9 perditesime
21:41

Demi: Çdo vit institucionet e Kosovës shpenzojnë në procedura joligjore rreth 100 milionë euro

Agron Demi i Institutit GAP ka thënë se çdo vit institucionet e Kosovës shpenzojnë në procedura jo të rregullta apo joligjore rreth 100 milionë euro nga buxheti i shtetit.

“Edhe studimet e Transparency International tregojnë që korrupsioni ul investimet e huaja direkte e kjo ndikon në ekonomi. Në vitin 2015 i kemi nxjerrë të gjitha i kemi kuantifikuar raportet e zyrës së auditorit gjeneral, për vitin 2013 dhe 2014. Pasi ajo çfarë ndodh është se çdo vit raportohet në media se u keqpërdorën 200 mijë euro në këtë ministri, 50 mijë në këtë komunë. Kemi dashur të shohim brenda një viti sa milionë euro keqshpenzohen e identifikohen prej zyrës së Audotirit Gjeneral. Na ka dalë që në vitin 2013 janë keqshpenzuar 110 milionë euro, atë 2014 115 milionë. Do të thotë 14 për qind e shumës së audituar. Auditori gjeneral i auditon 800 milionë euro në vjet apo 900 milionë euro në kontrata. Në ato kontrata të audituara shuma e keqpërdorimeve apo shpenzimeve pa mbulesë është rreth 115 milionë euro, pra14 për qind të buxhetit. Çdo vit institucionet e Kosovës, komunat, ministritë, agjencionet e pavarura, ndërmarrjet publike shpenzojnë në procedura jo të rregullta apo jo ligjore rreth 100 milionë euro të buxhetit të shtetit apo para të taksapaguesëve. Ndikon kjo pasi ato mund të investoheshin në projekte të ndryshme. Por vet përceptimi se një vend është kaq shumë i korruptuar dërgon sinjale tek investitorët që nuk ia vlenë të investohet në këtë vend. I përmendëm disa raste që janë në arbitrazh biznese ndërkombëtare që janë duke e paditur Kosovën. Ka qenë reportazhi i Kohës Ditore para disa javëve, ku janë apo kanë përfunduar rreth 300 milionë euro procese”, ka thënë Demi për “DESKU” në KTV.

21:38

Demi: Shuarja e Task-Forcës Antikorrupsion mund të jetë hakmarrje e kryeministrit

Agron Demi nga Instituti GAP ka thënë se shuarja e Task Forcës kundër korrupsionit mund të jetë hakmarrje e kryeministrit, Avdullah Hoti.

“Vet ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, e shpjegoi mirë se mbyllja apo shuarja e kësaj Task Force ka qenë gabim pa pasur një plan tjetër se me çfarë duhet të zëvendësohet. Edhe më shqetësuese është se vet z. Hoti ka qenë i intervistuar si dëshmitarë në rastin e 53 milionë eurove për Bechtel Enkan që tregon se ndoshta është një hakmarrje personale dhe politike e Qeverisë Hoti dhe anëtarëve të kabinetit të tij”, ka thënë Demi në emisionin Desku në KTV.

Demi tutje ka shtuar se Hoti ndoshta është vetëm marionetë e njerëzve brenda partisë së tij.

“Edhe Raporti i Progresit edhe një Raport i EULEX-it patën fjalë të mira për Task Forcën edhe mbyllja e saj prej kryeministrit Hoti si një person i cili është treguar në publik se është kundër praktikave korruptive dhe kundër keqpërdorimeve në buxhet është mjaft shqetësuese për shkak se tregon që z. Hoti ndoshta është vetëm një marionetë e njerëzve brenda partisë së tij edhe anëtarëve të koalicionit të cilët kanë bërë presion që kjo të mbyllet për shkak të hetimeve që kanë qenë në vazhdim e sipër”, ka thënë Demi.

21:23

Demi: Shpresoj në fitoren e Bidenit, por s’besoj se do të ketë ndryshim të madh

Agron Demi i Institutit GAP ka treguar se ai vet shpreson që Joe Biden t’i fitojë zgjedhjet presidenciale në SHBA më 3 nëntor. Por Demi nuk beson se do të ketë ndonjë dallim të madh.

