3 perditesime
15:39

Mbrojtja e Veselit thotë se ai s’është arrestuar, por ka shkuar në Hagë me “marrëveshje”

Shumë më e shkurtër ka qenë paraqitja e ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Kadri Veseli, se e bashkëluftëtarëve të tij Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Tri herë ka folur Veseli në seancën e parë në Hagë. Ka prezantuar veten, ka thënë se e ka kuptuar aktakuzën, dhe është deklaruar për pikat që e rëndojnë.

“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat. Më lejoni të deklarohem se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, ka thënë ai.

Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë lexuar dhjetë pikat e aktakuzës me të cilat ngarkohet Veseli.

Për dallim nga seanca e parë e ish-presidentit Hashim Thaçi, ku është argumentuar mes avokatit të tij dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, avokati që e përfaqëson Veselin, Ben Emmerson, ka qenë më i shkurtër.

E ka lexuar deklaratën publike të Veselit para se të nisej për në Hagë, por ka pasur ankesë që në seancë është thënë se Veseli është arrestuar.

“Dua të kujtoj që z.Veseli duhet të prezumohet i pafajshëm për të gjitha akuzat kur të vazhdojë çështja, dhe zoti Veseli të lirohet deri në fillim të procesit. Fakti që është përmendur që Veseli është arrestuar duhet ta dini që z.Veseli ka ardhur vullnetarisht sipas marrëveshjes me Prokurorinë”, ka thënë avokati i Veselit, Ben Emmerson.

Megjithatë, Gjykata Speciale në të gjitha komunikatat ka përmendur termin arrestim për katër anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Giju, ka përkujtuar Veselin se mund të bëjë parashtresë për të kundërshtuar paraburgimin.

Këtë e parasheh rregulli 57 i Rregullores për Procedura dhe Prova. Ky nen parasheh që vendimi për mbajtjen në paraburgim të rishikohet çdo dy muaj.

“Pas caktimit të gjykatësit të procedurës paraprake sipas nenit 33(1)(a) të Ligjit, dhe derisa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, trupi gjykues i angazhuar me çështjen vlerëson vendimin mbi mbajtjen në paraburgim, pasi të kenë kaluar dy (2) muaj nga vendimi i fundit në lidhje me paraburgimin, në përputhje me nenin 41(10), (11) dhe (12) të Ligjit”, thotë rregulla.

Rregullorja e Procedurës dhe Provës është infrastruktura ligjore me fuqi të njëjtë si Kodi i Procedurës Penale në Kosovë. Në bazë të tyre rregullohet çdo fazë që nga hetimi e deri kur një aktgjykim bëhet i plotfuqishëm.

Janë disa arsye që duhet të përmbushen që Zyra e Prokurorit të Specializuar të kërkojë prezencën e të akuzuarve në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Ndër kryesoret janë: rreziku nga arratisja, rreziku që i akuzuari të asgjësojë ose fshehë prova, ose rreziku nga përsëritja e veprave penale.

“Dhomat e Specializuara apo Prokurori i Specializuar urdhërojnë arrestimin dhe paraburgimin e një personi vetëm kur: ekziston dyshimi i bazuar se ai e ka kryer ndonjë vepër penale që është nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara dhe ekzistojnë arsye të artikulueshme të besohet se ekziston rreziku i arratisjes, se ai ose ajo do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e ndonjë vepre penale, ose rrethanat specifike tregojnë se ai do të pengojë ecurinë e procedurës penale duke ndikuar tek dëshmitarët, palët e dëmtuara ose te bashkëfajtorët, ose natyra e rëndë e veprës penale, ose mënyra apo rrethanat në të cilat është kryer dhe karakteristikat personale të tij, sjellja e tij në të shkuarën, mjedisi dhe kushtet në të cilat ai jeton, ose rrethanat e tjera personale e tregojnë rrezikun se ai do ta përsërisë veprën penale, do të përfundojë ndonjë vepër penale në tentativë, ose do të kryejë ndonjë vepër penale që ai ka kërcënuar se do ta kryejë”, thuhet në paragrafin 6 të nenit 41 të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pati publikuar detaje nga aktakuza, ndër të tjera edhe emrat e Thaçit e Veselit si të akuzuar para se akuzat të konfirmoheshin. Siç patën thënë atëkohë, këtë e kanë bërë për shkak të “tentativave për të ndërhyrë në hetim”.

Akuzat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë pjesë e aktakuzës së përbashkët. Ata ngarkohen me 10 vepra penale që lidhen me krime të luftës, të cilat Prokuroria pretendon që i kanë kryer në periudhën mars 1998 deri në shtator 1999.

 

15:38

Ben Emmerson, mbrojtja e Veselit

Ish-kryetari i Partisë Demokratike dhe ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, në paraqitjen e parë para Dhomave të Specializuara, ka konfirmuar se ka pranuar aktakuzën e ngritur ndaj tij nga Specialja.

Ben Emmerson, avokati i njohur britanik, do të jetë përfaqësuesi ligjor në Gjykatën Speciale, i ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Ben Emmerson i specializuar në të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, të drejtës ndërkombëtare dhe penale kushtetuese e publike, e njeh shumë mirë Kosovën, UÇK-në dhe luftën e saj për liri.

 

15:13

Nis seanca ndaj Veselit

Ka nisur në Gjykatën Speciale në Hagë, seanca gjyqësore ndaj Kadri Veselit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, të akuzuar për krime lufte.

Kjo është paraqitja e tij e parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara.

08:24

Sot paraqitja e parë e Veselit në Dhomat e Specializuara

Sot në orën 15:00 do të mbahet paraqitja e parë e Kadri Veselit në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.

Paraqitja e parë e Kadri Veselit do të mbahet në seancë publike.

"Gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari të kuptojë akuzat kundër tij", thuhet në komunikatën për media.