8 perditesime
02:50

Zogaj s’pret që Kosova të jetë ndër top-prioritetet e Bidenit, nëse ai fiton zgjedhjet

Petrit Zogaj, aktivist i shoqërisë civile, ka thënë se nëse kandidati demokrat, Joe Biden, fiton zgjedhjet presidenciale në Amerikë, Kosova nuk do të jetë ndër top-prioritetet e tij në politikën e jashtme.

“Nëse shihet ajo çfarë Bideni thotë apo ka thënë për politikën e jashtme dhe dëmet që ka shkaktuar sipas tij presidenti Trump, dhe nëse shihen prioritetet e Bidenit në politikën e jashtme, mendoj se Kosova s’do të jetë në agjendë shumë të lartë sepse edhe s’është problem i madh. Problem i madh i tyre është rehabilitimi i raporteve me Evropën dhe shtetet tjera të cilat SHBA-ja i ka pasur partnere historikisht dhe rikthimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare që i kishte nënshkruar gjatë administratës Obama”, ka thënë ai në Interaktiv.

01:38

Kusari-Lila: Termi antiamerikan, abuzimi më i madh në skenën politike në Kosovë

Mimoza Kusari-Lila, deputete e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, ka thënë se termi antiamerikan ndaj ish-kryeministrit Albin Kurti dhe VV-së ka qenë abuzimi më i madh që është bërë në skenën politike në Kosovë.

“Në politikën e brendshme abuzimi më i madh që është bërë ka qenë kjo me termin antiamerikanë. Është e pakutptimtë që një parti apo udhëheqës politikanë që munden të besojnë që populli ndjek politikë antiamerikane. Veç ekzistimi si shtet ka të bëjë drejtpërdrejt me ndërhyrjen amerikane. Është abuzim ekstrem. Ka pas një qasje ndryshe në politikën se si e ka pa administrata Trump, në veçanti ambasadori Grenell, me qasjen që ka pas atë kohë Qeveria Kurti në raport me vendosjen e parimeve para se të shkojmë të ulemi në dialog me Serbinë. Kjo s’u arrit asnjëherë, s’u arrit që brenda spektrit tonë të arrihen këto parime. Kjo është qasja ndryshe e presidentit Trump në krahasim me të gjithë presidentët e mëhershëm se na duhet zgjidhje e shpejtë. Ka qenë qasje që përfshin më shumë elemente të impulsit të menjëhershëm sesa një zgjidhje që neve na duhet, që të ketë proces e trajtim të mirëfilltë të problemit”, ka thënë ajo në Interaktiv.

00:44

Kusari-Lila: Nëse Trumpi humb zgjedhjet, diferencën e bën menaxhimi i pandemisë

Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nëse presidenti amerikan Donald Trump humb zgjedhjet presidenciale ndaj kundërkandidatit demokrat, Joe Biden, diferencën do ta bënte vetëm çështja e menaxhimit të pandemisë me koronavirus.

Sipas saj, Bideni do të kishte të vështirë të mposhtte Trumpin nëse do të varej nga çështjet tjera.

“Nëse i humb zgjedhjet Trumpi do të jetë menaxhimi i pandemisë ajo që bën diferencën, e në rrethana tjera do të dyshoja se do të kishte shans zëvendëspresidenti Biden që të sfidonte. Për faktin se ekonomia ka pasur rritje të qëndrueshme që nga presidenti Obama, u konsolidua dukshëm nga Trumpi me favore korporatave. E ka mbajtur atë rrethin me të cilët edhe ka qenë i lidhur edhe para hyrjes në politikë”, ka thënë ajo në Interaktiv.

00:36

Zeka: Administrata e SHBA-së u tregua shumë më serioze se sa BE-ja

Arian Zeka vlerëson se është shumë e rëndësishme që Administrata amerikanë të vazhdojë, me apo pa ndryshime siç ka thënë ai, që të ketë Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor prioritet.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, thotë se te Administrata Trump ka parë seriozitet që nuk është parë te Bashkimi Evropian, e as te qeveritë e Kosovës dhe Serbisë.

