3 perditesime
11:47

Selimi: Akuzat ndaj meje të padrejta, jam çlirimtar

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, pas dëgjimit të aktakuzës, ka mbajtur një fjalim të gjatë ku ka kundërshtuar aktakuzën e ngritur ndaj tij.

“E di që nuk është momenti as vendi të flas për legjitimitetin e kësaj gjykate, duke ditur se këtë gjykatë e ka themeluar Kuvendi i Kosovës. Dua të theksoj se unë si deputet, e pata kundërshtuar themelimin jo si shprehje kundër drejtësisë por përkundrazi, donim që drejtësia të bëhej nga institucionet e Kosovës në Kosovë. Më lejoni t’ju kujtoj se themelimi i gjykatës ishte në favor të Kosovës. Vetëm pak muaj pas këtij vendimi të gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë, raporti i Dick Martyt nxori raport ndaj vendimit të gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë. Mendoj që nuk duhej të ngritej një gjykatë mbi synimet e hapura anti Kosovës. Sidoqoftë ja ku jemi, kjo gjykatë është një fakt”, u shpreh Selimi.

Selimi, tutje theksoi se ai dhe ish-pjesëmarrësit tjerë të Ushtrisë Çlirimtare, po akuzohen padrejtësisht.

“Sot këtu nuk jam si deputet që e kam kundërshtuar këtë gjykatë por si ish-ushtar i UÇK-së, themelues i saj, përballë një aktakuze të ngritur nga Prokuroria dhe ju z.gjykatës. Rolet këtu i kemi të ndara, jemi palë të ndryshme, por ju lutem më bëni të besoj se po ashtu qëllimi ynë do të jetë drejtësia, mbi të gjitha e vërteta. E pashë aktakuzën e ngritur nga Prokuroria. Ishte aktakuzë e rëndë, vuliminoze e mbi të gjitha e padrejtë. E pasaktë ndaj meje dhe luftës së popullit tim dhe shtetit nga vijë unë. Ky proces do ta dëshmojë që ishim popull i shtypur që luftuam për liri. Bëmë luftë të pastër dhe të drejtë, kjo luftë do të jetë e tillë edhe pas këtij procesi. Kush ka dyshime do të bindet se as unë as UÇK nuk kemi të bëjmë me krime e ndërmarrje të përbashkët kriminale siç akuzohemi padrejtësisht”, u shpreh Selimi.

“Po, unë kam luftuar kundër Serbisë, kundër Serbisë okupatore e cila veç të këqija i ka sjellë vendim tim. Prandaj, unë e kam bërë vetëm detyrën time si qytetar i vendit tim. Unë jam vetëm çlirimtar. Luftën e kemi nisur me Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar me gjeneralin Clark, me NATO-n. Drejtësia duhet të jetë qëllimi ynë këtu, pse jo edhe Prokurorisë”, u shpreh tutje.

Më 4 nëntor, Selimi, që gjatë luftës ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njoftoi për konfirmimin e aktakuzës dhe u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë më 5 nëntor.

Sipas aktakuzës, Selimi dyshohet për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.

11:41

Rexhep Selimi deklarohet i pafajshëm

Rexhep Selimi është deklaruar i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës të Speciales.

E avokati Robert Kaarls, që përfaqësoi Selimin në këtë paraqitje, tha se në ditët në vijim do të bëjnë kërkesë për lirimin e përkohshëm duke argumentuar se nuk ka indikacione se Selimi paraqet rrezik të arratisjes.

Avokat i Selimit pritet të jetë David Young, por ai për shkak të pandemisë së koronavirusit, nuk ishte i pranishëm në këtë seancë.

Më pas, gjykatësi i procedurës paraprake e njoftoi Selimin për të drejtat që ka në këtë proces dhe më ketë, u mbyll kjo seancë e parë për të.

11:13

Nis seanca ndaj Selimit në Speciale

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi po bën paraqitjen e parë pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat i kanë konfirmuar një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

08:14

Rexhep Selimi sot në orën 11 para Speciales

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi, do të paraqitet para Gjykatës Speciales për herë të parë sot në orën 11:00.

Aktakuza kundër Rexhep Selimit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor 2020 dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.

Paraqitja e parë e Rexhep Selimit do të mbahet në seancë publike. Gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari të kuptojë akuzat kundër tij.

Gjithashtu, seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Po ashtu, DHSK-ja ka edhe një qendër të posaçme për median në ndërtesën e vet në të cilën gazetarët mund të punojnë dhe të përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër.