4 perditesime
16:49

Lajçak: Dialogu të jetë mbi politikat ditore

Emisari special i BE-së, Mirosllav Lajçak, ka thënë se procesi i dialogut duhet të jetë mbi politikat ditore në dy vendet, si Kosovë ashtu edhe Serbi. Ai ka thënë se ky proces është mjaft i vështirë dhe sfidues por se shpreson se në fund do t’ia dalin.

“Është evidente se jemi aktorë në një proces masiv dhe shumë të rëndësishëm, proces sfidues dhe i vështirë. Duhet të jemi të vëmendshëm për këtë. Është proces që kërkon kompromis. Nuk mund të fitojë njëra palë e të humbas tjetra. Nuk do të shkojë ashtu. Po ashtu nuk bën të instrumentalizohet për politika ditore. Mesazhi im është që dialogu të jetë sipër politikave ditore. Ka shumë çështje që duhet të adresohen, por duhet të kemi mirëkuptim nga publiku, përkrahje nga komuniteti ndërkombëtar, nga BE-ja fillimisht dhe nga miqtë tanë në SHBA. Po ashtu përkushtim nga partnerët tanë dhe këtë e shoh te presidenti Vuçiq dhe kryeministri Hoti. Kjo është çasja e vetme e duhur. Është proces që sjellë një paqe të qëndrueshme dhe normalizim të marrëdhënie e po ashtu prosperitet për njerëzit e të ardhme evropiane. Unë shpresoj që do t’ia dalim me sukses, pasi është në interes të gjithë qytetarëve si në Serbi ashtu edhe në Kosovë”, ka deklaruar Lajçak në Forumin e Sigurisë Beograd 2020.

16:41

Hoti: Jemi të përkushtuar për një zgjidhje sistematike e jo kreative

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka thënë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se palët në Bruksel nuk janë duke negociuar për një marrëveshje tregtie për të vendosur kështu korniza se kush çfarë fiton.

Ai i është përgjigjur Vuçiqit, pasi ai ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje nëse Serbia humbet gjithçka e Kosova fiton çdo gjë. Ai ka thënë se duhet të dalin të kënaqura të dyja palët.

“Duhet të jemi të qartë se nuk jemi duke negociuar marrëveshje tregtare mes dy shteteve tona. Kur je duke negociuar një marrëveshje tregtare atëherë mund të vendosësh një kornizë se çfarë fiton e çfarë humbet njëra palë apo tjetra. Por ne po punojmë drejt një marrëveshje paqësore, normalizim të plotë mes dy shtete. Nuk duhet të vëmë korniza në diuskutim se çfarë Serbia po fiton apo humb, apo çfarë Kosova po fiton apo humb. Me rëndësi të shihet realiteti. Atë se çfarë dy shtetet do të fitojnë është një ambient paqësor, duke jetuar bashkë, normalizim i marrëdhënieve, të bëhet e mundur që qytetarët të lëvizin lirshëm, bizneset tona të bëjnë tregti me kushte të barabarta”, ka thënë Hoti në Forum.

Hoti ka thënë se kanë shumë çështje për t’iu adresuar nga e kaluara, e kryesorja është ajo e personave të zhdukur. Por se prapë janë të gatshëm të ulen në tavolinë të dialogut

“Të mos diskutojmë se çfarë do të humbas Serbia apo çfarë do të fitojë. Të pranohet realiteti. Po ashtu të pranohen disa çështje nga e kaluara për të qenë në gjendje të ecim para, për të ndërtuar të ardhme paqësore përgjithmonë, jo zgjidhje të përkohshme, por të përhershme mes dy vendeve”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se Kosova është e përkushtuar ndaj procesit të dialogut dhe do të qëndrojë e tillë. Dhe se janë për një zgjidhje sistematike e jo kreative. 

“Të sigurohemi që ky proces të qëndrojë në parimet e qarta mbi të cilat filloi dialogu në korrik. Jemi të angazhuar për të arritur këtë normalizim të plotë në parimet e gjetjes së një zgjidhje sistematike, e jo kreative, por sistematike, bazuar në parime të qarta, që të sigurohet që këto dy shtete të arrijnë marrëveshje që të respektojnë realitetin dhe të sigurohet perspektivë e qartë evropiane për të dy palët”, ka thënë Hoti.

16:09

Vuçiq: Kosova e ka marrë obligim ta formojë Asociacionin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë në Forumin e Sigurisë Beograd 2020, se Serbia nuk ka nevojë për njohje nga Kosova, pasi atë e njeh e gjithë bota.

Ai po ashtu ka shtuar se Kosova ka nënshkruar në Bruksel marrëveshjen për të formuar Asociacionin dhe e ka obligim atë.

“Për të ndërtuar besim duhet respekt i ndërsjellë. Nëse e mohoni se ekziston kushtetuta e Serbisë, rezoluta 1244, atëherë çfarë konkluzione mund të arrijmë. S’kemi nevojë për njohjen tuaj, ne na njeh e gjithë bota. Duhet mirëkuptim për arritjen e marrëveshjes. Thoni se nuk e themelojmë Asociacionin pa na njoftë Serbia, por është nënshkruar marrëveshja në Bruksel, keni marrë obligime. Po flasim për kompromis apo më shumë presion mbi Serbinë. Nëse doni zgjidhje kompromisi dhe të suksesshme të dyja palët duhet të jenë të kënaqura. Jam i hapur për t’i diskutuar të gjitha çështjet”, ka deklaruar Vuçiq.

15:50

Hoti në Forumin e Sigurisë Beograd 2020: Dialogu, mekanizimi kyç për normalizim të marrëdhënieve

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se dialogu është mekanizimi kyç për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Ai është panelist në ngjarjen e sotme të Forumit të Sigurisë Beograd 2020, që po mbahet online, së bashku edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Hoti në fjalimin e tij tha se politika e Kosovës është e bazuar në fqinjësi të mirë.

“Ka arritje të mëdha në rajon. Rritja e shkëmbimeve ka ndodhur. Politika jonë është e bazuar në fqinjësi të mirë, për këtë duhet punuar bashkë duke adresuar të gjitha çështjet. Ne kontribuojmë për siguri në rajon. Nuk jemi në vijë kufitare me BE-në, por besojmë në të ardhmen, integrimin. Jemi duke forcuar marrëdhëniet me të gjithë fqinjët, përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Çështjet që janë të ndërlidhura me sigurinë mund të adresohen vetëm bashkërisht. Sa i përket dialogut, është mekanizmi kyç për normalizimin e marrëdhënieve. Marrëveshja në Washingyon ishte arritje e madhe. Tani Kosova është gati për marrëveshjen finale dhe po punojmë për të”, ka thënë Hoti në fjalën e tij.

Forumi i Sigurisë në Beograd, ka nisur më 6 tetor, derisa sot për temë kishte dialogun Kosovë – Serbi.

Ky është edicioni i dhjetë i këtij Forumi.

14:10

Sot në Forumin e Sigurisë në Beograd, temë: dialogu Kosovë – Serbi

Në kuadër të Forumit të Sigurisë në Beograd, që ka nisur më 6 tetor, sot do të diskutohet për dialogun Kosovë – Serbi. Ngjarja e sotme do të nisë në orën 15:15.

Mes panelistëve do të jenë edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Diskutimi do të zhvillohet online për shkak të pandemisë COVID-19.

Ky është edicioni i dhjetë i këtij Forumi.