3 perditesime
23:51

Kadaj-Bujupi akuzon Manajn se e fshehu kërkesën e ish-gjyqtarit të EULEX-it për raportim të “shkeljeve”

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka akuzuar kryetarin e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Shkëmb Manajn e LDK-së, se ka fshehur kërkesën e ish-gjyqtarit të EULEX-it, Malcolm Simmons, që në korrik kishte kërkuar të raportonte për shkeljet që ai pretendonte se kishte vënë re gjatë punës së tij.

Në Interaktiv të KTV-së, Kadaj-Bujupi është ankuar pse kryetari i komisionit pasi kishte marrë letrën nuk kishte ftuar menjëherë mbledhjen e komisionit.

“Ai kishte paraqitur pretendime për shkelje serioze të të drejtave të njeriut nga ana e drejtësisë ndërkombëtare. Kjo letër nuk u bë e njohur për ne edhe pse u drejtua për deputetët. Do të duhej të ndodhte. Me rregullore të Kuvendit ka qenë e paraparë që kryetari që ka marrë informatën nga administrata, edhe s’bëjmë mirë të themi se administrata ka përgjegjësi sepse ajo e ka njoftuar kryetarin e pesha e kësaj letre do të duhej menjëherë të na ftonte në një takim të hapur apo mbyllur sepse s’është e zakonshme një kërkesë e tillë që një zyrtar i lartë dhe një person që në periudhë të caktuar ka pasur rol të rëndësishëm, ka vu në theks shkelje të rënda për shkak të të cilave njerëzit vazhdojnë të mbahen nëpër burgje”, ka thënë ajo.

Deputetja e AAK-së ka thënë se të premten do të shqyrtohet kërkesa e saj që Simmons të raportojë para deputetëve.

Ajo ka thënë se në letrën e tij, Simmonsi ka kërkuar të raportojë për ndërhyrje në hetime penale, kërcënime ndaj dëshmitarëve e manipulime të trupave gjykues.

23:38

Kadaj-Bujupi: Jam përjashtuar nga pjesëmarrja në diskutimet në parti

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se nga 3 qershori, kur ishte votuar Qeveria Hoti, është përjashtuar nga pjesëmarrja në diskutimet në parti.

Ajo ka thënë se nuk e di nëse krerët e partive kanë kërkuar shkarkimin e Driton Selmanajt.

“E di që deputetë të caktuar e kanë kundërshtuar vazhdimisht këtë qëndrim, e di që kanë qenë të gjithë unik dhe unanimisht në përkrahje të deputetes Bogujevci dhe sigurisht në përkrahje të familjarëve të cilët janë lënduar në atë debat. Mirëpo a është kërkuar zyrtarisht nga krerët e subjektit shkarkimi i tij, reciprokisht a ka pas biseda ndërmjet krerëve të LDK-së dhe Aleancës, nuk e di”, ka thënë Kadaj-Bujupi. “Unë prej datës 3 qershor, kur është votuar Qeveri, nuk kam qenë e ftuar në takimet brenda subjektit politik, brenda Aleancës, pra në njëfarë forme jam përjashtuar nga vendimmarrja dhe diskutimet në të gjitha instancat prandaj kam mungesë të informatave se çfarë ndodhë brenda dhe jam e kufizuar që të jap informata nga brenda sepse nuk i di”.

E pse ka ndodhë kjo ajo ka thënë se ka qenë një hatër mbetje për mosvotimin e Qeverisë Hoti, ose abstenimi në raport me kryeministrin Hoti.

“Moralisht mendoj se Selmanaj është dashur të shkarkohet menjëherë, atë ditë”, ka thënë ajo.

23:30

Kadaj-Bujupi: Dialogu ka marrë kahje të gabuar, nuk jemi të gatshëm për marrëveshje finale

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi thotë se dialogu me Serbinë ka kohë që ka marrë drejtim të gabuar. Sipas saj, Kosova po ia mundëson Serbisë rrugën drejt BE-së.

