1 perditesime
17:17

Pronarit të firmës ku përfunduan 2.1 milionë eurot e vjedhura nga Thesari i caktohet masa e ndalimit

Pronarit të LDA Group, ku dyshohet se u transferuan paligjshëm 2.1 milionë euro nga thesari i shtetit, Kadri Shala, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

“Mund të konfirmojmë se, me vendim të Prokurorit kompetent, personit të vetëdorëzuar në Policinë e Kosovës, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës.

Shala, sot është dorëzuar në polici, pesë ditë pas zbulimit të vjedhjes së madhe dhe 17 ditë pas ditës kur është kryer vjedhja.

Për këtë, është arrestuar edhe zyrtari i Thesarit, Labinot Gruda, pasi dyshohet se më 9 tetor në katër transfere brenda pak minutash transferoi mbi dy milionë euro në llogarinë e LDA Group, me seli në Llapushnik.

Ndërkaq avokati Osman Hoxha në një deklarim për media pas intervistimit të Shalës nga Prokuroria.

Ai ka thënë se klienti i tij është intervistuar nga ora 12 e mesditës deri në orën 17:00. Hoxha ka thënë se intervsitimi ka qenë në përputhje me ligjin

“Siç jeni të informuar se i njëjti ka deklaruar se vet do të paraqitet në polici dhe ashtu ka vepruar. Sot rreth orës 12 ka filluar intervistimi dhe ka zgjatur deri në ora 17:00. Çdo gjë ka qenë konform ligjit dhe për më shumë nuk mundem të lëshohem për shkak të hetimeve. Të njëjtit Prokuroria Speciale ka lëshuar urdhër për ndalim për 48 orë dhe për fazat e mëtutjeshëm do të njoftohemi me kohë”, tha ai.

Ndërkohë, avokati ka bërë të ditur se i dyshuari ka qëndruar në Turqi.

Shala është dorëzuar gjatë ditës në Policinë e Kosovës.

Më 20 tetor, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda, u arrestua nën dyshimin se përmes katër transaksioneve ka transferuar saktësisht 2,077,995.90 euro nga buxheti i shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group”.

Në llogarinë e “LDA Group” fillimisht ishin transferuar 622 mijë euro, herën e dytë 375 mijë, pastaj 330 mijë dhe për herë të fundit 750 mijë euro.

Hetimi për këtë vjedhje përfshin 40 njerëz, të cilët në forma të ndryshme dyshohet se janë bërë protagonistë të këtij skandali.

14:09

Vetëdorëzohet pronari i kompanisë “LDA Group”, ku dyshohet se janë transferuar 2.1 milionë euro nga Thesari

Pronari i kompanisë “LDA Group”, Kadri Shala, në të cilën janë transferuar afro 2.1 milionë euro nga Thesari i Kosovës, është vetëdorëzuar në Polici.

I pyetur nga KOHA nëse Shala është vetëdorëzuar, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka bërë të ditur se lidhur me rastin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare që është paraqitur më 9 tetor, sot është vetëdorëzuar në Policinë e Kosovës një person. 

“Sot në Polici të Kosovës është dorëzuar një mashkull kosovar i cili është në proces të intervistimit. Policia e Kosovës të gjitha veprimet e mëtejme lidhur me rastin dhe personin në fjalë, do ti ndërmerr në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetentë”, thuhet në njoftimin.

Të premten e dytë të tetorit, brenda disa orësh, janë zhdukur 2 milionë e 77 mijë euro nga Thesari i Shtetit. Dyshimet e para janë se vjedhja është kryer përmes sistemit elektronik për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin (SMFK). Janë bërë 4 pagesa në emër të tri projekteve rrugore. 2 milionë e 77 mijë euro nga Thesari i Shtetit janë transferuar në xhirollogarinë e kompanisë me emrin “LDA Group”. Transferet janë bërë në emër të tri projekteve: rruga Zhur – Dragash, rruga Prizren-Prevallë dhe Prishtinë- Mitrovicë.

Ndërmarrja e dyshuar kriminale që zhduku 2 milionë e 77 mijë euro, nga të dhënat e siguruara nga KOHA, ka përfunduar në orën 12 :41 minuta, më 9 tetor 2020, në kohën kur zyrtarët e administratës e kanë orën e pauzës së drekës.

Labinot Gruda, zyrtar financiar tash e 11 vjet në Departamentin e Thesarit, nga fshati Komoran i Drenasit, është arrestuar të martën e kaluar.  

https://www.koha.net/arberi/242313/vjedhja-e-vitit-si-u-zhduken-2-milione-euro-nga-thesari-i-shtetit/