5 perditesime
00:15

Çeku: Veprimi i presidentit për zgjedhje në Podujevë, i çuditshëm

Hajrulla Çeku e ka quajtur të çuditshëm dekretimin e zgjedhjeve në Podujevë për 29 nëntor nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Ai në një intervistë në Interaktiv, tha se presidenti i kishte shtyrë zgjedhjet në mars për shkak të pandemisë dhe tash po i organizon ato, në një valë të dytë të kësaj pandemie.

“Vendimi i presidentit për dekretimin e zgjedhjeve në Podujevë është pak sa edhe i çuditshëm. Nëse arsyeja për të cilën i ka shtyrë zgjedhjet herën e kaluar ka qenë pandemia, ne tash po hymë në një valë të dytë të pandemisë dhe fundi i nëntorit është edhe kohë dimri edhe kohë jo shumë e përshtatshme. Nuk e di pse është dashur me prit kaq gjatë me i organizu këto zgjedhje”, ka thënë deputeti i VV-së.

Ai beson se ka një motiv pas këtij vendimi të Thaçit për dekretimin e zgjedhjeve në Podujevë, por edhe në Mitrovicë të Veriut.

“Presidenti është nxituar me nxjerr këtë vendim, sepse është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që ne po e presim, besoj se ne e kemi një rast shumë të fuqishëm, ne e kemi dërguar këtë rast në Kushtetuese, sepse mosdekretimi i zgjedhjeve në Podujevë përbën shkelje të të drejtave të qytetarëve për të pasur përfaqësuesin e tyre legjitim në komunë dhe kjo e drejtë u është mohuar me muaj të tërë tanimë”, ka pohuar ai.

Çeku ka shprehur bindjen se qeveria Hoti i ka ditët e numëruar dhe se do të ishte mirë që bashkë me zgjedhjet lokale në Podujevë e Mitrovicë të Veriut të mbahen edhe ato qendrore.

”Unë besoj se sa më shpejt duhet të shkojmë në zgjedhje, nuk ka kurrfarë arsye as PDK-ja, po as disa deputetë të tjerë të cilët janë pjesë e partive të pushtetit, por shumë shpesh as nuk i votojnë nismat dhe ligjet që vijnë nga qeveria në kuvend, të mos i japin nënshkrimet. Duhet t’i japim dhe të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme. Sido që ndodh, po besoj se qeveria aktuale i ka ditët e numëruara”, ka thënë ai.

00:13

Çeku: Kemi degraduar shumë me vendimin për shuarjen e Task Forcës Anti-Korrupsion

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka thënë se shfuqizimi i Task-forcës për luftimin e korrupsionit në vend nga Qeveria Hoti, e ka degraduar akoma më shumë këtë qeverisje, duke shtuar se ka praktika të njëjta korruptive nga ajo e PAN-it.

Çeku në Interkativ të KTV-së ka thënë se Qeveria Hoti mund e ka marrë as mundin që ta arsyetojë shfuqizimin e kësaj Task-force.

“Unë kam dëgjuar edhe raportime që kjo Task-forcë i ka hetuar edhe disa anëtarë të kësaj Qeverie dhe atë e ka bërë tash vonë, ky mund të jetë ai motivi për ta shfuqizuar.. Shkarkimet e fundit të kryeministrit disa ditë pas arrestimit të nënkryetarit të LDK-së, dhe pastaj këto veprime të tjera të shfuqizimit të kësaj Task-force, këtu nuk vjen era shtet, as nuk duket si përpjekje për ta rregulluar dhe qeverisur këtë vend. Këtu ka një luftë politike të brendshme, një qërim hesapesh mes grupacioneve politike që qeverisjen e shohin si mjet për t'u kusuritur mes vete dhe për të krijuar favorizime”, ka deklaruar ai.

Deputeti i VV-së ka potencuar se qeverisja aktuale në vend ka të bëjë me një lloj beteje, që sipas tij po zhvillohet mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

“Po flas për një lloj beteje që po duket se po zhvillohet mes LDK-së dhe PDK-së. Është një lloj simbioze e çuditshme e dashurisë së urrejtjes, kështu ka funksionuar gjithmonë PDK-ja dhe LDK-ja mes vete”, ka potencuar ai.

 

00:04

Çeku: Ka edhe zyrtarë të lartë që kanë privatizuar, do të hetohet mënyra e privatizimit

Deputeti i Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ka edhe zyrtarë të lartë që kanë privatizuar, e do të hetohet se si ka shkuar mënyra e privatizimit.

Ai tutje ka përmendur rastin e Ramush Haradinaj, derisa ka thënë Komision Hetimor për privatizimin do të mundohet të shkojë dy hapa tutje në këto hulumtime.

“Nuk do ta përfundojmë këtë punë vetëm me publikimin e informatës se z. Haradinaj paska privatizuar 200 hektarë tokë me njëfarë çmimi të caktuar, kjo nuk mjafton sepse këto informata kanë qenë në publik. Ne do të shkojmë edhe një hap ose dy hapa më tutje për të dokumentuar se si ka mundësi që ka qenë z. Haradinaj e jo z. dikush tjetër në atë moment, dhe e dyta në momentin që është privatizuar çfarë ka ndodh pastaj me ato prona”, ka thënë Çeku.

