5 perditesime
15:03

Tahiri punëtorëve të Telekomit: Me iu shiku në sy, secili jeni më hajn se unë

Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri ka thënë se kësaj teme Qeveria duhet t’i jep zgjedhje.

Ai ka thënë se zgjidhja duhet të jepet më së largu nesër.

Tahiri iu ka përgjigjur protestuesve të cilët i kanë quajtur hajna, duke iu thënë “me iu shiku në sy secili jeni më hajna se unë”.

Ai pas reagimit të protestuesve ka kërkuar falje, duke thënë se "i vjen keq nëse dikush është ndier i ofenduar".

Protesta është shpërndarë ndërkaq punëtorët janë njoftuar që greva do të mbahet në objektin kryesor të Telekomit duke filluar nga sot. Ndërkaq në regjione greva do të nis nesër nga ora 08:00.

14:56

Kuçi fton një delegacion të protestuesve për dialog, ata refuzojnë dhe paralajmërojnë se greva fillon sot

Ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi, ka thënë se janë duke bërë përpjekje maksimale për të rregulluar çështjet në Telekom.

Ai ka thënë se janë në përfundim të këtij procesi.

Kuçi ka thënë se janë disa kërkesa sa i përket Telekomit, porse ka shtuar se do të jenë bashkë me punëtorët deri në zgjidhjen e kërkesave.

Ai ka ftuar një delegacion të protestuesve që të bisedojnë, porse ka thënë se nuk mund t’iu jep afat se kur do realizohen kërkesat.

Ndërkaq kryetari i Sindikatës, Lamih Balaj ka thënë se nga sheshi ku janë duke protestuar, do të shkojnë në objekte për të mbajtur grevë. Ai ka thënë se refuzon që të shkojë të shkojë në negociata me minsitrin.

13:17

Punëtorët e Telekomit: S’do të largohemi deri në përmbushjen e kërkesave tona

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Telekomit, Lamih Balaj, ka thënë se kjo protestë është për fajin e Qeverisë dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, për fajin e tyre, ndërmarrja e Telekomit është në këtë gjendje dhe punëtorët e saj kanë mbetur në mëshirën e fatit.

“Në çdo moment janë duke u rrezikuar rreth 1 milion konsumator. Ne kemi mbi 400 kontrata me persona fizik e juridik që antenat i kanë të vendosura në pronat e tyre. Qeveritarët tanë kanë rënë në gjumë të thellë dhe nuk po e dinë rëndësinë vitale të kësaj ndërmarrjeje”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ky është aseti më i rëndësishëm në Republikën e Kosovës.

Balaj thotë se edhe Komisioni Hetimor për Telekomin është bërë vetëm që deputetet të marrin mëditje.

Ai ka thënë se do të ketë protesta të vazhdueshme deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

“Ne nuk e kemi ndërmend me u tërheq. Sot nuk kemi dalë këtu as që ta rrëzojmë Qeverinë e as në emër të një partie politike, po për shkak të nevojave”, ka thënë ai.

13:01

Nis protesta e punëtorëve të Telekomit

Punëtorët e Telekomit janë mbledhur sot para Qeverisë së Kosovës, për të protestuar për gjendjen e krijuar në këtë ndërmarrje.

Punëtorët e Telekomit ende nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor, ndërsa kanë thënë se tashmë po rrezikohet seriozisht edhe funksionimi i ndërmarrjes.

Me gjithë refuzimin e lejes për protestë nga Policia, ata sot janë mbledhur për protestë.

Në oborrin e Qeverisë shihet të ketë prezencë të shtuar të Policisë.

08:32

Policia nuk iu jep leje për protestë, por punëtorët e Telekomit nuk tërhiqen: Do jemi në shesh

Policia e Kosovës ka refuzuar kërkesën e punëtorëve të Telekomit që të protestojnë sot para Qeverisë së Kosovës, kjo pas vendimit të fundit qeveritar që ndalon grumbullimet masive për shkak të frikës së infektimit me COVID-19.

Megjithatë, kjo nuk pritet të ndalojë punëtorët që thonë se protesta e paralajmëruar për ora 13:00 do të mbahet.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, i tha KosovaPress-it përmes telefonit se pagat nuk i kanë marrë ende dhe se do të jenë në shesh në kohën e paralajmëruar.

“Policia na ka refuzuar kërkesën, por ne do të protestojmë. Pagat nuk i kemi marrë, por në përgjithësi gjendja ne Telekom është shumë e rëndë”, deklaroi ai për KosovaPr

08:13

Punëtorët e Telekomit protestojnë sot para Qeverisë

Sindikata e Punëtorëve të Telekomit të Kosovës ka paralajmëruar për sot një protestë nga ora 13:00 para objektit të Qeverisë së Kosovës, për shkak të gjendjes së krijuar në Telekomin e Kosovës.

Punëtorët e Telekomit ende nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor, ndërsa thonë se tashmë po rrezikohet seriozisht edhe funksionimi i ndërmarrjes.

Punëtorët e Telekomit kanë paralajmëruar edhe më herët protesta e greva nëse Qeveria e Kosovës nuk ndërmerr asnjë hap për të zhbllokuar llogaritë dhe kthimin e mjeteve në llogarinë e Telekomit, të cilat janë bllokuar e tërhequr nga kompania “Dardafon”, kompania amë e Z-Mobile, si pasojë e borxhit ndaj saj.