3 perditesime
23:39

Shala: Dënimet për mosmbajtjen e mësimit online janë njëjtë si të ishim në shkollë

Shpresa Shala, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, ka thënë se dënimet për mosmbajtjen e mësimit online për mësimdhënësit dhe nxënësit janë të njëjta sikur të ishin në shkollë.

Në Interaktiv të KTV-së ajo ka thënë se janë vetëdijesuar edhe mësimdhënësit, porse janë shtuar edhe kontrollet.

“Tash shkollat të cilat kaluar në skenarin C janë duke e përdorur platformën e E-shkollorit dhe kemi mundësi t’i shohim edhe kyçjet e mësimdhënësve dhe mbajtjen e orëve mësimore. Dhe aty shihet se në fakt janë 90 për qind e mësimdhënësve të cilët e mbajnë mësimin online dhe ajo pjesë që nuk kyçen janë ose raste të mësimdhënësve që janë të infektuar me COVID-19 ose janë mësimdhënës të cilëve ose iu mungon rrjeti, ose kanë vështirësi teknike”, shprehet Shala. “Edhe drejtori i shkollës e ka mundësinë ta shohë se në çfarë kohe është kyçur mësimdhënësi, sa ka qëndruar me fëmijë dhe aktivitetet të cilat i ka bërë brenda një ore mësimore”.

Dënimet sipas saj tani llogariten njëjtë sikur të ishin në shkollë.

“Në periudhën e parë nuk u janë dhënë vërejtje as për nxënës as për mësimdhënës, mirëpo tanimë ato mungesa të orëve llogariten si mungesa në shkollë edhe për nxënësit edhe për mësimdhënësit. Nëse një mësimdhënës, tri ditë nuk hyn në mësimin online atëherë llogaritet që tri ditë nuk ka qenë në punë dhe pasojat janë njëjtë sikur me qenë në shkollë”, thotë Shala.

Ajo ka shtuar se gjithashtu tani janë përkujdesur që edhe pajisjet të mos u mungojnë.

“Ne jemi të vetëdijshëm se nuk i kanë njohuritë në teknologji të gjithë mësimdhënësit njëjtë, dhe gjithashtu e dimë se nuk i kanë mundësitë ekonomike që t’i sigurojnë pajisjet, por tani mund të themi se çdo familje një pajisje e ka dhe jemi përpjekur që të gjitha pajisjet që shkolla i ka të iu japim mësimdhënësve që i kanë mungesë”, ka thënë Shala.

23:35

Shala: Situata për momentin është e menaxhueshme

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, ka thënë se për momentin situata me pandeminë në shkollat në Prishtinë është e menaxhueshme. Ajo ka shtuar se mbyllja e shkollave për dy javë në rast të rasteve pozitive po rezulton e suksesshme.

Por, ajo ka thënë se rritja e numrit të infektuarve me koronavirus në Prishtinë është shqetësim dhe nuk mund të parashikohet nëse do të ketë mbyllje të shkollave. 

“Për momentin situata është e menaxhueshme. Bëjmë raportin në baza javore. Kemi kontakt në baza ditore me drejtorë të shkollave, mësimdhënës e prindër. Për momentin situata është e menaxhueshme. Nuk kemi raste që na çojnë në mbyllje totale të shkollave. Mund të menaxhohet edhe në këtë formë. Kemi pasur dy shkolla që janë mbyllur për dy javë, pasi që janë kthyer në shkollë, janë testuar të gjithë dhe asnjë mësimdhënës apo nxënës nuk ka rezultuar pozitivë. Faza e mbylljes për dy javë po e largon rrezikun e shtimit të rasteve. Për momentin situata është e menaxhueshme, por këto shifrat po rriten në baza ditore, nuk mund të planifikojmë se a do të ketë mbyllje apo zgjatje të hapjeve të shkollave. Uroj që mësimi të zhvillohet në shkolla. U bëjë thirrje prindërve e nxënësve që t’iu përmbahen rregullave e protokolleve pasi është mënyra e vetme që t’i mbajmë shkollat hapur”, ka thënë Shala për Interaktiv në KTV.

Shala ka treguar për problemin e grumbullimit të prindërve në shkolla, veçanërisht prindërit e nxënësve në klasë të para.

“Ditëve të para, sidomos me nxënësit e klasëve të para ka pasur më shumë probleme. Por tash është pak më e menaxhueshme, por jo në tërësi. Prindërit sidomos në shkollat e qendrës janë prindër që i sjellin fëmijët nga pak më larg për në shkollë. Kështu që ata i afrojnë deri te shkolla, pasi normal nëse një fëmijë e ka shkollën afër e shtëpisë është e palogjikshme që prindi ta marrë në shkollë atë. Kjo po shkakton ndoshta problemet më të mëdha. Mirëpo tani kanë filluar prindërit të vetëdijësohen dhe në fakt ta kuptojnë se është në të mirën e tyre, pasi në fillim kishte edhe hezitime të prindërve dhe rezistencë, donin të futeshin brenda në shkollë me fëmijët e tyre. Tash është më e menaxhueshme, por ka ende probleme. Ende nuk jemi vetëdijësuar se ndalimi i hyrjes në shkolla është pasi që po rrezikohet shëndeti i të gjithëve aty. Me protokoll të MSH-së është e ndaluar, vetëm në raste specifike lejohet”, ka shtuar Shala.

