2 perditesime
23:59

Bogujevci: Më e pakta që ka mundur të bëjë Selmanaj ka qenë t’u kërkojë falje familjarëve

Deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, ka kritikuar edhe njëherë deklaratat e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj lidhur me çështjen e të pagjeturve.

“Kur e kemi marrë e-mailin nga Driton Selmanaj ka qenë problematik brenda komisionit. Sado që ai do ta arsyetojë këtë aspekt, nuk mund t’ia ndërroj fjalët. Më e pakta ka qenë të kërkojë falje për familjarët. As mua as dikujt tjetër, por familjarëve. Edhe po të flasim në Parlamenti ne Kosovës çdo ditë, kurrë nuk është e ezauruar e e konsumuar kjo çështje”, tha Bogujevci në Interaktiv.

Ajo tutje ka thënë se herën e parë, Selmanaj nuk kishte kthyer përgjigje për çështjen e të pagjeturve.

“Kemi dërguar si Vetëvendosje, më 8 shtator, një kërkesë për raportim të Selmanajt. Në takimin e parë në komision, është dërguar ftesa që ai të vije të raportojë. Nuk ka kthyer përgjigje. Kur ka shkuar kërkesa e dytë ka kthyer këtë përgjigjen që ka qenë skandaloze”, tha ai.

Boguejvci, gjithashtu ka thënë se “Selmanaj do të duhej të largohej vet nga posti që ka”, kur është pyetur rreth dorëheqjes së tij që ia kanë bërë edhe familjarët e të pagjeturve.

23:51

Bogujevci: Çështja e të pagjeturve nuk duhet të barazohet me temat e tjera në dialog

Deputetja e VV-së Saranda Bogujevci në Interaktiv të KTV-së ka thënë se çështja e të pagjeturve nuk duhet të barazohet me çështje të tjera në dialogun me Serbinë.

Ajo ka thënë se rezoluta e propozuar në Kuvend lidhet pikërisht me këtë temë që kërkon trajtim ndryshe.

“Rezoluta ndërlidhet direkt me çështjen e të pagjeturve në dialog me Serbinë. Nuk mund të trajtohet barazi apo të kushtëzohet me temat e tjera dhe nuk mund Kosova të barazohet me Serbinë në formën si dialogohet për këtë çështje. Është problem i madh nëse vazhdon të trajtohet çështja e të pagjeturve në dialog si po trajtohet tani”, ka thënë ajo.

Bogujevci thotë se janë përballur vazhdimisht me mungesë të informacioneve.

“Arsyeja pse kemi pasur kërkesa të shumta për të pagjeturit është sepse nuk kemi pasur informata konkrete si është duke u trajtuar kjo çështje. Ekziston një vazhdimësi në bazë të zotimeve të 4 shtatorit dhe është problematikë e madhe. Përgjatë seancave dhe takimit me kryeministrin në komision nuk kemi marrë të dhëna konkrete për këtë çështje”, shtoi ajo.

Ajo shqetësuese e sheh edhe se nuk dihet se çfarë është diskutuar lidhur me këtë temë në Bruksel, ndërsa thotë se me Serbinë nuk mund të kemi marrëveshje gojore.

“Shqetësimi mbetet te çëhstja e trajtimit të kësaj teme në dialog. Nuk mund të thuhet se ka marrëveshje gojore për hapje të arkivave me Serbinë. Ky proces përveç që ka marrë kohë fatkeqësisht do marr edhe më shumë kohë dhe është kogja komplekse. Nuk ka të bëjë vetëm me identifikimin e vendeve, por ka elemente të tjera që familjarët duhet ta dijnë të vërtetën dhe duhet të ketë drejtësi”, përfundoi Bogujevci.

Bogujevci ka thënë se nuk kanë asnjë dokument të shkruar të përbërjes së delegacionit të Kosovës që po e trajton çështjen e të pagjeturve si deputet ose si komision parlamentar.



23:41

Bogujevci: Komandanti i Policisë në Podujevë refuzoi të takohet me ne pas incidentit me aktivistët e LDK-së

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka thënë se Podujeva ka nevojë për një kryetar siç është kandidati i kësaj partie, Shpejtim Bulliqi.

“Është njëra ndër komunat më të pazhvilluara në vend. Besoj se qytetarët e asaj ane meritojnë të kenë jetë më të mirë e më të dinjitetshme”, tha Bogujevci në Interaktiv të KTV-së.

Tutje, ajo ka folur për incidentin e sotëm në Podujevë mes aktivistëve të VV-së dhe LDK-së. Madje, ka thënë se Policia nuk ka pranuar të takohet me ta pas kërkesës së VV-së.

“Ka qenë një inskenim i tyre. Kemi pasur aktivistë jashtë zyrës së VV-së duke u përgatitur për një veprim simbolik. Disa kandidatë të LDK-së kanë provokuar qëllimisht dhe kanë bllokuar disa herë. Ka qenë e planifikuar. Fatkeqësisht ka qenë një incident, dhe kam mësuar që ishte një zyrtar policor por ishte civil. Kjo ishte e papranueshme. Është bërë identifikimi i tij, ka pasur edhe kamera përreth. Ka sulmuar edhe njërin prej aktivistëve tanë. Është shqetësuese që gjatë kësaj kohe nuk ka pasur prezencë të policisë edhe pse ka pasur kërkesë nga VV-ja të ketë takim me komandantin e Policisë në Podujevë. Ai ka refuzuar të takohet”, tha Bogujevci.

Sipas saj, VV-ja sot në Podujevë ka pasur në plan vetëm shpalosjen e planprogramit.

“Qëllimi ynë i sotëm ka qenë ta shpalosim planin tonë dhe çfarë duhet të bëjmë për qytetarët e asaj ane”, tha tutje Bogujevci.