6 perditesime
21:40

Selimi: Grupi punues për vetting deri më 31 tetor pritet të dalë me raport

Deri më 31 tetor pritet që Grupi punues për vettingun të dalë me një raport, ka thënë ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, në emisionin Desku në KTV.

Ai thotë se anëtarë të këtij grupi janë të gjitha institucionet e drejtësisë.

“KPK, KGJ, kemi Policinë, AKI-në, shoqërinë civile që janë 5-6 anëtarë, kemi ambasadat, SHBA-ja, BE-ja, EULEX-i, ambasada e Italisë, Britanisë. Këta janë vëzhgues dhe ndihmues të procesit. Ky proces udhëhiqet nga një anëtar i shoqërisë civile z. Florent Spahija i cili është duke treguar një lidership të jashtëzakonshëm në organizim të punës”, ka thënë Selimi.

Ai ka shtuar se përfshirja ka bërë të përmirësohen në menaxhim, sepse sa më shumë anëtarë që ka pasur kanë dalë disa çështje të menaxhimit. Spahija i ka ndarë grupet dhe nëngrupet të cilët janë duke punuar në fusha.

Selimi ka thënë se është pro vazhdimit të afatit edhe për një muaj nëse nuk arrihet që raporti të dorëzohet më 31 tetor.

“Afatin e kanë 31 tetor, që është pak ambicioz, por nëse grupi punues do një zgjatje të afatit unë do të jem për. Shpresoj se do ta kemi raportin deri më 31 tetor, nëse jo atëherë do t'i përkrahi që do t'i jepet një afat shtesë prej një muaji. Shumë shpejt do t'i kemi skenarët”, ka thënë Selimi.

21:38

Selimi: Hetimet për krimet e luftës u dëmtuan për shkak të një gabimi teknik

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, thotë se po punohet për një Kod të ri të Procedurës Penale, i cili do të jetë më i thjeshtë do të ofrojë më pak hapësirë për ata që kanë kryer krime gjatë luftës.

Selimi në Deskun e KOHËS po ashtu tha se falë një gabimi, Prokuroria Speciale nuk ka arritur të hetojë krimet e luftës.

“Nën 1, ne nuk e kemi pasur legjislacionin e domosdoshëm për të ndjekur dhe për të gjykuar në mungesë, këtë gjë jemi duke e bërë tash. E kam tërheq Kodin e Procedurës Penale nga qeveria. Gjithashtu është një ligj, i cili është bërë prej deputeteve, e i cili ka shkaktuar pengesa për ndjekjen në mungesë, edhe ato po e inkorporojmë në procedurë penale. Pikë së pari është bërë një gabim teknik në ligj, i është referuar një neni i cili pamundëson Prokurorisë Speciale ndjekjen. Janë disa pengesa tjera që i paraqesin disa afate derisa të përmbushën kushtet për ndjekje, këto do të thjeshtësohen në Kodin e ri të Procedurës Penale. Posa ta kemi Kodin e Procedurës Penale, ne do të kemi mundësi që t'i ndjekim krejt ata që janë të lirë në Serbi, kriminelë të luftës që ne i dimë me emra e me mbiemra”, tha Selimi.

21:24

Selimi arsyeton mbajtjen fshehtë të shpenzimeve për të akuzuarit e Speciales

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, në emisionin Desku në KTV ka thënë se është pozitive mos tregimi i shpenzimeve për të akuzuarit nga Specialja.

KOHA sot ka raportuar se për vitet 2018 dhe 2019 janë shpenzuar 1 milion euro për të akuzuarit nga Specialja, derisa nuk bëhet e ditur se sa për kënd janë ndarë.

Sipas Selimit ky vendim është i mirë pasi pikë së pari mbrohet gjykata edhe mbrohet i akuzuari potencial apo pala e cila ka relacion me atë gjykatë.

“Mbrohet relacioni avokat-klient, që është relacion i shenjtë. Mjetet financiare të ndara janë mjete të cilat ne i kemi për obligim t'ia tregojmë publikut se sa janë ndarë dhe sa po harxhohen. Ne e dimë prezumimin e pafajësisë. Duhet të mbrohet Gjykata, dhe duhet të mbrohet relacioni i privilegjuar avokat-klient. Këto duhet t'i mbrojmë", ka thënë Selimi.

Selimi thekson se për shkak të këtyre relacioneve shumë komplekse duhet të kenë kujdes që të mos e dëmtojmë as Gjykatën as të akuzuarin.

“Ky vendim i bën këto të nivelit të klasifikuar top sekret. Për ta pasur qasje në nivelin top sekret duhet të bëhet 'kontroll i prapaskenës' nga AKI-ja. Zyrtarët të cilët punojnë në atë divizion disa prej tyre e kanë kryer, disa janë në proces të certifikimit nga institucionet relevante për qasje në dokumente top sekrete”, ka thënë ai.

20:58

Selimi: Raporti i Progresit jo gjithmonë jep të dhëna objektive

Në Raportin e progresit për Kosovën përmendet fare pak fjala progres, por ky sipas ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, nuk paraqet gjendjen faktike.

