Osmani: 28 Nëntori ditë krenarie e shprese, Kosova e Shqipëria duhet të forcojnë lidhjet shpirtërore

Ushtruesja e detyrës e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar datën 28 nëntor. Në 108-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ajo i ka dërguar një telegram urimi presidentit Ilir Meta.
“Flamuri kombëtar prek ndjenjën e ekzistimit të kombit në histori. Ai është trashëgimi e përjetësuar në simbol. Qysh nga koha e Skënderbeut, ai i bën krenarë shqiptarët dhe i bashkon rreth një fryme. Prandaj, ata janë fort të lidhur për të, sepse, përveç tjerash, ua simbolizon lirinë. Kështu qe në Krujë, më 1443, në Vlorë më 1912 e në Prishtinë, më 1999. Prandaj, nuk është aspak rastësi që shqiptarët janë ndër të paktët popuj, i cili, duke treguar respektin e skajshëm ndaj këtij simboli, e ka lartësuar atë edhe në simbolin tjetër, himnin kombëtar”, thuhet në telegram.
