3 perditesime
21:35

Beqaj: Kombinimi i VV-së me Osmanin parakusht për fillimin e ndryshimit

Politologu, Belul Beqaj, në emisionin Desku në KTV ka thënë se një bashkëpunim ndërmjet Vetëvendosjes dhe Vjosa Osmanit është parakusht elementar për fillimin e ndryshimit në Kosovë.

“Shansi është që Vetëvendosje të kuptojë që edhe në ato 50 ditë ka bërë gabime dhe t'i korrigjojë dhe ta shfrytëzojë situatën në kuptimin e ndërtimit të një alternative të mirëfilltë dhe kësaj i bashkëngjitet besoj me shumë sukses edhe Vjosa Osmani, e cila po tregon se ka konsistencë, është me virtyte, ka artikulim të qartë të misionit dhe vizionit të saj politik. Një kombinim ndërmjet Vetëvendosjes dhe iniciativës së paralajmëruar të Vjosa Osmanit për organizatën qytetare mendoj se mund të krijojë parakushtet elementare të cilat e fillojnë ndryshimin”, ka thënë Beqaj.

Tutje ai ka folur edhe për zgjedhjet në Podujevë, ku pret edhe ndryshime.

“Besoj se vetëdija politike e qytetarëve sot në Kosovë, së paku viteve të fundit, ka një ngritje të saj dhe indikatori i parë i ndryshimit është edhe testi i parë i ndërlidhur para së gjithash me Podujevën. Me Mitrovicën Veriore situata është pak më ndryshe sepse aty kemi rrethana të cilat nuk mund të shpjegohen thjeshtë. Nëse pushteti lokal ka vepruar në përputhje me nevojat imediate të qytetarëve nuk e përjashtoj mundësinë që ai pushtet ta marrë mbështetjen e tyre”, ka thënë ai.

Ai thotë se qytetari në Podujevë duhet të vendosë se a dëshiron të vazhdojë me situatën aktuale, apo të bëjë ndryshimin.

“Qytetari kur të dalë këtë herë në votime në Podujevë duhet ta kuptojë a po donë me vazhduar kështu si është me këtë tendencë, apo po dëshirojmë që ta bëjmë një ndryshim dhe të bëhemi korrekt karshi audiencës, ndryshimi apriori nuk do të thotë se do të jetë automatikisht pozitiv. Por, fakti se po perëndon një lidership politik i cili është shkaktar i gjitha këtyre proceseve degraduese të Kosovës është mundësi potenciale për të cilën duhet ta japim votën”, ka thënë Beqaj.

21:20

Beqaj vlerëson se koalicioni aktual është më shumë i interesuar për poste sesa për luftimin e pandemisë

Politologu Belul Beqaj ka vlerësuar se po ndiqet rrugë e gabuar nga qeveria dhe partitë e koalicionit, duke bërë garë për postin e presidentit në një kohë kur problemi kryesor i vendit është luftimi dhe menaxhimi i pandemisë.

Beqaj në Deskun e KOHËS tha se “pushteti është gjithnjë më i interesuar për zgjidhje politike, për poste politike, për marrëveshje politike se sa për zgjidhjen e problemit ekzistencial që quhet pandemi”.

“Pra gara vazhdon edhe sot se kush dhe a do të bëhet president, ky apo ai. Askush nuk është i interesuar ta kalojë programin për rimëkëmbje ekonomike apo ato janë vetëm çështje për marketing politik. Derisa çështja e pozicioneve politike, qoftë edhe koalicionit të zgjeruar për të cilin po flitet është prioritet, e jo pandemia. Natyrisht që shikuesit do të thonë se ekzistimi i këtij parlamenti është i panevojshëm dhe i tepërt”, ka thënë Beqaj.

Analisti politik ka komentuar edhe pozicionimin e ri të lideri të LDK-së, Isa Mustafa. Sipas tij, Mustafa pas zgjedhjeve të fundit ka dal mashtrues, meqë po kërkon të qeverisë së bashku me PDK-në.

“Ai që pati thënë në zgjedhjet paraprake se kurrë nuk do të bëjë koalicion me PDK-në, që ishte premtimi më i rëndësishëm i tij. Pra Isa Mustafa, po del të jetë mashtruesi më i madh pas-zgjedhor. Dhe tash po deklarohet se është i interesuar të bëjë koalicion për arsye se nuk është koha për zgjedhje. Unë pajtohem që nuk është koha për zgjedhje, por nuk është as koha të bëjmë gara për presidencë, apo arnim të qeverisë, e cila në instancën e fundit nuk e bën asnjë zgjidhje, ngase lufta kundër pandemisë nuk po ka sukses. Arnimi i kësaj qeverie, me cilindo subjekt pa e konsultuar vullnetin politik të shumicës, mendoj se vetëm sa e thellon krizën dhe krijon destabilitet afatgjatë në Kosovë”, ka thënë Beqaj.