Selimi i ftuar në emisioni Desku, tha se Raporti i Progresit jodomosdoshmërisht ka të dhëna të sakta.

“Unë mendoj, është qëndrimi imi personal, se Raporti i progresit është një agregues i disa të dhënave, i cili jo domosdoshmërisht ka të dhëna objektive. Ne shumë shpesh jemi kritikuar për shumë çështje, por pastaj kur kemi pasur delegacione, për shembull ai i Gjermanisë për liberalizim të vizave, kemi dal të vlerësuar si superiorë, edhe me teknologjinë tonë të prodhimit, edhe me 95 kushtet, etj. Mendoj që Raporti i progresit është i rëndësishëm për t’u përmirësuar, por shumë shpesh shfrytëzohet për tejzgjatje të procedurave të Brukselit”, tha Selimi.

Gjithsesi, ai shtoi se ka marrë detyra nga Qeveria që t’i adresojë kritikat dhe vërejtjet në Raport.

“Ne kemi marrë instruksionet nga kryeministri dhe qeveria që t'i adresojmë në fushat përkatëse. Me Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor jemi duke u koordinuar që t'i adresojmë ato rekomandime që i kemi aty”, pohuar Selimi.

20:46

Selimi: SHBA-ja është tërhequr nga përzgjedhja në KPK, por jo edhe nga përkrahja

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se teneqja e SHBA-së nga procesi i monitorimit të zgjedhjes së kryeprokurorëve dhe anëtareve të KPK, është shqetësues. Porse ka shtuar se SHBA-ja qëndron fuqishëm në përkrahjen e sistemit të drejtësisë.

Ai tutje ka thënë se lajmin e ka marrë me shqetësim, duke shtuar se duhet reflektuar.

“Unë deklaratën që e ka postuar Ambasada Amerikane e kam marr me shqetësim. Procesi ka pasur të bëjë me përzgjedhjen e prokurorëve në këtë proces. Edhe kur një partner i yni strategjik që ka investuar shumë në sistemin tonë të drejtësisë e në të cilin ka hise aq sa kemi ne, dhe kur e lëshon një deklaratë të tillë, ne duhet të reflektojmë. Këshilli Prokurorial ka reflektuar, amerikanët janë tërhequr nga përzgjedhja në KPK por jo nga përkrahja”, ka thënë ai.

20:44

Selimi: Ka hapësirë të fuqizojmë një institucion kundër korrupsionit që merret me profile të larta

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, në emisionin Desku në KTV ka thënë se ka hapësirë që të fuqizohet një institucion që të merret me çështjet e korrupsionit në rastet e profileve të larta.

Ai ka thënë se rishikimi funksional i ka nxjerrë të gjeturat e veta, me ç’rast iu kanë dhënë mbi 420 rekomandime.

“Këto rekomandime kanë të bëjnë me të gjitha institucionet e sundimit të ligjit. Jemi duke e bërë strategjinë e cila do të jetë gati shumë shpejt. Disa prej këtyre rekomandimeve janë fitore të hershme, pra, mund të kryhen shpejtë, e disa prej tyre nevojitet më shumë kohë. Procesi ka qenë deduktiv. Mendoj se janë rekomandime të mira, duhet të mobilizohemi të gjithë që t'i forcojmë”, ka thënë Selimi. “Kemi hapësirë ende që t'i reflektojmë të gjeturat e rishikimit funksional. Kemi hapësirë të mjaftueshme që ta fuqizojmë një institucion ose shumë institucione që merren me çështjen me rastet e profilit të lartë, apo fenomeneve që lidhen me vepra penale të korrupsionit”.

Ai ka shtuar se, “gatishmëria e kryeministrit Hoti dhe ministrit Veliu na jep hapësirë të mjaftueshme që t'i reflektojmë ato të gjetura të rishikimit funksional për këtë çështje. Arsyeja e abstenimit tim gjithashtu lidhet edhe me këto të gjetura”.

20:25

Selimi: Para shuarjes së Task-forcës Antikorrupsion do të duhej ta kishim një plan

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se para shuarjes së Task-forcës për luftimin e korrupsionit, është dashur të ketë një plan të lëndëve e koordinimi.

Ai në DESKU-n e Kohës ka thënë se nuk është kundër një formule të re për të përmirësuar performancën e sistemit të drejtësisë, porse sipas tij, kjo duhet të ketë një plan.

“Unë nuk jam kundër ndryshmeve, riformatizimeve, nuk jam kundër provës së një formule të re për të përmirësuar performancën tonë në antikorrupsion e sundim të ligjit dhe krimit të organizuar. Unë i kam shpreh shqetësimet e mia, sepse neve na duhet një plan. Unë mendoj që ne para se me hy në shuarje ne është dashur ta kemi një plan të lëndëve, të koordinimit. Ne kemi nevojë t’i kemi institucionet e forta, Prokurorisë Speciale e Policisë në mënyrë që të funksionojë sistemi”, ka thënë ai.

Selimi ka shtuar se duhet të ketë plan për sigurinë juridike.