“Ky dialog ka kohë që ka marrë drejtim të gabuar dhe ka kohë që kam alarmuar se nëse vazhdojmë kështu pa kushte, po shkojmë duke u thelluar më shumë në një proces prej të cilit nuk shihet se kemi të mira, nuk kemi rrugëdalje, në një formë po e bëjmë një alokim të nevojave të Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së, ndërkohë që ne vazhdimisht po bëjmë kompromise të reja të dhimbshme në dëm të vendit”, tha ajo.

Kadaj-Bujpi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se brenda qeverisë së kryesuar nga Avdullah Hoti po mungon uniteti i cili duhet të jetë për të vazhduar dialogun.

Sipas saj, Kosova është me një koalicion të brishtë qeveritar, pa gatishmëri për ta arritur një marrëveshje finale me Serbinë.

“Tani jemi në këtë faze kur as brenda këtij koalicioni të brishtë nuk ka gatishmëri që të ulen dhe t'i harmonizojnë qëndrimet rreth dialogut dhe ballafaqimit me Serbinë, me një fazë kur është thënë se do jetë faza finale edhe pse tash se jemi larg asaj pike dhe është mirë që jemi larg sepse ne nuk jemi të gatshëm të arrijmë aty”, tha ajo.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës përsërit se qeveria është e brishtë dhe se ka numër të kufizuar të përkrahjes popullore që vështirë mund të arrijë në një rezultat final me palën serbe.

“Nuk kemi gatishmëri sepse mungojnë të gjithë parametrat paraprak që do na dërgonin aty. Nuk kemi unitet të përbashkët, nuk kemi platformë të përbashkët. Ne kemi një qeveri kogja të brishtë, me numër të kufizuar të përkrahjes edhe popullore dhe si e tillë kjo nuk mund të mbërrijë deri në atë pikë. Kemi po ashtu mungesë të dakordancës mes partnerëve të koalicionit, njëri kërkon që dialogu të ndërpritet, ndërsa tjetri të ecet përpara”, ka përfunduar ajo.

23:17

Kadaj-Bujupi: Diplomacia po pëson me rehatimet e militantëve

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka kritikuar politikën e jashtme të Kosovës për rehatimin e militantëve partiakë.

Të mërkurën ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, shfuqizoi dekretet për konsujt në disa vende evropiane. Të gjithë ishin të afërm të njerëzve të politikës. Shfuqizimi erdhi pas raportimit të KOHËS se djali i deputetit të AAK-së Haxhi Shalës, Flakroni, u caktua konsull në Pragë.

Kadaj-Bujupi ka thënë se rehatimi i militantëve partiakë nëpër pozita të tilla ka dëmtuar përfaqësimin e Kosovës.

“Konsideroj se tani e një kohë kemi një situatë jashtëzakonisht të vështirë sa i përket politikës së jashtme. Konsideroj se i gjithë ky reagim që po vjen edhe nga partitë dëshmon edhe njëherë shqetësimin që kemi një shërbim partiak. Të gjitha partitë përgjatë marrjes së përgjegjësive kanë tentuar të partizojnë shërbimin e jashtëm. Është jashtëzakonisht problem i madh kur përtej politikave ditore dhe vazhdimisht përpjekjes që të rehatohen militantë të caktuar në sektorë të ndryshëm edhe diplomacia është parë si hapësirë e mirë që të ketë rehatime të atyre që kanë kontribuar në periudha të caktuara në subjekte të caktuara”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së. “Kjo është shumë gabim sepse mendoj se përsëri problemin më të madh e kemi në raport me Serbinë që derisa ka qenë shumë efikase në luftën diplomatike që ka bërë ndaj nesh, pasi ne s’kemi njohje e s’pranohemi në organizata ndërkombëtare, e kemi pasur çnjohje e mospranime në organizata, ne jemi marrë pra me rehatime të militantëve. Kjo ka shkuar në dëm të kualitetit”.