3 perditesime
23:37

Berisha: Kuvendi t’i dërgojë notë proteste PE-së për Specialen, Osmani të bëjë më shumë

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Zafir Berisha, ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet t’i dërgojë notë proteste Parlamentit Evropian për çështjen e Gjykatës Speciale, dhe për këtë rolin kryesor, sipas tij, e ka kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Duke e kritikuar Osmanin si ushtruese e detyrës së presidentes, Berisha ka thënë se ajo “po bën sjellje, veprime, sfilata që në këto momente delikate s’i takojnë ushtrueses së detyrës së presidentes”.

Ai ka thënë se duke parë që aktakuzat nga Gjykata Speciale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ndërlidhen me akuzat për trafikim organesh siç ishin nga raporti i Dick Martyt e që çoi në formimin e Speciales, Kuvendi i Kosovës duhet të dërgojë notë proteste.

“Po e përcillni situatën që po kalon Kosova. Pos që luan rolin e ushtrueses së presidentes, ajo mbetet kryeparlamentare. Kuvendi i Kosovës ka marrë disa vendime që koha po tregon se s’ishin të drejta dhe të qëlluara. Ky Kuvend ka për obligim të mblidhet dhe të diskutojë çështjen në të cilën gjendemi, për Gjykatën Speciale. E dini se Gjykata e Hagës është themeluar si rezultat i shpifjeve të një raporti që derivon nga dosjet e Serbisë dhe Rusisë dhe që u inicua nga Dick Marty. Mbi ato mashtrime është mashtruar Parlamenti Evropian. Aty ka pas shpifje të atij niveli që as mendja e shëndoshë s’mund të mendojë e lëre më të besojë. Trafikimi i organeve që përmendet, dhe me publikimin e aktakuzave po del që s’është ashtu. E tash parlamenti i Kosovës duke qenë i sigurt se kjo s’ka ndodhur e ka votuar. Parlamenti në këto rrethana të reja është dashur të mblidhet edhe njëherë e të diskutojë këtë çështje. E di se zhbërja është e pamundshme, por një notë proteste është shumë e mundshme drejt Parlamentit Evropian që ka vazhduar rrugëtimin e një raporti që po demantohet vetvetiu nga vetë zyrtarët shtetërore të Serbisë. Kjo ka qenë përgjegjësi e kryeparlamentares dhe ushtrueses së detyrës së presidentes”, ka thënë ai në Interaktiv.

Sipas Berishës, Osmani “duhet të jetë më e përgjegjshme për pozitat që ka”.

Berisha ka refuzuar të komentojë nëse e ka cilësuar si sfilatë vizitat që Osmani kishte bërë te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe në Prekaz, pak pasi mori rolin e ushtrueses së detyrës së presidentes.

Berisha: Koalicioni me numra të kufizuar në Kuvend po e ka vështirë të përballet me tema të rëndësishme

Zafir Berisha, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, ka komentuar mungesën e kuorumit për votimin e shumë projektligjeve e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

Berisha në Interaktiv të KTV-së tha se partia nga ai vjen, Nisma Socialdemokrate, kërkon që koalicioni qeverisës të ketë numrat në Kuvend, jo për të shpëtuar qeverinë por për të kapërcyer sfidat.

“Koalicioni nuk është ai që duhet të jetë në kuptimin e numrave. Edhe kjo qeveri i ka sfidat e veta të paparashikuara në kuptimin e COVID-19, të vështirë e bën edhe mungesa e numrave. Nisma është e interesuar që ky koalicion të fuqizohet në kuptimin e numrave jo për ta shpëtuar qeverinë por për t’i dalë përballë sfidave. Koalicioni me numra të kufizuar po e ka shumë problem të përballet me tema e rëndësishme. Përpos krizës ekonomike, çështja e gjykatës, kemi edhe bisedimet me Serbinë, që nuk është më çështje e partive, mazhorancës apo opozitës por e tërë Kosovës dhe si e tillë duhet të përballemi me idenë që të triumfojmë”, tha ai.

23:29

Berisha: Serbia paraqet kërcënim për sigurinë kibernetike të Kosovës

Koordinatori nacional për siguri kibernetike, Zafir Berisha, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se Serbia paraqet kërcënim për sigurinë kibernetike të Kosovës.

Ai ka thënë se një pjesë e madhe e internetit në Kosovë, vjen nga Serbia, por kalon nëpërmjet filtrave të sigurisë të organeve të Kosovës.

