4 perditesime
19:09

Mosnjohja nga Serbia dhe Bosnja, pengesë për tregun e përbashkët

Qeveria e Kosovës është zotuar t’i largojë të gjitha barrierat në kuadër të tregut të përbashkët rajonal, duke e kërkuar të njëjtën edhe prej vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kjo ka qenë kërkesa e kryeministrit Avdullah Hoti në Samitin e Sofjes, krahas gjashtë vendeve tjera të rajonit, i cili është vazhdimësi e Procesit të Berlinit.

Tema e Samitit që këtë vit u organizua online nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, për shkak të pandemisë ishte “Tregu i Përbashkët Rajonal - Katalizator drejt Tregut të Bashkimit Evropian.

“Ajo që na pengon për zhvillim të plotë të potencialit të Bashkëpunimit Ekonomik Rajonal është mungesa e normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis vendeve të rajonit, veçanërisht mungesa e njohjes së Kosovës nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Unë pres që procesi i dialogut në Bruksel do të përfundojë me sukses së shpejti. Ne jemi të përkushtuar që t’i zgjidhim të gjitha çështjet bilaterale me Serbinë si pjesë e procesit të Brukselit”, ka thënë Hoti.

Edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka folur për rëndësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi.

“Mosmarrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës është çështje e sigurisë evropiane, prandaj është thelbësore që Bashkimi Evropian t’i udhëheqë përpjekjet e ndërmjetësimit ndërmjet dy palëve në mënyrë që të zgjidhet kjo mosmarrëveshje për të mirë”, ka deklaruar Macron.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, njoftoi se samiti i ardhshëm do të mbahet në Berlin, por porosit që liderët e Ballkanit që të merren vesh mes njeri-tjetrit, pasi tha se kjo është shumë e rëndësishme për rajonin.

Ndërkaq, shefi për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, ka premtuar mbështetje afatgjatë dhe të qëndrueshme për rajonin përmes Planit Ekonomik dhe Investimeve të miratuara së fundmi nga Komisioni Evropian.

“Ju të gjithë e dini se sa e vlerëson Bashkimi Evropian tregun e përbashkët. Është një nga pasuritë tona më të rëndësishme dhe në prag të këtij samiti, unë kam qenë i impresionuar nga përkushtimi që keni treguar për të krijuar një treg të përbashkët për Ballkanin Perëndimor, duke zhbllokuar potencialin ekonomik të rajonit dhe për ta bërë rajonin ekonomikisht të përshtatshëm për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, tha Borrell.

Në fund të këtij samiti gjashtë vendet anëtare të Ballkanit Perëndimor nënshkruan dy deklarata, atë për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Deklaratën për Agjendën e Gjelbër.

14:50

Macron: Dialogu Kosovë – Serbi, çështje e sigurisë evropiane

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka quajtur çështje të sigurisë evropiane dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në kuadër të Samitit të Sofjes, ai ka thënë se që nga fillimi i vitit 2020 ka pasur disa gjëra pozitive në Ballkanin Perëndimor, duke përmendur edhe rinisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ishte ndërprerë për rreth 20 muaj.

“Mosmarrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës është çështje e sigurisë evropiane, prandaj është qenësore që Bashkimi Evropian të udhëheqë ndërmjetësimin mes dy palëve në mënyrë që të përfundojë në të mirë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Franca ka kontribuuar në “hapat pozitivë në Ballkan”.

Sa i përket temës së bashkëpunimit ekonomik rajonal, Macroni ka thënë se ky ka qenë qëllimi kryesor i procesit të Berlinit që nga viti 2014.

Në fund, Macroni ka përmendur edhe zotimet për të cilat shtetet e Ballkanit duhet t’u përmbahen. Sipas tij, Ballkani duhet të forcojë bashkëpunimin e ndërsjellë të shteteve, të përshpejtohen reformat në sundim të ligjit dhe qeverisje ekonomike, dhe të luftohet terrorizmi.

14:18

Hoti: Kosova e përkushtuar për Zonën Ekonomike Rajonale, pengesë mungesa e njohjes nga Serbia e BeH-ja

Kosova është e përkushtuar për një Zonë Ekonomike Rajonale në Ballkan për heqjen e të gjitha barrierave për lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit, shërbimeve e njerëzve, ka thënë kryeministri Avdullah Hoti në kuadër të Samitit të Sofjes. Megjithatë, si pengesë Hoti ka thënë se e sheh mosnjohjen e Kosovës nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Sipas tij, një iniciativë për bashkëpunim ekonomik rajonal do të shtonte investimet e huaja në Ballkanin Perëndimor.

“Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe tani janë zonë e tregtisë së lirë, por për të realizuar përfitimet e plota të bashkëpunimit tonë rajonal, ne duhet t’i largojmë të gjitha barrierat e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe të njerëzve. Kosova është e përkushtuar që ta arrijë këtë. Ajo që na pengon neve për zhvillim të plotë të potencialit të Bashkëpunimit Ekonomik Rajonal, është mungesa e normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis vendeve të rajonit, veçanërisht mungesa e njohjes së Kosovës nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Unë, pres që procesi i dialogut në Bruksel do të përfundoj me sukses, së shpejti. Ne jemi të përkushtuar që t’i zgjidhim të gjitha çështjet bilaterale me Serbinë si pjesë e procesit të Brukselit”, ka deklaruar ai. “Duhet theksuar se jo të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, janë në të njëjtën shkallë të integrimeve evropiane. Për më tepër, disa vende të rajonit, kanë marrëveshje të tregut të lirë me vendet e treta të Lindjes dhe Lindjes së Largët, që ju mundësojnë atyre, qasje në tregjet tona pa kontribut të domosdoshëm në infrastrukturën sociale dhe fizike të rajonit. Prandaj, unë besoj që ne duhet të pajtohemi të krijojmë një mekanizëm, i cili siguron një proces të koordinuar të vendimmarrjes të çdo vendi të rajonit tonë për çështje që kanë të bëjnë me tregun e përbashkët rajonal”.

Hoti në fund ka theksuar se Zona Ekonomike Rajonale s’duhet të shihet si alternativë për integrimin evropian.

“Kjo duhet të na ndihmojë në ndërtimin e kapaciteteve të domosdoshme, për përshpejtim të anëtarësimit të plotë dhe të përbashkët të vendeve tona në Bashkimin Evropian. Pikërisht për këtë, e mirëpres dhe e mbështes plotësisht këtë proces. Kosova do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për ngritje të kapaciteteve, gjithnjë në baza të barabarta”, ka përfunduar ai.

13:03

Borrell: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se Ballkani Perëndimor është në zemër të Bashkimit Evropian dhe e ardhmja e tij është pikërisht BE-ja.

Në hyrje të Samitit të Sofjes – Vendet e Ballkanit Perëndimor, si vazhdimësi e Procesit të Berlinit, Borrell ka thënë se Bashkimi Evropian ka interes të përbashkët me Ballkanin që të integrojë Ballkanin Perëndimor në BE.

“Ballkani Perëndimor është në zemër të Evropës, dhe e ardhmja e tij është në Bashkimin Evropian. Për këtë angazhimi jonë ka qenë, dhe mbetet, i fortë”, ka thënë ai në fillim duke shtuar se vendet po përballen me pandeminë COVID-19, si sfidë të përbashkët.

“Që nga fillimi i pandemisë, BE-ja ka përkrahur Ballkanin Perëndimor si partneri më i afërt, duke ofruar përkrahje financiare për asistencë mjekësore dhe përfshirjen e një mekanizmi të përbashkët të prokurimit të BE. Tani jemi të fokusuar në përkrahje të qëndrueshme, afatgjate e rikuperuese përmes Planit të Investimeve të aprovuar së fundmi nga Komisioni Evropian”, ka shtuar ai.

Borrell ka thënë se Ballkani Perëndimor ka potencial ekonomik dhe BE-ja do të punojë që ta bëjë regjionin të gatshëm për t’iu bashkuar ekonomikisht BE-së. Këtu ka përmendur ekonominë e gjelbër dhe transformimin digjital, si dhe reformat fundamentale që duhet të bëhen për rrugën evropiane.

“Të punuarit bashkë, siç bëjmë ne në Bashkimin Evropian, është rruga më e mirë për të tejkaluar trashëgiminë e të kaluarës dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”, ka shtuar Borrelli.

Në Samitin e Sofjes është paraparë të marrin pjesë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi dhe zyrtarë të tjerë të vendeve anëtare të BE-së.

08:35

Hoti sot pjesë e Samitit të Sofjes

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot merr pjesë në Samitin e Sofjes - Vendet e Ballkanit Perëndimor 6, i cili është vazhdimësi e Procesit të Berlinit.

Tema e Samitit të Sofjes është Tregu i përbashkët rajonal - katalizator drejt tregut të Bashkimit Evropian, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

Për shkak të pandemisë me COVID 19, takimi do të jetë virtual dhe Republika e Kosovës do të marrë pjesë mbi bazën e të barabartëve.

Në Samitin e Sofjes marrin pjesë: kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi dhe burrështetas të tjerë të vendeve anëtare të BE-së.