2 perditesime
15:11

Vjedhja në AUV dyshohet se u krye nga pjesa e pasme e objektit

Drejtori ekzekutiv i AUV-it, Naser Krasniqi ka thënë se ka pasur ndërhyrje të paautorizuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë. Ai tutje ka shtuar se dyshohet se dikush ka hyrë nga pjesa e prapme e objektit, pasiqë sipas tij, para objektit kanë qenë sigurimi i policisë.

Ai ka thënë se me rastin është duke u marrë Policia.

“Unë e konfirmoj që në AUV ka pasur ndërhyrje mbrëmë, ka ndodhur një hyrje e paautorizuar rreth orës 00:00-04:00”, ka thënë ai.

 

13:40

Policia del nga objekti i AUV-it ku u vodh kasaforta

Policia e Kosovës e cila ishte duke kryer hetime brenda objektit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, ka dalë nga aty.

KOHA po qëndron në vendin e ngjarjes.

Më herët KOHA raportoi ekskluzivisht nga burimet se një vjedhje e një kasaforte ka ndodhur dje në këtë institucion.

12:32

Vjedhje edhe në AUV, grabitet kasaforta

Në ditën e njëjtë kur është zbuluar skandali i vjedhjes së mbi 2 milionë eurove në Thesarin e shtetit, një tjetër vjedhje ka ndodhur në institucionet e Kosovës.

Burime të KOHË-s njoftojnë se një vjedhje ka ndodhur edhe në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ku është marrë kasaforta.

“Ende nuk dihet se çfarë ka pasur në brendësi të arkës. Rasti është hapur në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, ka thënë burimi i KOHËS.

Burimi ka thënë se ngjarja ka ndodhur dje dhe ende nuk ka shumë informata lidhur me këtë rast.

Nga AUV-i nuk janë përgjigjur për këtë rast.

Ndërkaq rastin për KOHËN e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, derisa është bërë e ditur se njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke kryer hetime për rastin.

“Me datë 22.10.2020. në ora 08:05, ne Policinë e Kosovës është raportuar se në një objekt në Fushë Kosovë është kryer një vjedhje. Njësitet kompetente policore kanë dal në vendin e ngjarjes dhe janë duke kryer hetime për rastin”, thuhet në përgjigje.