e Arsimit nuk ka kthyer ndonjë përgjigje se si do të veprohet tutje.

Shala ka rekomanduar ndërprerjen e kësaj pakoje derisa aty të përfshihen rekomandimet e tyre.

“Në aspekte të ndryshme ka pasur vendime për ndërprerje të veprimtarisë dhe është përgatitur një peticion që do t’i dërgohet MASH-it për ndërprerjen e kësaj pakete”, ka thënë ajo.

 

20:43

‘KOMF’ kërkon largimin ose modifikimin e pakos didaktike

Rrjeti i OJQ-ve, KOMF, ka kërkuar ndërprerjen e përdorimit të pakos me libra për moshën 5 deri në 6 vjeç.

Vitin e kaluar, MASHT-i ka iniciuar botimin e librave për punë me fëmijë të moshës parafillore.

Këta libra, fletë pune dhe materiale të ndryshme, peshojnë ndërmjet 7 deri në 8 kg.

Remzije Krasniqi nga KOMF në një intervistë për emisionin Raport të KTV-së ka thënë se pakoja ka peshë të madhe, e që sipas saj është e tepruar për moshën e fëmijëve.

Përveç peshës, numrit të librave, fletoreve të punës, materialeve të tjera, përmbajtja pedagogjike, kërkesat dhe detyrat që dalin nga librat dhe fletët e punës për grupmoshën 5 – 6 vjeç është e stërngarkuar.

Sa u përket këtyre librave/pakos, vlerësimi i ekspertëve të edukimit parashkollor konstaton se këta libra nuk janë fare të përshtatshëm për këtë moshë.

“Ka rreth 9 fletore të punës për fusha të ndryshme, për matematikë, gjuhë e fusha të tjera”, ka thënë ajo.

Krasniqi ka shtuar se për këtë moshë nuk preferohet të ketë libra specifikë.

Sipas saj, fëmijët e kësaj moshe zhvillohen dhe mësojnë duke luajtur, jo duke bërë detyra, duhet pasur në mendje se loja iu jep mundësi të eksplorojnë dhe mësojnë gjëra të reja.

“Kjo bie në kundërshtim me kërkesat e një moshe të tillë të cilat mund të nxisin fëmijën për përfitimin e shkathtësive të para elementare për përgatitje në shkolla”, ka thënë ajo.

Paraqitja e shkronjave dhe numrave, thotë Krasniqi, nuk është në harmoni me atë se çka mësohet në klasën e parë. Fëmijët e kësaj moshe mund t’i mësojnë konceptet e numrave dhe të shkronjave, por përmes lojës dhe aktiviteteve kreative e jo duke ua imponuar shkrimin e tyre.

“Synimi i kësaj grupmoshe duhet të jetë i orientuar drejt lojës”, ka thënë ajo.

 

20:31

Zhitija ngre shqetësimin për dëmin që po u bëhet parashkollorëve me kurrikulë

Majlinda Zhitija-Gjelaj ka qenë pjesë e këshillit të teksteve shkollore në kuadër të Ministrisë së Arsimit, por pikërisht ankesat e shumta të edukatoreve për sa i përket pakos didaktike për fëmijët e moshës 5-6 vjeç, e ka shtyrë atë që të japë dorëheqje nga këshilli.

Gjelaj thotë se edukatoret janë ankuar për ngarkesë të shumtë ndaj fëmijëve.

Fëmijët e kësaj moshe më herët kanë mësuar në bazë të një kurrikule të veçantë, ndërsa tash mosha 5-6 vjeç është futur në kurrikulën e edukimit fillor.

“Kanë pasur një kurrikulë për grupmoshën 3-6 vjeç që nuk ka pasur fare të bëjë me kurrikulën e shkollës fillore. Do të thotë kjo kurrikula e rishikuar më 2016, e ka marrë këtë grupmoshë, prej parashkollor dhe e ka fut në kurrikulën e edukimit fillor, kështu edhe quhet”, ka thënë Profesoreshë e Pedagogjisë në Fakultetin e Edukimit, Zhitija-Gjelaj, në një intervistë në emisionin “Raport” të KTV-së.

Ajo thotë se këta libra nuk janë të mirë për këtë moshë.

“Ideja ka qenë, se meqenëse këta po shkojnë në shkollë, në ambient shkollor, të jenë edhe me kurrikulë sikurse shkollat. Por kjo nuk qëndron, ata lirisht mundem me mbajt mësimin në shkollë, po mendoj aktivitetet, por përmbajtja nuk duhet me qenë e njëjtë, metodologjia duhet me qenë krejt tjetër, fëmijët e moshës parashkollore mësojnë ndryshe prej fëmijëve të moshës shkollore”, tha ajo.

Sipas saj dëmi për fëmijët është i madh. Ata, thotë ajo, ende duhet të mësojnë duke luajtur.

“Nëse e analizojmë pak librin, tekstet që janë në pako, kanë përmbajtje që i ka kërkuar vet shteti, rezultatet lidhen me ato përmbajtje, dhe rrjedhimisht fëmijët duhet me qenë joaktiv, në kuptimin që nuk mundem me lëviz në klasë, duhet me qëndru ulur, me plotësu libra, shumë fletë pune, me mësu vjersha dhe ky është ai dëmi që tash u bëhet fëmijëve nëpër shkolla”, ka vlerësuar Zhitija-Gjelaj.

 

20:19

Librat për parafillorët po konsiderohen ngarkesë për grupmoshën 5 deri në 6 vjeç

E panevojshme dhe e mbingarkuar po konsiderohet pakoja didaktike për fëmijët e moshës 5-6 vjeç.

Prindërit e fëmijëve parashkollorë po kërkojnë heqjen e librave për këtë grupmoshë.

Mësimi i 10 lëndëve të ndryshme sipas tyre është ngarkesë.

Sipas planit dhe programit mësimor për këtë nivel, fëmijët duhet të përqendrohen vetëm në të folur, në të dëgjuar, shprehur, komentuar e vizatuar.

Akile Rexhepi është një tjetër nënë, e cila thotë se çdo ditë i duhet ta përcjellë fëmijën e saj për në shkollë, shkaku i peshës së çantës, që është e rëndë për një 5-vjeçar.

Ndërkaq, edukatoret nuk pajtohen me prindërit.

Ato thonë se kjo formë e të mësuarit i përgatit nxënësit për klasat e tjera dhe aspak nuk i ngarkojnë.

Por, drejtoresha e shkollës fillore, “Faik Konica”, Jehona Oruqi, thotë se pakoja didaktike është e ngarkuar për këtë grupmoshë, megjithatë edukatoret e këtij institucioni po mundohen që t’i angazhojnë fëmijët edhe me aktivitete të tjera.

Pakoja me 3 libra për nxënës ka edhe një fletushkë, ku në njërën prej faqeve të saj parashihet që nxënësi t’i shprehë mendimet për dosjen e vet në disa kuti për plotësim.

E pedagogia, Hana Zylfiu-Haziri, pohon se në këto pako gjithçka është e ngarkuar.

E për pakon didaktike, mendime nga profesionistët e kësaj fushe ka kërkuar Ministria e Arsimit.

Ndonëse mendimet ishin kryesisht negative, nuk janë marrë parasysh.

Mimoza Shahini është njëra nga anëtaret e trupës këshilluese të Ministrisë së Arsimit, për fëmijërinë e hershme.

Ajo thotë se kjo paketë nuk përkon me nevojat zhvillimore të fëmijës.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, përfshirë edhe vetë ministrin nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje në lidhje me këtë.