1 perditesime
11:46

Acarohen familjarët pasi kreu i Apelit u tha se s’ka pasur fakte se Tasiqi ka kryer vrasje

Hasan Shala, kryetar i Gjykatës së Apelit, ka thënë se nuk ka pasur prova që Darko Tasiqi ka qenë vrasës. Një gjë e tillë ka acaruar familjarët.

Ai ka ftuar familjarët që të hyjnë brenda për të biseduar rreth vendimit të Apelit, por ata s’kanë pranuar.

KOHA mëson se për një orë është thënë se do të publikohet vendimi për Tasiqin.

Ndërkohë pas kësaj qytetarët e Krushës së Madhe dhe të Vogël janë shpërndarë, duke i dhënë fund protestës së sotme.

10:51

Qytetarët e Krushës së Madhe dhe të Vogël protestojnë ndaj uljes së dënimit për Tasiqin

Qytetarë të Krushës së Madhe dhe të Krushës së Vogël kanë protestuar sot para Pallatit të Drejtësisë pas vendimit të Gjykatës për t’ia zvogëluar dënimin Darko Tasiqit.

Ditë më parë Gjykata e Apelit kishte përgjysmuar nga 22 në 11 vjet heqje lirie për Darko Tasiqin, i cili kishte kryer krime lufte në këto fshatra, transmeton KOHA.

Darko Tasiq është njëri nga kriminelët serb përgjegjës për vrasje, djegie dhe hedhje në lumin Drini i Bardhë të shqiptarëve gjatë kohës së luftës.

Shpresa Shehu, kryetare e fshatit, ka thënë se, “është e padrejtë ulja e dënimit por më e padrejtë është mosdalja e akujt nga Gjykata e Apelit”.

Image

Nga Gjykata kanë kërkuar që disa persona nga protestuesit të hyjnë brenda objektit të Pallatit të Drejtësisë, megjithatë familjarët po e kundërshtojnë këtë.