20:58

Beqaj: Me procesin që po zhvillohet në Speciale, po fillon fundi i erës së komandantëve të luftës

Politologu Belul Beqaj ka thënë për DESKUN e KOHËS, se me procesin që po zhvillohet në Gjykatën në Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, po fillon fundi i epokës së komandantëve të luftës.

“Mendoj se çështja që ka të bëjë me individët që janë në Gjykatën Speciale, deshëm apo s’deshëm, të marrim edhe variantim më pozitiv që shpresojmë se do të ndodhë, nënkupton definitivisht se realisht po përfundon karriera e atij lidershipi që ka udhëheqë deri më tash, dhe po krijohet potencialisht mundësia të lindë një lidership, që është ndryshe nëse kurgjo tjetër, i kundërt me atë që ka qenë deri më sot. A është fillimi apo fundi i krizës, mendoj se me procesin që po zhvillohet në Gjykatë, po fillon fundi i erës të komandantëve të luftës, dhe po hapen mundësitë për krijimin e lidershipit të ri politik që do të jetë në funksion të ndryshimeve të mirëfillta”, ka thënë Beqaj.

Ai ka thënë se ndaj faktorëve ndërkombëtarë duhet të jemi korrekt dhe të ndërgjegjshëm, pasi ata realisht po dëshirojnë ta tregojnë qëllimin e tyre human.

“Duhet karshi faktorit ndërkombëtar të jemi shumë korrekt dhe të ndërgjegjshëm, meqë ata janë mbështetësit kryesorë të lirisë dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe në një mënyrë apo tjetrën, ata, meqë shumë krime dhe vrasje kanë ndodhur në periudhën kur ka hyrë KFOR-i në Kosovë, ata realisht po dëshirojnë ta tregojnë edhe qëllimin e tyre human, pasi kanë intervenuar kundër aparatit të shtetit serb në Kosovë për lirinë dhe mbrojtjen e të drejtave humanitare të shumicës në Kosovë”, ka thënë Beqaj. “Në këtë funksion, pas instalimit të tyre në Kosovë, realisht vjen në funksion të mbrojtjes së parimit, që ka të bëjë me humanizmin, dhe mbrojtjen e lirive e të drejtave, aq më parë kur në këtë periudhë janë vrarë qindra civilë të pafajshëm dhe përfaqësues të komuniteteve të ndryshme, që realisht kanë humb jetën në kohën kur KFORI ka qenë këtu, dhe besoj se është një lloj i përgjegjësisë dhe ndërgjegjës të cilën e kanë ata si pjesë të obligimeve që i kanë marrë”, ka thënë Beqaj.

20:47

Beqaj: Bllokada totale e sistemit të drejtësisë, gjeneruese direkte e krijimit të Speciales

Politilogu, Belul Beqaj, në emisionin Desku në KTV ka thënë se bllokada totale e sistemit të drejtësisë në Kosovë ka gjeneruar direkt krijimin e Gjykatës Speciale.

Ai thotë se si shoqëri jemi në krizë të të kuptuarit të krizës.

“Nëse i analizojmë proceset vitet e fundit mendoj se çështja e të kuptuarit të krizës duket se seriozisht është në krizë, pra kemi parasëgjithash ose një keqkuptim të paramenduar ose një keqkuptim të analizës reale të proceseve të cilat po ndodhin për arsye se degradimi në të gjitha fushat nuk është i këtij viti, por njëlloj i defunksionalitetit dhe degradimit të pushtetit dhe shtetit të Kosovës realisht ka ndodhur disa vite të fundit. Prandaj konsideroj se është e vështirë të kuptojmë se ç’është kriza. Në këtë kuptim është në krizë edhe të kuptuarit krizës. Për arsye se shumë çështje në parametrat standard, real, do të definoheshin para dhjetë viteve si çështje kritike mirëpo tani janë shndërruar si çështje normale”, ka thënë Beqaj. “Në fillim të këtyre proceseve, Gjykatës Speciale e dialogut, mos të hyjmë në çështjen e drejtësisë meqë e përmendet Gjykatën Speciale ka qenë shkaku imediat, pra pafuqia, mosfunksionaliteti, mosbesimi dhe bllokada totale e sistemit të drejtësisë ka qenë gjeneruese direkte e krijimit të Gjykatës Speciale”.

Sipas tij në krizë është edhe të kuptuarit e krizës dhe ky është një problem shumë më serioz se vet kriza, meqë njerëzit nuk dinë më tash se çka është normale e çka jo.

“A është normale të paguhen parlamentarët e të mos shkojnë në parlament, apo të shkojnë në parlament e të mos votojnë, apo është normale që dikush që ka dështuar totalisht si kryeministër të pretendojë që të bëhet edhe kryetar. Krahas dështimit në kuptimin funksional të institucioneve fatkeqësisht jemi në rrugën e dështimit të vlerave morale dhe etike që sipas mendimit tim janë shkaktare imediate të politikës së krizave dhe në këtë kuptim ndoshta dalloj shumë nga të tjerët, pasi mendoj se politikbërja duhet të ketë një bazament të vlerave të domosdoshme etike-morale”, ka thënë Beqaj.