Ai ka shtuar se shumica e ndërmarrjeve që janë shitur nuk e kanë ruajtur destinimin.

“Ta keni parasysh se këto spinofet speciale ose shitjet me kushte ata kanë qenë të obliguar me e ruajt destinimin. Nëse e shihni sot, këtu nuk mund të jem 100 për qind i saktë në konstatim sepse po merremi me këtë pjesë, po një numër i konsiderueshëm i ndërmarrjeve që janë shitur me kushte ose me spinof special nuk e kanë ruajtur destinimin. Sot janë diçka tjetër, ose komplekse banimi ose qendra tregtare, ose janë shitë e stërshitë që edhe kjo nuk ka qenë e drejtë me kontratë”, ka thënë ai. “Nëse në kontratë e ka pas detyrimin me e ruajtë destinimin, me investuar një shumë të caktuar, me e ruajt një numër të caktuar të punëtorëve, dhe nuk i ka respektuar atëherë ne duhet të konstatojmë, por nuk mjafton vetëm konstatimi, sepse këto shkelje kanë ndodhur në vitet e kaluara”.

Ai ka shtuar se do të shohin edhe kush brenda Agjencisë së Privatizimit e ka pas për detyrë ta bëjë këtë konstatim, edhe e dyta, nëse është bërë ky konstatim nga brenda, pastaj dikush e ka pas për detyrë me u ndërmarrë veprime, çoftë gjoba, shkëputje të kontratës dhe “nëse kjo nuk ka ndodhur i bie që përgjegjësia është edhe brenda, jo vetëm te privatizuesi i cili nuk i ka plotësuar detyrimet e kontratës”.


Presidenti shpalli zgjedhjet nga frika prej Gjykatës Kushtetuese, sipas Çekut

Hajrulla Çeku, deputet i Vetëvendosjes, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet lokale në Podujevë nga frika prej Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij me një prolongim kaq të gjatë, Thaçi i ka bërë favor LDK-së.

“Njëra prej arsyeve se pse e ka prolonguar kaq shumë punën e zgjedhjeve lokale në Podujevë ka qenë njëlloj favori që ia ka bërë LDK-së. Kandidati ynë z. Bulliqi është kandidat favorit për t'i fituar zgjedhjet në Podujevë, të gjithë tashmë e dinë këtë”, ka thënë ai.

Çeku ka shtuar se Vetëvendosje është shumë serioze që të fitojë zgjedhjet në Podujevë, që tash pritet të mbahen më 29 nëntor.

“Edhe ai në deklarimin që e ka pasur sot tha që po vjen dita edhe për Podujevën. Ne garojmë me pretendimin shumë serioz për ta fituar Komunën e Podujevës, por me gjasë për një moment pas favoreve që i bënë LDK-së, presidenti i Kosovës vepron siç ka vepruar gjithmonë, ai e shpëton vetëm lëkurën e tij në dëm të gjithë të tjerëve”, ka thënë Çeku.

23:57

Çeku tregon se qytetarët po e ndihmojnë punën e Komisionit për privatizimin

Deputeti i Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku, tregon se fal bashkëpunimit me qytetarët, në Komision hetimor parlamentar për procesin e privatizimit, janë sjell numër i madh dëshmish, që ai beson se do të çojnë në hartimin e një raporti të mirë për këtë proces.

Ai në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se dëshmitë e qytetarëve, apo edhe të ish-punëtorëve të ndërmarrjeve të privatizuara po vazhdojnë të dorëzohen në komision.

“Janë dhjetëra që kanë sjell dëshmi deri më tash dhe ky interesim ka filluar nga ata. Në momentin që është themeluar ky komision, kemi pa një interesim të jashtëzakonshëm të qytetarëve, po flas për ata që kanë qenë të prekur ose të cilët pretendojnë se të drejtat e tyre u janë shkelur, ose ish-punëtorë të ndërmarrjeve shoqërore, ose konteste pronësore të personave të tjerë. Ne si komision kemi vendosur me hap një dritare ku qytetarët na sjellin dëshmi dhe të bëhen një burim tjetër për punën e hetimit parlamentar. Deri më tash kemi pranuar një numër shumë të madh të dëshmive dhe ato po vazhdojnë”, ka thënë Çeku.

Ai ka treguar se komisioni ku bën pjesë si deputet, po heton raste të mëdha të privatizimit.

“Kur po flasim për raste të mëdha, fjala është për këto privatizime me spin-off special ose me kushte, aty janë ato ndërmarrjet më të mëdha, ato që kur dikush i ka privatizuar ka pasur obligime shtesë në raport me ndërmarrjen, po flas kryesisht për investimet, për punësimin dhe për ruajtjen e destinimit. Ky është vetëm një segment i punës hetimore. Ne nuk po i hetojmë vetëm spin-offët special, ne po merremi edhe me metodat e tjera të cilat ia ka përdorur fillimisht AKM-ja e më pas edhe AKP-ja gjatë këtyre 18-19 vjetëve, po flasim për qiradhënie, për procese të likuidimit, për ato negocime direkte që janë bërë, për ato toka bujqësore, e deri te segmente tjera që shkojnë jashtë mandatit të AKP-së”, ka shtuar ai.

