3 perditesime
15:33

Përfundon bastisja në shtëpinë e Thaçit

Ka përfunduar bastisja në shtëpinë e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Tashmë veturat e forcave të EULEX-it kanë filluar të dalin nga shtëpia e Thaçit.

Mbrojtja e Thaçit, pas përfundimit të bastisjes, është shprehur se ajo s’kishte shënjestrim të duhur dhe ishte e përgjithshme.

“Atë që mund të them është që bastisja është kryer, ndërsa sa i përket qëllimeve të bastisjes mund të them se ishin jashtëzakonisht të përgjithshme, s’dukej se kishte shënjestrim të duhur, që është parakusht procedural që të urdhërohet bastisja. Po ashtu mbetet e paqartë si në aspektin procedural dhe atë logjik që bastisjet të kryhen pas ngritjes së aktakuzës. Kjo bastisje sugjeron që aktakuza ndaj Thaçit, mbetet shënjestër në lëvizje. Pra duket që Prokuroria ende kërkon prova për të mbështetur një aktakuzë”, ka thënë avokati Dastid Pallaska.

Bastisje sot janë kryer edhe në shtëpinë e Kadri Veselit, derisa ajo në shtëpinë e Rexhep Selimit është duke vazhduar ende.

12:57

Shtohen forcat e EULEX-it te shtëpia e Selimit

Bastisja në shtëpinë e shefit të GP-së së Vetëvendosjes, Rexhep Selimit, është duke vazhduar.

Në këto momente madje janë shtuar forcat e EULEX-it para shtëpisë së Selimit, i cili aktualisht është në Hagë.

Zyrtarët e sapo ardhur të EULEX-it kanë hyrë me disa kuti brenda shtëpisë së Selimit.

Selimi, Veseli e Thaçi kanë shkuar dje në Hagë, me këtë të fundit që do ta ketë paraqitjen e parë gjyqësore më 9 nëntor nga ora 15:00.

12:39

Përfundon bastisja në shtëpinë e Veselit, po vazhdon tek e Thaçit dhe Selimit

Ka përfunduar bastisja në shtëpinë e kreut të PDK-së, Kadri Veseli, derisa bastisjet në shtëpitë e Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit po vazhdojnë.

Automjete të EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës janë parë të largohen nga vendi i ngjarjes, transmeton KOHA.

Bastisja është duke vazhduar te shtëpia e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Derisa në shtëpinë e Rexhep Selimit janë parë shtim të forcave të Policisë, që për një moment të shkurtë kanë hyrë në shtëpinë e tij dhe kanë dalë pas pak kohe.

Zyrtarë të EULEX-it ende mbeten brenda shtëpisë.

Kurse në shtëpinë e Thaçit veturat e EULEX-it tani janë futur në oborr.

Image
09:46

Specialja konfirmon bastistjet në Prishtinë

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar se është duke kryer bastisje në Prishtinë.

KOHA ka mësuar se bastisje janë duke u kryer në shtëpitë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Zyrtarë të EULEX-it brenda shtëpisë së Veselit, ata të Policisë së Kosovës jashtë

Thaçi, Veseli, e Selimi dje janë dërguar në Hagë, pasi u janë konfirmuar aktakuzat nga Specialja.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) aktualisht është duke kryer operacione në Kosovë. Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian (EULEX)”, thuhet në konfirmim.

Bastisje po kryhet edhe në shtëpinë e Thaçit

Image