“Kosovarët e kanë pothuajse të qartë se kush do të duhej të fitonte në zgjedhjet e ardhshme amerikane, kanë një qëndrim paraprak, përfshirë këtu edhe mua. Shpresoj që Bideni do të fitojë, s’besoj se do të ketë ndryshim të madh të qasjes ndaj Kosovës. Kjo pasi që siç e përmenda edhe në kohën kur Joe Biden ishte zv/president e Hillary Clinton sekretare e Departamentit të Shtetit, qëndrimet për Asociacionin dhe kompromise të reja janë dhënë që nga atëherë. Nuk pres që të ketë prapakthim nga ajo që vet Qeveria e Kosovës e ka pranuar deri më tash. As Bideni e as kushdo tjetër nuk do të jetë më patriot sesa vet politikanët e Kosovës, nuk do të mbrojë interesat e Kosovës më shumë se vet politikanët tanë. Këta kanë pranuar ato marrëveshje që kanë arritur deri më tash. Por, Bideni ka qenë mbështetës i hershëm i pavarësisë së Kosovës dhe të drejtat e shqiptarëve. Ajo që ishte më befasuese në letrën e kampit Biden – Harris, ishte se Kosova e Shqipëria janë me një letër, si komunitet shqiptar e jo si dy shtete të ndara”, ka thënë Demi për “DESKU” në KTV.

21:19

“Në momentin që ndryshohet Kushtetuta, preken parimet e Pakos së Ahtisaarit”

Analisti Agron Demi ka thënë se deklaratat e fundit, që përfshijnë atë të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për ndryshim të Kushtetutës për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, janë shqetësuese.

Ai në DESKU të KTV-së tha se me ndryshimin e Kushtetutës, preken parimet e Pakos së Ahtisarit.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka bërë të qartë që marrëveshja për Asociacionin e cila është arritë në Bruksel është jokushtetuese. Janë goxha shqetësuese thirrjet për me ndryshu Kushtetutën për ta akomoduar këtë marrëveshje apo krijimin e Asociacionit sepse në momentin që hapet Kushtetuta, nënkupton se ne kemi kalu ato parime për të cilat ne jemi dakordu në Pakon e Ahtisaarit. Sado që ka kritika për pakon e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Kosovës, ajo që po paralajmërohet, një hapje e re e Kushtetutës për ta akomoduar Asociacionin, është shumë më shqetësuese sesa Kushtetuta aktuale me gjithë ato kufizime sa i përket vendimmarrjes në Kuvend dhe në zonat e vogla të cilat janë në shumë pjesë të Kosovës”, tha ai.

Nëse kjo shkon përpara, Demi thotë se “do të ketë bllokadë më të madhe të vendimmarrjes në Kosovë dhe kriza shumë më të mëdha sepse po krijohet një nivel i ri i vendimmarrjes në Kosovë, në një nivel të tretë, i cili vetëm do ta vështirësojë vendimmarrjen dhe sidomos llogaridhënien në ato pjesë të territorit ku ka shumicë të banuar me popullsi që nuk e pranon fare shtetësinë e Kosovës”.

 

21:10

Demi: Shumica e pikave të Marrëveshjes së Washingtonit kanë qenë të dakorduara më herët

Agron Demi ka thënë se nuk ka pasur ndonjë befasi nga Marrëveshja e Washingtonit, pasi shumica e pikave kanë qenë të dakorduara më herët.

“Mendoj se është bërë shumë zhurmë për asgjë puna e Marrëveshjes së Washingtonit për shkak se shumica e pikave që janë pjesë e asaj marrëveshje kanë qenë veçse të dakorduara në procese të ndryshme, qoftë në negociatat e Brukselit, qoftë në procesin e Berlinit. Investimet në hekurudhë, në autostrada, kanë qenë pjesë e procesit të Berlinit tani e shumë vite. Problem tjetër është që Bashkimi Evropian ka qenë i paaftë që t'i shtyjë përpara këto projekte të dakorduara. Andaj shumica e pikave që janë aty nuk kanë qenë befasi për askënd në Kosovë”, ka thënë Demi në emisionin Desku në KTV.