“Ju e dini se nuk është më sekret, se një pjesë e madhe e internetit vjen nga Serbia, natyrisht kalon nëpërmjet filtrave të sigurisë të organeve të Kosovës. Sido që të jetë, siguria vazhdimisht është e atakuar. Nuk nënkupton vetëm në ndërhyrje në internet, por ne si shtet i Kosovë kemi marrë edhe zotime, siç potencova në fillim bashkë edhe me Serbinë me marrëveshjen e Washingtonit, lidhje me përdorimin e disa pajisjeve që vijnë nga vendet jo mike, nga vende moniste, që dyshohet në funksionin e tyre. Kemi vendimet e fundit të Mbretërisë së Bashkuar, që pajisjet e 5G, me i largu për disa vite, për shkak se po paraqesin pasiguri në atë vend dhe shumë vende të Evropës. Natyrisht se ne duhet të ecim me trendin e vendeve demokratike dhe po shpresoj se kryeministri tashmë me bartjen e përgjegjësive që e ka bërë, që derivojnë nga marrëveshja e Washingtonit, konkretisht nga pika 9, ato ministritë që janë përgjegjëse do të nxjerrin edhe akte dhe vendime të cilat do ta forcojnë edhe më shumë fushën e sigurisë kibernetike në Kosovë”, ka thënë Berisha.

23:24

Berisha: Kemi hartuar ligjin për sigurinë kibernetike, shpejt e përcjellim në Qeveri

Koordinatori nacional për siguri kibernetike, Zafir Berisha, ka thënë se të enjten këshilli për siguri kibernetike në Kosovë ka përfunduar ligjin për këtë fushë dhe se pritet që javën tjetër të përfundojë edhe strategjia shtetërore për siguri kibernetike.

“Unë merrem me problematika të cilat e rrezikojnë infrastrukturën kritike në fushën e kibernetikës, koordinoj 27 anëtarë të këshillit për siguri kibernetike të Kosovës dhe ne sot e kemi kryer ligjin për siguri kibernetike që i ka munguar Kosovës. Javën e ardhshme e përfundojmë edhe dokumentin, strategjinë shtetërore për siguri kibernetike dhe planin e veprimit 2020-2025”, tha ai.

Berisha në Interaktiv të KTV-së tha se legjislacioni sa i përket sigurisë kibernetike ka qenë në gjendje jo të mirë, ndërsa thekson se mungesa e tij i nxjerr probleme Kosovës.

“Në gjendje jo të mirë, pikërisht kam qenë i interesuar që të kryhet ligji dhe shpresoj se shpejt do ta përcjellim në qeveri sepse mungesa e një ligji në fushën e sigurisë kibernetike i nxjerr shumë probleme Kosovës, që nuk shihen por me të cilat përballemi çdo ditë”, tha ai.

23:11

Berisha: Jam koordinator, jo ekspert i sigurisë kibernetike

Zafir Berisha, koordinator nacional për siguri kibernetike, ka thënë se ai nuk është ekspert i kësaj fushe, por funksionon vetëm si koordinator në Këshillin për Siguri Kibernetike, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Njerëzit që janë marrë me përgjegjësitë e mija në kuadër të MPB-së, s’e dinë se luaj rolin e koordinatorit, e jo të ekspertit. Pozicioni im është për të koordinuar Këshillin për Siguri Kibernetike që funksionon në kuadër të ministrisë. Natyrisht që ekspertët në fusha të caktuara janë në dikastere që merren në fusha profesionale. Kritikat (për përzgjedhjen si koordinator) i kam marrë me shumë sportivititet. Marrja e shumë kujt me emrin tim e ka bë sensibilizimin për një çështje që qytetarët s’kanë qenë shumë të informuar”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Berisha ka refuzuar të përgjigjet nëse në vend të tij është dashur të ishte dikush më kompetent për fushën e kibernetikës. Ai ka thënë se merret me “problematika që rrezikojnë infrastrukturën kritike në fushën e kibernetikës”.

Sa i përket një fushate që MPB-ja po bën ditëve të fundit për kujdes në internet, e ku ndër këshillat janë edhe ato bazë “mos ndani fjalëkalimin me të tjerët”, Berisha ka thënë se “kjo kampanjë po vazhdon sepse është pa si interes për vetëdijesimin e qytetarëve sa i përket krijimit të sigurisë”.

“Jemi dëshmitarë se interneti ka depërtuar te çdo qytetar dhe fushatat e vetëdijesimit mendoj se u shërbejnë të gjithëve. Për këtë unë si koordinator jam angazhuar t’i thellojmë angazhimet publike në informimin e qytetarëve për informim për rreziqet në internet”, ka thënë ai.