4 perditesime
23:54

Sadiku: Ministria nuk i ka siguruar ende disa ilaçe që përdoren për trajtimin e COVID-19

Infektologu Izet Sadiku ka thënë se Ministria e Shëndetësisë ende nuk i ka siguruar disa ilaçe që përdorën për trajtimin e COVID-19.

Ai tutje ka shtuar se njërin nga ilaçet e kanë siguruar si donacion nga Qeveria e Japonisë.

Sipas tij, ilaçi remdesivir pritet që të vije brenda javës.

“Remdesiviri gjendet në tregun e Kosovës sepse me të lejuar Ministria përdorimin e tij, kompanitë private e kanë blerë. Një pjesë e pacientëve gjatë kësaj faze janë duke e blerë. Esenca e këtij ilaçi është përdorimi sa më i hershëm”, ka thënë ai,

Sadiku tutje ka shtuar se janë të kënaqur nga rezultati i këtij ilaçi dhe se deri tani nuk kanë pasur efekte anësore.

Ai ka thënë se shumë shpejtë do të fillojnë me grupin punues për përdorimin e plazmës nga pacientët që e kanë kaluar këtë sëmundje.

23:53

Sadiku: Ministria e Shëndetësisë duhet ta bëjë riorganizimin e stafit shëndetësor

Infektologu Izet Sadiku, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë duhet ta bëjë riorganizimit e stafit shëndetësor.

Ai tutje ka shtuar se nuk është e rëndësishme sa ka shtretër, por sa është numri i stafit.

“Ne po e shohim se 50 për qind e pacientëve janë me oksigjeno-terapi dhe është e obligueshme me pas personel. Është numër i vogël i anesteziologëve, dhe ministria do të duhej të bënte organizimin e tyre”, ka thënë ai.

Sipas tij do të duhej të angazhoheshin edhe ata që veprojnë në sektorin privat.

“Ne po hyjmë në një periudhë e vështirë, mendohet të jetë deri në pranverë. Kemi edhe 100 infermierë që janë pranuar dhe hyrja e tyre në sistem është shumë e domosdoshme. Duhet të shihen të gjitha kapacitet që kemi sepse mosmenaxhimi i mirë i pandemisë i ka gjunjëzuar edhe shtetet që e kanë të fortë sistemin e shëndetësisë”, ka thënë ai.

23:52

Sadiku: Po kryhen shumë teste, por edhe mundësia e gabimit mund të rritet

Infektologu Izet Sadiku mendon se do të jetë ndihmesë e madhe për të gjithë nëse për pak javë nis testimi i mostrave për koronavirus edhe në qendra tjera.

Ai në Interaktiv tha se nga mesi i nëntorit pritet që testet të kryhen edhe në gjashtë qendrat tjera të mëdha.

Më ketë, sipas tij, do të shkarkohen edhe punëtorët në IKSHPK-së që tash e tetë muaj po kryejnë vazhdimisht teste, tash edhe nga 1.000 në ditë dhe se më këtë, pos tjerash, rrezikojnë edhe të gabojnë.

“Është rritur brenda muajit numri i testimeve për 50 për qind dhe mendohet se për një muaj do të rritet edhe për 40 -50 për qind, pasi po pritet që nga mesi i nëntorit të decentralizohet në gjashtë qendra të IKSHPK-së testimi, që kish me rrit shumë dhe kish me i dhënë një frymë tjetër këtij procesi, pasi qytetarët nuk do të kishin më nevojë që të vinin në Prishtinë. Në Institut janë 8-9 persona që janë duke bërë teste qe 8-9 muaj, nga 1.000 teste në ditë dhe më të vërtetë është ngarkesë e madhe, janë qenie njerëzore, por edhe mund të gabohet”, ka thënë Sadiku.

Ai e ka vlerësuar si të rëndësishme në gjithë këtë edhe angazhimin e personelit shtesë. Sipas tij, më nuk ka mjekë të papunë.

23:40

Sadiku tregon për shkaktarët e rritjes së numrit të të infektuarve

Infektologu Izet Sadiku, ka përmendur shkaktarët të cilët kanë ndikuar në rritjen e numrit të të infektuarve në ditët e fundit.

Ndër të tjera, sipas tij, ka qenë edhe hapja e shkollave dhe fillimi i vitit të ri akademik.

“Kemi qenë kohëve të fundit me pak kufizime dhe nga mosrespektimi i masave ka qenë e paramendueshme që vjen deri te kjo rritje. Pastaj kjo është manifestuar me fillimin e vitit shkollor, atë akademik. Është e vështirë të kontrollohet një turmë e tillë e nxënësve e gjithë shkollarëve, përkundër përpjekjeve”, ka thënë ai.

Sadiku tutje ka shtuar se me lirimin e masave, do të duhej të rritej edhe vetëdija qytetare.

“Me lirimin e masave do të duhej të rritej vetëdija qytetare, pastaj në gastronomi është zgjatur koha e punës, pastaj tash është periudha e dimrit koha është e ftoftë dhe njerëzit kanë filluar të hyjnë brenda. Qëndrimi në hapësira të mbyllura e rrit mundësinë e bartjes së virusit shumë më shumë se në hapësira të jashtme. Ka pasur gjithashtu edhe lëvizje nga vendet e BE-së”, ka thënë ai.

23:38

Rreth 100 pacientë me koronavirus janë të shtrirë në Infektive

Infektologu Izet Sadiku vlerëson se situata me pandeminë në Kosovë është ende e menaxhueshme.

Ai, i ftuar në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se rastet po shtohen, gjë që është pritur dhe paralajmëruar, porse situata, sipas tij, është larg më e mirë se e shumë vendeve tjera.

Ai ka treguar se rreth 100 pacientë me koronavirus, apo 80 për qind e kapacitetit të Klinikës Infektive në Prishtinë është e mbushur dhe se ky numër mund të rritet, meqë po nis, siç e ka quajtur ai, periudha më delikate.

“Sikur që është pritur dhe paralajmëruar, jo vetëm në Kosovë, me fillimin e vjeshtës janë rritur rastet dhe kjo është duke ndodhur në krejt vendet evropiane. Kemi pa një rritje shumë të madhe, por që është ende e menaxhueshme në Kosovë. Kosova vazhdon të jetë një prej vendeve më numrin më të vogël të rasteve. Sipas një analize, në dy javët e fundit jemi mes pesë vendeve që kemi pasur numrin më të vogël për 100 mijë banorë. Mirëpo në javën e fundit edhe te ne ka pasur rritje dhe në Klinikën Infektive kemi rreth 100 pacientë të hospitalizuar dhe gati 80 për qind e kapaciteteve janë të mbushur me pacientë. Diku 50 për qind janë me oksigjeno-terapi. Një falënderim i madh për të gjithë kolegët që kanë punuar preh fillimit të pandemisë. Tash po hyjmë në një periudhë që do të jetë më delikatja e kësaj pandemie”, ka vlerësuar Sadiku.