Megjithatë, ai thotë se ndoshta befasia e vetme është se nuk është marrëveshje me rezultat shumë negativ.

“Ndoshta befasi që ka qenë është se shumëkush ndoshta ka pritë një rezultat shumë më negativ për shkak të vet sjelljes së presidentit Trump në marrëdhënie ndërkombëtare, i cili është dëshmuar në shumë raportime që relacioni i tij, apo qëndrimi i tij sa i përket vendeve jashtë SHBA-së bazohet kryesisht në pikëpamje egoiste se çfarë do të përfitojë Amerika prej çfarëdo marrëveshje që bëhet”, thotë ai.

21:07

Demi: Duhet të rriten kompetencat e kryeministrit, të mos varet nga partitë e vogla

Agron Demi nga Instituti GAP për DESKU-n në KTV ka thënë se është për rritjen e kompetencave të kryeministrit e po ashtu edhe të partive të mëdha, pasi sipas tij partitë e vogla kur po hynë në pushtet po hynë vetëm për të shkëputur ndonjë hise.

“Është kufizimi kushtetues që e kemi, pasi Kosova është Republikë parlamentare dhe ndoshta nuk mund të bëhet ndryshim si në nivel lokal. Do të duhej të gjenden modalitete që i japin përgjegjësi shumë më të mëdha kryeministrit, e që nuk do të duhej të varej nga partitë e vogla. Ajo që ka ndodh edhe këtë mandat, por edhe atë të mëhershëm kur ishte z. Haradinaj kryeministër, është që partitë me tre për qind përfaqësim në Kuvend si partia e z. Pacolli kanë marrë më shumë se 26 për qind hise në Qeveri. Me 4 deputetë i ka pasur pesë ministra, një zv/kryeministër dhe dhjetëra zëvendësministra që nuk ke mundur të numërosh”, ka thënë Demi. “Po ndodh që këto parti të vogla po hyjnë në pushtet vetëm për të shkëputur hise të buxhetit apo për të krijuar favore për anëtarësinë e tyre. Do të duhej të gjendet mënyrë si të forcohen partitë e mëdha. Edhe pse deri vonë kam qenë ithtarë të ulet pragu zgjedhor me qëllim që t’i japim hapësirë partive të reja. Por duhet që mënyra më e mirë është që të lëshohet sistemi ku partitë e mëdha kanë fuqi shumë më të madhe, e forca e kryeministrit të rritet më shumë. Me qëllim që i njëjti model që aplikohet në komunat të mund të aplikohet edhe në nivel qendror. Në komuna nuk mundet me ju ik premtimeve zgjedhore, niveli qendror po. Tash nuk e dimë çfarë programi operon kryeministri Hoti, pasi nuk ka qenë as kandidat për zgjedhje. Programi me të cilin ka aplikuar partia e tij vitin e kaluar nuk është fare i zbatueshëm këtë vit. Ka qenë premtim i dikujt tjetër që nuk është në Qeveri”.

20:55

Demi: Sistemi aktual politik nuk garanton qeverisje stabile

Analisti Agron Demi në DESKU të KTV-së ka thënë se sistemi aktual politik nuk garanton qeverisje stabile dhe dalje nga krizat politike.

Ai thotë se nga monitorimi që ka bërë Instituti GAP, në zgjedhjet komunale të vitit 2013 është parë ndryshim rrënjësor për mirë sa i përket qeverisjes.

“Është dëshmu se sistemi aktual politik apo rregullimi aktual kushtetues nuk garanton qeverisje stabile dhe dalje nga krizat politike. Ne në kuadër të Institutit GAP, tani e 12 vite monitorojmë vazhdimisht punën në komuna, prej kohës kur kryetari i komunës është zgjedhë prej asamblesë komunale, deri tash që zgjidhet prej qytetarëve dhe kemi pa ndryshim rrënjësor për mirë pas zgjedhjeve të vitit 2013”, ka thënë ai.

