2 perditesime
14:12

Një muaj paraburgim zyrtarit të dyshuar për 2 mln € e zhdukur në Thesarin e Kosovës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Labinot Grudës, për shkak të veprës penale "Keqpërdorimi i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës". 

Të pandehurit Labinot Gruda, i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji duke filluar prej datës 21 tetor 2020 gjerë me datë 20 nëntor 2020.

“Gjyqtari e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës gjeti se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit është e bazuar dhe paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së. Të pandehurit L.G. i është caktuar masa e paraburgimit, pasi që i njëjti mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe në këtë mënyrë do të jetë i paarritshëm për organet e drejtësisë, mund të pengojë rrjedhjen e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitar dhe bashkëpjesëmarrës tjerë, andaj caktimi i masës së paraburgimit për të pandehurin L.G. është masë adekuate për sigurimin e pranisë së tij në procedurë penale”, thuhet në njoftim.

Tutje, theksohet se i pandehuri L.G. dyshohet se me datë 09 tetor 2020 në cilësinë e personit zyrtar ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke realizuar transaksione në vlerë prej 2,077,995.90 euro në adresë të një kompanie, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumë prej 2,077,995.90 euro dhe me këtë dyshohet se ka kryer veprën penale "Keqpërdorimi i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës".

12:24

Përfundon seanca ndaj zyrtarit të Thesarit, pas pak pritet vendimi

Ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj Labinot Grudës, të dyshuarit për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Lajmin për KOHËN e konfirmoi Mirlinda Gashi, zëdhënëse nga Gjykata Themelore.

“Sapo ka përfunduar gjykimi ndaj tij. Së shpejti pritet të dalë edhe një vendim”, tha Gashi.

11:30

Kërkohet paraburgim për zyrtarin e dyshuar për vjedhjen e mbi 2 mln eurove

Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka kërkuar paraburgim prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit Labinot Gruda, zyrtar financiar në Departamentin e Thesarit të Shtetit, lidhur me vjedhjen e 2 milionë eurove.

Laureta Ulaj, zëdhënëse në Themelore, konfirmoi për KOHËN se kërkesën veçse e kanë paraqitur.

“Prokuroria kërkoi paraburgimin e të arrestuarit L.G. Është paraqitur kërkesa për paraburgim prej 30 ditësh. Mbetet vendimi te gjykata pasi të përfundojë gjykimi”, tha ajo.

KOHA ka kontaktuar edhe Mirlinda Gashin, zëdhënëse në Gjykatën Themelore por ende nuk ka marrë një përgjigje.

Gruda u parapa të dalë para gjykatës në orën 11:00.

KOHA raportoi të mërkurën për zhdukjen e 2 milionë e 77 mijë eurove.

Dyshimet e para janë se vjedhja është kryer përmes sistemit elektronik për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin (SMFK). Janë bërë 4 pagesa në emër të tri projekteve rrugore. 2 milionë e 77 mijë euro nga Thesari i Shtetit janë transferuar në xhirollogarinë e kompanisë me emrin “LDA Group”.

Labinot Gruda, zyrtar financiar tash e 11 vjet në Departamentin e Thesarit, nga fshati Komoran i Drenasit, është arrestuar të martën. Ai besohet se ishte i afërt me PDK-në dhe ka qenë drejtor në Komunën e Drenasit, gjatë qeverisjes së Ramiz Lladrovcit, por për arsye personale ka dhënë dorëheqje.