“Ajo çfarë ka dëshmuar Administrata paraprake është një seriozitet shumë më i madh se sa ka dëshmuar Bashkimi Evropian, edhe për Marrëveshjen e 4 shtatorit. Ata kanë dëshmuar seriozitet shumë më të madh edhe seç kanë treguar qeveritë respektive në Kosovë e Serbi, kemi pasur nga 4 shtatori dy vizita të zyrtarëve të lartë të SHBA-së, me të vetmin qëllim që të zbatohen pikat e Marrëveshjes së 4 shtatorit. Qeveritë në Kosovë e Serbi nuk e kanë treguar të njëjtin seriozitet përveç deklarime që i kanë bërë e që lidheshin me entuziazmin e marrëveshjes”, ka thënë Zeka.

00:10

Spahiu lavdëron Administratën Trump për Marrëveshjen e 4 shtatorit

Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, e quan inkurajuese atë që bëri Administrata Trump më 4 shtator, kur u firmos Marrëveshja ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, sado që ajo u përdor politikisht në fushatë.

Spahiu, në një intervistë në Interaktiv, tha se nga kjo sheh se SHBA-ja do të ketë prezencë të saj në Kosovë.

“Kosova nuk paraqet një temë vendimtare për zgjedhjet amerikane, natyrisht çdo gjë bëhet për përfitime politike, por duhet thënë se ishte një sukses i kësaj administrate, është plotësisht legjitime, nuk ka asgjë të keqe. E marr si një paralajmërim se Amerika do të jetë prezente, është diçka për t’u lavdëruar”, ka thënë Spahiu.

00:01

Spahiu: Do të dëshiroja një prani më të madhe amerikane në rajon

Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, ka thënë se pavarësisht se cili fiton zgjedhjet në SHBA do të dëshironte të kishte një prani më të madhe amerikane jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.

“Pavarësisht se cili kandidat do të fitojë, do të dëshiroja të shihja një prani më të madhe të Amerikës jo vetëm në Kosovë, por në rajon në përgjithësi, sidomos për shkak të rrezikut të përhapjes së ndikimit rus dhe ndikimeve të jashtme në Ballkan, të cilat mund ta qorientojnë nga rruga integruese në strukturat euroatlantike”, ka thënë Spahiu në Interaktiv të KTV-së.

23:49

Spahiu: Bideni do të rikrijonte urat pajtuese me evropianët

Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se triumfi i mundshëm i Joe Bidenit do të nënkuptonte përmirësim të raporteve me Evropën, por edhe me fqinjët e tjerë të Amerikës.

“(Triumfi i Bidenit) Do të thoshte një kthim në politikat që ka njohur Amerika gjatë administratave të Klintonit dhe demokratëve përgjithësisht, të cilat janë më liberale më në konsideratë si ndaj fqinjëve ashtu edhe në përmasa më të gjëra. Do të shihej një përmirësim i raporteve me Meksikën, të cilat janë acaruara dhe me pjesën latine të Amerikës. Por, edhe me fqinjët tjerë, si me Kanadanë”, ka thënë Spahiu.

Ai thotë se Trumpi përveç dëmtimit të raporteve me shtetet e BE-së ka prishur raportet edhe me Kanadanë e Amerikën Latine.

“Për arsye të raporteve jo të drejta tregtare me Kanadanë Trumpi ka ndërmarrë hapa të cilat e kanë ndërprerë një trend, dhe duhet ditur se ajo nuk është një partner i vogël i Amerikës në aspektin e tregtisë. Me sa e di mbi 2 miliardë në ditë është këmbimi tregtarë ndërmjet dy vendeve. Por, ka edhe aspekte të tjera siç është edhe eksploatimi i gazit natyral nga Kanadaja dhe projektet që ka Kanadaja për të kaluar deri në gjirin e Meksikës për të furnizuar pjesë tjera të Amerikës Latine. Dhe raporte të tjera kontestuese të llojeve të ndryshme”, ka thënë ai.

Sipas tij Bideni ka qenë një politikan, një lojtar shumë konstruktiv, sidomos ndaj aleatëve e partnerëve të vetë politikë, të Amerikës.

“Dhe do të ndodhte mesiguri një kthim, një qasje krejtësisht pajtuese me evropianët, do të rikrijoheshin ato ura që kanë ekzistuar me evropianët. Ndoshta me disa përmirësime në ato raporte, por edhe në aspektin global ndoshta Bideni do të kërkonte mënyra të reja për të zgjidhur një sërë çështjesh me rëndësi për Amerikën”, ka thënë ai.