Sipas tij, ndryshimi i sistemit zgjedhor në vitin 2013 u ka lejuar qytetarëve të zgjedhin një person dhe t’i besojnë vetëm një kandidati të cilin më pas mund ta kritikojnë, e që ky i fundit do ta ketë përgjegjësinë për çdo kritikë.

“Ajo që ka ndodhë është se ndryshimi i sistemit zgjedhor në nivel lokal e ka vu përgjegjësinë te kryetari i komunës dhe kryetari edhe pse ka shumë ankesa prej asamblistëve e partive të ndryshme dhe shoqërive civile të cilat thonë se kryetari është shumë i fortë në krahasim me asamblenë komunale, prapë se prapë qytetarët e kanë identifiku një person të cilit i besojnë dhe mund ta kritikojnë për qeverisjes e mirë apo të keqe të tyre”, tha ai.

Ndryshimi i sistemit zgjedhor në nivel lokal i vitit 2013, sipas Demit, ka sjellë ndryshime në shumicën e komunave.

“Në vitin 2013, pikërisht ky ndryshim ka sjellë mbi 55 për qind ndryshime në komuna. Zgjedhjet e 2013-s kanë sjellë ndryshime në më shumë se gjysmën e komunave, njëjtë ka ndodhë edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2017, ku 40 për qind e komunave kanë pësu ndërrim të pushtetit”, tha Demi.

 

20:41

Demi: Nuk është dashur që të kompensohen njëjtë gjitha bizneset

Agron Demi nga Instituti GAP ka thënë se Qeveria e Kosovës është dashur të mendojë më mirë për të ndihmuar bizneset e jo të kompensohen të gjitha njëjtë.

Ai ka thënë se disa biznese edhe gjatë kohës së mbylljes, si rastet e marketeve e barnatoreve, kanë punuar dhe kanë pasur të hyra, për dallim nga gastronomia e transportuesit që kanë qenë të bllokuar gjatë mbylljes,

“Shumica e njerëzve që marrin vendime për sektorin privat nuk janë njohës të fushës. Edhe me Ligjin për rimëkëmbje ekonomike edhe me Pakon emergjente ekonomike, të cilat këtë javë vetëm se u transferuan mjetet te bizneset, nuk është menduar mirë të ndihmohen bizneset që kanë pësuar më së shumti. Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike parasheh një kompensim prej 270 eurove për çdo punëtor të atij biznesi, por nuk ka dallime mes bizneseve. Siç thashë disa sektorë janë më shumë të prekur e disa më pak. Marketet kanë qëndruar hapur gjatë tërë kohës, barnatoret po ashtu, edhe ata kanë pasur të hyra. Tregojnë të dhënat e doganës dhe ATK-së se ky sektor ka pasur të hyra. Nuk mund të krahasohet me gastronominë apo transportin. Qeveria e Kosovës e ka pasur zgjidhjen më të lehtë të ndihmojë të gjitha. Edhe pse janë marrë masa kufizuese sidomos ndaj gastronomisë e transportuesve, nuk ka pasur rënie të taksave apo tatimeve për këto lloje të bizneseve. Kanë vazhduar të paguhen tatime njëjtë, edhe pse janë obliguar të përdorin më pak se gjysmën e hapësirës së punës apo biznesit të tyre”, ka deklaruar Demi për DESKU në KTV.

20:38

Demi: Rënia në ndërtimtari 47%, në gastronomi mbi 25%

Agron Demi nga Instituti GAP ka thënë se ka pasur rënie të veprimtarisë ekonomike në Kosovë këtë vit. Sipas tij, sektori i ndërtimtarisë dhe ai i gastronomisë janë më të prekurit.

“Sektori i ndërtimtarisë është prekë më së shumti, diku në këtë vit ndërtimtaria ka pësuar rreth 47 për qind në krahasim me vitin e kaluar dhe kjo ka ndodhë në kohën kur është periudha e punës, sezoni e verës dhe tash po hyjmë në muajt e dimrit kur ndërtimtaria edhe nëse hapet gjithçka, do ta ketë vështirësi për shkak të kohës së ftohtë”, ka thënë ai në DESKU të KTV-së.