23:29

Shala tregon se si po e menaxhojnë situatën me COVID-19 në shkollat e Prishtinës

Shpresa Shala, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se deri më tani ia kanë dalë mjaft mirë të menaxhojnë situatën me COVID-19 në shkolla.

“Në fillim kanë qenë 150 mësimdhënës të testuar, ajo ka qenë për hulumtim të institutit. Para se të fillojë mësimi kemi pasur një takim me Ministrinë e Shëndetësisë, të Arsimit dhe IKSHPK-në, të cilët janë zotuar se arsimin do ta kenë prioritet për testime dhe ashtu është duke ndodhur”, ka thënë ajo.

Ajo ka bërë të ditur se nëse vetëm një rast lajmërohet në shkollë apo kontakt në familje (për COVID-19) lajmërohet drejtori i shkollës dhe menjëherë i shkruajnë IKSHPK-së, në moment ata e kontaktojnë dhe i rekomandojnë shkollës.

“Pra, në baza ditore bëhen rekomandime nga Instituti se si duhet të veprohet në rast dhe pastaj shkojnë dhe i testojnë të gjithë klasën apo gjithë stafin arsimor. Mund të themi se në të gjitha shkollat e Prishtinës janë testuar të gjithë mësimdhënësit dhe shumë nxënës. Nuk kemi statistika të sakta se sa janë testuar, mirëpo në rastin e parë të paraqitjes së një rasti pozitiv komplet klasa testohet apo në rast të një mësimdhënësi pozitiv komplet mësimdhënësit testohen”, ka thënë Shala.

Ajo thotë e vendimin për mbylljen eventuale të shkollave e merr Ministria e Arsimit.

“Po na ndihmojnë ta menaxhojmë situatën (IKSHPK), por në momentin që po e kemi ndihmën profesionale është më e lehtë. Vendimet për mbylljen e shkollave i merr Ministria e Arsimit tashmë me ligjin anti-covid”, ka thënë ajo.

23:26

Shala: Në Prishtinë nga fillimi i vitit shkollor janë infektuar 40 mësimdhënës e 83 nxënës me COVID-19

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, në një intervistë për Interaktivin në KTV, ka thënë se që nga fillimi i vitit shkollor në komunë janë infektuar 40 mësimdhënës me koronavirus, duke përfshirë këtu edhe drejtorët e shkollave e stafin teknik dhe 83 nxënës.

Shala ka treguar se katër shkolla në komunën e Prishtinës kanë kaluar në skenarin C, pra mësim në distancë, për shkak të rasteve me koronavirus, ndërsa në disa raste ka kaluar klasa në skenarin C.

“Është e vërtetë se në komunën e Prishtinës janë mbyllur katër shkolla për momentin për shkak të rasteve me koronavirus. Dy shkolla janë në qytet e dy në fshatëra. Është shkolla e mesme e muzikës, pastaj shkolla “Xhemajl Mustafa”, si dhe nga një shkollë në Prapashicë e Bardhosh. Janë mbyllur për shkak të numrit të madh të infektuarve në shkollë. Në shkollën “Xhemajl Mustafa” ka 13 nxënës e katër mësimdhënës të infektuar. Për këtë arsye Instituti i Shëndetit Publik ka rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë që ta mbyllë shkollën, por e njëjta situatë është edhe në shkolla tjera. Është numri i madh i të infektuarve. Kemi në shkolla tjera raste të izoluara. Nxënës që janë të infektuar e klasa kalon me skenarin C. Nuk mund të themi se një shkollë komplet është në Skenarin A, pasi për shkak të rasteve individuale në klasë po shkon me mësim të kombinuar. Ka nxënës të infektuar dhe komplet klasa kalon në mësim online. Me skenarin A po punojnë gjitha shkollat e Prishtinës, me përjashtim të disa klasëve të cilat për shkak të një nxënësi që ka rezultuar pozitiv komplet klasa ka shkuar online. Kemi katër shkolla me skenarin C e një shkollë me të kombinuar. Është shkolla “Faik Konica”, që për shkak të intrastrukturës plotëson kushtet që gjysma e klasës të jetë në klasë e gjysma të kyçet online nga shtëpia. Në bazë të statistikave që kemi siguruar në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik, janë 40 mësimdhënës, këtu përfshihen edhe drejtorët e shkollave e stafi teknik, që janë infektuar me COVID-19 dhe gjithashtu 83 nxënës, prej kohës kur ka filluar mësimi deri në ditën e sotme”, ka thënë Shala për Interaktiv.