23:24

Spahiu: Bideni ballafaqohet me disa çështje që mund të kenë ndikim te votuesit

Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, thotë se edhe kandidati Demokrat për president Joe Biden, mund të ballafaqohet me disa çështje që mund të kenë ndikim te votuesit.

“Biden mund të ballafaqohet me disa çështje që mund të kenë ndikim te votuesit. Një nga çështjet është mosha e tij, ndonëse edhe Trumpi nuk është shumë më i ri se ai, por këtë çështje ia kanë përmendur vazhdimisht. Çështja tjetër është se votuesit mund të mos kenë një besim të patundur në aftësinë e tij për ta udhëhequr Amerikën, sepse megjithatë ai është i njohur gjatë tetë vjetëve të fundit dhe ia dinë kufizimet deri ku mund të shkojë dhe mund të jetë në disavantazh të tij sa mund të jetë edhe në avantazh. Është diçka diskutabile”, ka deklaruar Spahiu në Interaktiv të KTV-së. “Do të duhet theksuar se në Amerikë është e rëndësishme edhe përkatësia fetare megjithatë. Bideni është me origjinë irlandeze, është katolik dhe në historinë e zgjedhjeve amerikane ka pasur vetëm një president që ka qenë i besimit katolik, dhe ai ka qenë Kennedy. Amerikanët në përgjithësi janë protestantë, ata preferojnë një president që i përfaqëson shumicën.

Ai ka thënë se këto nuk janë vendimtare. Por se janë disa elemente që mund të ketë preferenca te votuesit.

“Por vlen të theksohet. Bideni po ashtu përfaqëson një vijë ideologjike politike dhe liberale. Dmth gjithmonë ka pasur më shumë kujdes për shtresën e mesme e shtresat më të ulëta. Trumpi përfaqëson atë që quhet Amerika kapitaliste, prodhuesit e mëdhenj, manjatët, të cilët i kanë shprehur haptazi mbështetjen për të, sepse i ka liruar nga taksa. I ka zvogëluar taksat për ta e i ka rënduar shtresat tjera. Kjo mund të ketë shkaktuar pakënaqësi në mesin e shtresës së përgjithshme popullore. Demokratët paraqesin qasje më liberale, përkujdes për shtresat e ulëta e të mesme”, ka deklaruar Spahiu.

23:13

Spahiu i cilëson zgjedhjet presidenciale të këtij viti më të rëndësishmet në historinë e SHBA-së

Avni Spahiu, ish-ambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë se zgjedhjet presidenciale që po zhvillohen sot në SHBA, janë më të rëndësishmet deri tash në histori të SHBA-së.

Sipas tij, interesimi për zgjedhjet presidenciale, ku në garë janë presidenti aktual Donald Trump dhe kandidati i Partisë Demokratike, Joe Biden, është rritur për shkak të ashpërsimit mes kandidatëve.

“Kjo ngjarje është duke u përcjellë nga e gjithë bota, ngjarje e cila është edhe më e rëndësishme se herët tjera, edhe për vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë gjithë kësaj kohe të fushatës elektorale ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm, ndonëse në një situatë jo të zakonshme edhe për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të rivaliteteve të shtuara dhe ashpërsuara mes kandidatëve presidencialë. Nëse shohim historikisht, mendoj se janë më të rëndësishmet zgjedhje të mbajtura ndonjëherë në SHBA, sepse do të përcaktojë kahen nga do të ecën SHBA-ja në katër vitet e ardhshme, nëse do të vazhdojë me politikën e Trumpit, doktrinën e tij që po quhet Trumpizëm, qasje e re në politikën e brendshme të Amerikës, por edhe në aspektin e politikës ndërkombëtare, apo do të vendosë Amerika besimit një ish-nënpresidenti që ka qenë tetë vjet në Shtëpinë e Bardhë si nënpresident i presidentit Obama dhe për të cilin amerikanët kanë respekt dhe e njohin stilin e tij të qeverisjes edhe pse s’ishte njeriu që ka vendosur sepse ishte nënpresident, por ishte shtyllë e rëndësishme e administratës Obama”, ka thënë ai. “Sonte do të vendoset se nga do të shkojë Amerika dhe me këtë çfarë imapkti do të ketë kjo”.