Demi shton se ka pësuar edhe transporti, njëjtë si gastronomia me 25 për qind rënie.

“Sektor tjetër që ka pësu shumë është gastronomia dhe transporti, ku ka rënie mbi 25 për qind. Është rritë konsumi i produkteve bazë, njësitë shtëpiake, familjet, janë duke konsumu shumë më shumë produkte bazë sepse importi i produkteve medicinale, drithërave, pemëve dhe perimeve është rritë dukshëm. Familjet në Kosovë janë duke konsumuar më shumë produktet e përditshme, kurse ka ra importi i produkteve më të avancuara, siç janë teknologjia apo automjetet, ku ka rënie të madhe. Kjo ka prekë industritë të cilat janë marrë me atë fushë”, ka thënë Demi.

Ai ka thënë se si pasojë e shtyrjeve të vendimeve nga institucionet, rënies së aktivitetit ekonomik, ka pasur rënie edhe tek të hyrat buxhetore, me 584 milionë euro më pak të hyra këtë vit.

“Njësoj ka rënie të madhe të të hyrave buxhetore, qoftë për shkak të shtyrjeve me vendime të qeverisë dhe të komunave, qoftë për shkak të rënies së aktivitetit ekonomik, bizneset nuk kanë mund me raportu në ATK dhe me i paraqitë të hyrat të cilat i kanë paraqitë vitet e mëhershme. Vetëm për gjashtë-mujorin e parë të këtij viti ATK ka inkasu 11 për qind më pak se vitin e kaluar, apo rreth 584 milionë euro janë më pak të hyra”, tha Demi.

20:30

Demi: Qeveria e Kosovës ndër më të paaftat për të reaguar ndaj krizës ekonomike

Agron Demi nga Instituti GAP në emisionin DESKU në KTV ka thënë se Qeveria e Kosovës është treguar ndër të paaftat për të reaguar ndaj krizës ekonomike që u shkaktua nga pandemia.

“Buxheti i shtetit u aprovua pak javë më parë para se të merreshin masat e para ndaj pandemisë andaj nuk ishte linja buxhetore në buxhetin e vitit 2020 për me u adresuar sfidat kryesore të ekonomisë”, ka thënë Demi. “Buxheti atëherë kaloi paprobleme për shkak se dy partitë kishin shumicën e mjaftueshme në Kuvend. Me qarjen ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes u bë e pamundur që të aprovoheshin pakot ekonomike, qoftë ajo e para me 15 masa, apo ajo e dyta e Qeverisë Hoti e cila u quajt Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike”.

Ai thotë se të dyja pakot u zvarritën për një kohë shumë të gjatë, dhe kjo ndikoi shumë të bizneset për shkak se pakoja e parë që u quajt emergjente ka qenë për muajt prill dhe maj dhe ka ende tash që ende nuk janë bërë transferet e nevojshme për ata dy muaj.

“Ne jemi gati në fund të muajit tetor dhe ende ka biznese dhe punëtorë që u janë premtuar shtesat prej 170 euro dhe ende nuk i kanë marrë të gjitha. Qeveria e Kosovës ka qenë një ndër më të paaftat apo më të ngadaltat për të reaguar ndaj krizës ekonomike”, ka thënë Demi.

Gjithashtu Demi ka thënë se duhet me e përmendë se në fillim të pandemisë ka qenë një vendimmarrje shumë e shpejtë, ato 15 masa që janë marrë më 30 mars 2020 nuk kanë qenë ideale por kanë qenë të mira për kohën dhe shpejtësinë me të cilën janë marrë.

“Madje edhe raportet e FMN-në edhe data bazës së Yale University e vlerëson Kosovën për shpejtësinë e ndërmarrjes së masave për me i zgjidhë problemet ekonomike të shkaktuara nga pandemia”, ka thënë ai.

Sipas tij përplasjet politike ndikuan që ndryshimet buxhetore të zvarriten, pakoja e re e rimëkëmbjes të zvarritet dhe tash është bërë thuajse shou serik mos aprovimi i ligjit për rimëkëmbje ekonomike.