4 perditesime
15:09

Ndërpritet raportimi i Shatrit

Raportimi i Haki Shatrit, ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave, është ndërprerë për shkak se disa prej anëtarëve të Komisionit hetimor për privatizimin janë larguar nga salla ku po mbahet mbledhja dhe numri i deputetëve të mbetur nuk e bëjnë kuorumin e duhur.

Ndërprerjen e ka bërë kryetari i Komisionit, Hajrulla Çeku, raporton KOHA.

Tani anëtarët e mbetur dhe Shatri janë duke pritur që ndonjëri prej deputetëve të kthehet. Deputetët që janë larguar janë Doruntinë Maloku, Fidan Rekaliu dhe Shkumbin Gashi të LDK-së.

14:14

Shatri: Qëllimet e privatizimit nuk janë arritur

Në Komisionin hetimor për procesin e privatizimit, ka dëshmuar edhe ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri.

Shatri në periudhën dhjetor 2004 - janar 2008 ka qenë anëtar i AKM-së në cilësinë ministrit, raporton KOHA.

Ai ka thënë se qëllimet e privatizimit nuk janë arritur. Sipas tij privatizimi nuk i ka arritur qëllimin e tërheqjes së investimeve të huaja, nuk ka dhënë efekte në punësim, e nuk ka dhënë efekte në përmirësimin e gjendjes sociale në vend.

“Kanë munguar efektet e pritura”, ka thënë ai.

Por ai nuk e ka pranuar se kjo ka qenë rezultat i menaxhimit jo të duhur të procesit. Ai ka thënë se flet vetëm për periudhën kur ka qenë në AKM dhe se pas asaj periudhe ai mund të flasë vetëm si qytetar.

13:26

Osmani arsyeton shitjen e një ari për një euro: Çmimin e përcakton oferta

Naser Osmani, ish-zëvendëskryesues i Bordit të AKP-së i cili në të njëjtën kohë ka qenë edhe deputet i LDK-së, para Komisionit hetimor për privatizim ka arsyetuar shitjen e një ari tokë për një euro, duke thënë se çmimin e përcakton oferta.

Deputeti i AAK- së, Bekë Berisha, e ka pyetur edhe për atë se si një tokë është shitur për një euro ari.

Ai ka thënë se ka pas edhe tokë në sipërfaqe prej 74 metër katror që është shitur për 900 mijë euro.

Deputeti Hajrulla Çeku e ka pyetur nëse kanë pas mundësi që të refuzojnë çmimin. Osmani ka thënë se po dhe kanë refuzuar, por se sipas tij në riofertimet që kanë marr çmimet kanë qenë edhe më të ulëta. Ai ka theksuar se tani nuk e sheh të arsyeshëm çmimi mesatar prej 39 euro për ari, por se sipas tij në atë kohë ka qenë i arsyeshëm.

13:15

Deputetët përplasen për kohëzgjatjen e pyetjeve në Komision

Kohëzgjatja e pyetjeve nga deputeti Murati, ka ngritur reagimin e deputetes së LDK-së, Doruntinë Maloku dhe të deputetit të AAK-së, Bekë Berisha.

Ata kanë kërkuar nga kryetari i Komisionit, Hajrulla Çeku, që kohën për deputetët ta ndajë në mënyrë të barabartë. Ata e kanë kërcënuar Çekun me braktisje të mbledhjes dhe lënie të Komisionit pa kuorum.

Çeku ka thënë se të gjithë deputetët do ta kenë mundësinë të flasin dhe se pa kuorum mund të mbetet Komisioni por jo ai, sepse ka thënë se nuk ka diçka personale.

12:39

Naser Osmani merret në pyetje nga Komisioni hetimor për privatizimin

Komisioni hetimor për procesin e privatizimit është duke intervistuar ish zëvendëskryesuesin e Bordit të AKP-së, Naser Osmani, i cili në të njëjtën kohë ka qenë edhe deputet i LDK-së.

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, e ka pyetur Osmanin nëse gjatë kohës sa ka ushtruar këtë detyrë, ka pasur ndonjë ndërhyrje ose presion politik në ushtrimin e funksionit të tij.

Osmani në përgjigjen e tij ka thënë se nuk i kujtohet të ketë pasur ndonjë ndërhyrje ose presion të tillë, raporton KOHA.

Osmani ka folur edhe për procesin e privatizimit të fabrikës FAN në Podujevë.

Ai ka thënë se çdo pagesë e bërë dhe e regjistruar nga ajo ndërmarrje duhet të konsiderohet si investim i privatizuesit. Sipas tij raportet e auditimit kanë vërtetuar se privatizuesi i ka përmbushur kushtet e investimit. Sipas tij kontesti që është ngritur edhe në Gjykatë për këtë ndërmarrje ka qenë se disa prej investimeve janë bërë jashtë rrethojave të ndërmarrjes.

Murati e ka pyetur Osmanin edhe për disa raporte të AKP-së që kanë dëshmuar se ndërmarrja nuk ka qenë në gjendje të mirë dhe nuk ka qenë duke punuar.

Ish-deputeti i LDK-së ka thënë se në mandatin e tyre ka qenë vetëm të mbikëqyrin planin e investimeve, dhe sipas tij ai është përmbushur.

Murati e ka pyetur Osmanin edhe për grevën e punëtorëve që është mbajtur në ndërmarrjen FAN për mospërmbushje të kushteve të kontratës.

Osmani ka thënë se për këtë duhet të intervistohen përfaqësuesit e punëtorëve.

Ai i ka kërkuar Muratit që t’iu referohet vetëm raporteve të auditimit të jashtëm dhe jo raporteve monitoruese të njësisë së monitorimit të AKP-së.

Osmani ka thënë se nuk ka pasur lidhje e as nuk e njeh blerësin Agim Deshishku. Ai ka thënë se nuk e di as nëse Deshishku është anëtar i LDK-së, duke shtuar se LDK i ka 200 mijë anëtarë.

Ka thënë se e njeh vetëm familjen Deshishku por jo personalisht Agim Deshishkun.