1 perditesime
12:46

Haradinaj paralajmëron vizitë në Izrael

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka paralajmëruar vizitë në Izrael.

Ajo para deputetëve ka thënë se që nga marrëveshja në Washington ka pasur zhvillime të përditshme në trekëndëshin SHBA, Izrael dhe Kosovë.

“Ma shumë nuk mundem me jap informata por e di që shumë shpejt do e kem një vizitë në Izrael. Ne po presim që të finalizojmë një draft të përbashkët të vendosjes finale mes dy shteteve. Kjo është forma që kemi zgjedh e jemi duke punuar. Vizita në Izrael pritet të ndodh gjatë vitit të ardhshëm”, ka thënë ajo.

Ministrja e Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj është përplasur me deputetin e LDK-së Faton Bislimi.

E gjitha nisi pasi deputeti Bislimi kërkoi sqarime nga ministra lidhur me vizitën në Amerikë dhe takimin me diasporën atje për të cilën tha se ka pasur qasje selektive ndaj saj.

Në përgjigjen e saj ministrja Haradinaj ka thënë se nuk i ka njohur personalisht personat me të cilët është takuar dhe se nuk është nder për deputetin që të jetë "arbitër i historisë" lidhur me çështjen e senatorit Bob Dole.

Ndaj sqarimeve të ministres ka reaguar deputeti Bislimi i cili ka thënë se është fatkeqësi që ministra nuk i njeh komunitetin shqiptaro amerikan. Bislimi ka kërkuar nga ministrja Haradinaj që të mos i ndërhy në fjalën e tij duke thënë që "unë jam në shtëpi këtu".

12:24

Deputetët e VV-së braktisin mbledhjen ku po raporton ministrja Haradinaj

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu dhe Gazmend Gjyshinca janë larguar nga takimi i komisionit për Integrim Evropian.

Deputetja Arbëreshë Kryeziu në fillim të mbledhjes ka thënë që nuk e shohin të arsyeshme raportimin e ministres së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj – Stublla, në një komision si ky i integrimit evropian e të raportojë për procesin e liberalizimit të vizave. Sipas Kryeziut, raportimi i ministres Haradinaj është thirrur pa aprovimin e komisionit.

Kjo ka nxitur reagimin e deputetes së PDK-së Blerta Deliu, e cila ka thënë se ka qenë ajo që e ka ftuar ministren për raportim dhe se një gjë e tillë është në fushë-veprimtarinë e komisionit.

“E kuptoj sjelljen e deputetëve të LVV-së, ndjej keqardhje për sjellje të tilla. Siç e dini, nuk kemi ministri të Integrimit Evropian, por kjo nuk do të thotë që kjo qeveri nuk e ka në agjendë një proces të tillë”, ka thënë Haradinaj - Stublla.

Haradinaj tutje ka folur edhe për liberalizimin e vizave. Ajo ka thënë se shumica e vendeve e përkrahin liberalizimin duke shtuar se në bazë të dhënave empirike Kosova nuk paraqet rrezik për këtë proces.

“Mund të them që shumica janë përkrahëse e përkrahin jo vetëm zgjerimin e vendeve të Ballkanit por edhe sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Në bazë të dhënave empirike Kosova nuk paraqet rrezik liberalizimi i vizave do të ndihmonte shkëmbimin mes shteteve. Kjo i prek më shumë studentët komunitetin e bizneseve e qytetarët. Kjo është një padrejtësi që i është bërë Kosovës qe një kohë shumë të gjatë. Njëjtë si me liberalizimin është pak a shumë e njëjta situatë edhe më çështjen e shteteve që nuk e njohin Kosovën”, ka thënë ajo.

Duke folur për moratoriumin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ajo ka thënë se duhet planifikim më i thukët dhe i saktë.

Ajo ka thënë se janë duke punuar me të gjitha institucionet sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Duhet një planifikim më i thukët dhe më i saktë sa i përket anëtarësimeve e normalisht që pa lirinë e lëvizjes nuk besoj që kishim me pas shanse reale për me u anëtarësua. Ministria është duke u përgatit me shfrytëzu vitin që sa ekziston moratoriumi për me qenë gati nëse kalon pandemia. Anëtarësimi nuk mundet me u bo në mënyrë virtuale. Të jemi të sigurt që jemi duke punu saktë me të gjitha institucionet e tjera sa i përket anëtarësimit(për organizata ndërkombëtare)”, ka thënë Haradinaj.