Çeku u shpreh i bindur se në fund do të hartohet një raport i mirë për këtë proces,

“Tash 6 muaj mund të mos jenë mjaft, por unë po besoj që me dinamikën e punës që po zhvillohet aty, me seriozitetin e katër ekspertëve, por edhe ne si anëtarë të komisionit po angazhohemi intensivisht, që më në fund ta prodhojmë një raport të mirë”, ka pohuar deputeti i VV-së.

23:56

Çeku: Kemi mbi 15 mijë dokumente që po i shqyrtojmë rreth privatizimit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka deklaruar se intervistimi në Komisionin hetimor të privatizimit nuk është zgjedhje apo dëshirë. Sipas tij, në momentin kur ndonjë dëshmitar ftohet të japë intervistë, është i obliguar t’i përgjigjet.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se mandati i këtij Komisioni për hetimin e procesit të privatizimit në Kosovë, ka gjashtë muaj kohë, ndërsa janë duke punuar që të kryhet brenda kësaj periudhe.

Çeku ka thënë se deri më tani kanë grumbulluar 15 mijë dokumente që kanë të bëjnë me procesin e privatizimit, në listën e parë kanë 21 persona që duhet dhënë intervistë para Komisionit, 30 për qind e tyre tashmë kanë kryer intervistën, dhe do të përfundojnë në dy javët e ardhshme.

“Mandati i punës së Komisionit është gjashtë muaj, me mundësi vazhdimi por ne jemi fokusuar që ta përmbyllim këtë punë brenda kësaj periudhe, në fazën e parë është miratuar plani i punës, e kemi miratuar listën e dëshmitarëve, grupi i parë i ka 21 dëshmitarë. I kemi angazhuar katër ekspertë të jashtëm që tani janë pjesë e ekipit tonë dhe po na ndihmojnë në shqyrtimin e dokumenteve. Kemi siguruar dokumentacion dhe dëshmi nga AKP-ja, nga Supremja, nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit dhe shumë institucione të tjera. Në posedim për momentin kemi rreth 15 mijë dokumente, janë të gjitha dokumentet e privatizimit të aktgjykimeve të Supremes dhe dokumente të tjera. Do të kërkojmë sërish dokumente por ky është grumbulli i parë, tanimë kemi kaluar në fazën e dytë, kemi filluar me intervistime. Rreth 30% e dëshmitarëve të grupit të parë janë intervistuar, të premten vazhdojmë me intervista të tjera dhe në dy javët e ardhshme përmbyllet grupi i parë, për të vazhduar me grupin e dytë”, ka deklaruar Çeku në KTV.

Deputeti i VV-së ka thënë se pas këtij procesi, do të mbahen seancat e mbyllura ku do shqyrtohen provat dhe dëshmirë në prani vetëm të anëtarëve të Komisionit dhe ekspertëve. Në fund të këtij hetimi, do të publikohet raporti me të gjeturat, ngjarjet kronologjike, dëshmitë dhe rekomandimet.

23:42

Çeku: Beqaj refuzoi të përgjigjet rreth privatizimit të KEDS-it

Deputeti i Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Besim Beqaj ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet rreth privatizimit të KEDS-it.

Ai thotë se arsyetimi i Beqajt për mos përgjigje konkrete ishte se është në proces gjyqësor.

“Kjo është faza e dytë e hetimeve të Komisionit. Sot ishte Beqaj e kishte radhën. Beqaj nuk ishte bashkëpunues sa duhet sepse përgjigjet i kishte të përgjithshme dhe jo shumë konkrete sepse pyetjet ishin shumë konkrete”, ka thënë ai.

"Ndërsa në lidhje me pyetjet për privatizimin e KEDS-it ai e përdori një arsyetim që sipas meje është i paqëndrueshëm, por kjo mbetet të shqyrtohet në zyrën Ligjore të Kuvendit. Shumë shpejt do ta procedojë këtë kërkesë për interpretim ligjor nëse ai kishte të drejtë të refuzonte mbi atë bazë që refuzoi”, ka thënë Çeku.

Çeku ka treguar se, “ai (Beqaj) tha se ekziston një proces gjyqësor që është ngritur kundër tij dhe të tjerëve në lidhje me një segment të privatizimit të KEDS-it”.

Ai ka sqaruar se kjo është në lidhje me faljen e hidrocentraleve, si pjesë e kontratës për privatizimin e KEDS-it.

“Ajo aktakuzë merret vetëm me çështjen hidrocentraleve që ka qenë pjesë e marrëveshjes për privatizimin e KEDS-it. Ndërsa pyetjet e anëtarëve të Komisionit ishin për privatizimin e KEDS-it e jo për hidrocentralit”, ka thënë Çeku.

Shumë shpejt sipas tij do të ketë një opinion ligjor të Kuvendit për refuzimin për t’u përgjigjur.