Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka përgënjeshtruar të gjitha raportimet se ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, kishte shërbyer si këshilltar për presidentin. Madje ajo ka thënë se ka kërkuar të marrë raportet e punës për të kuptuar për natyrën e çfarëdo shërbimi që është bërë deri tash në Presidencë.
Në një reagim në Facebook, Osmani ka thënë se kontrata ka qenë me fondacionin që kishte emrin Fondacioni Walker.
Teksa ka bërë të ditur se kontrata me këtë fondacion skadon këtë muaj, Osmani ka thënë se nga fondacionimë 17 nëntor i ishte bërë e ditur se asnjë cent nga pagesa nuk i dërgohet personalisht Walkerit.
“...Po ashtu nuk ka pasur asnjëherë kontratë me personalisht z. William Walker. Ka pasur një kontratë me fondacionin e udhëhequr nga drejtori ekzekutiv z. Hasan Salihu, i cili mbanë emrin Fondacioni Walker. Presidenca është njoftuar nga Fondacioni, në një takim zyrtar në presidencë më 17.11.2020, që asnjë cent nga kjo pagesë nuk i dërgohet personalisht z. William Walker”, ka shkruar ajo në Facebook.
Osmani po ashtu ka thënë se në fillim të dhjetorit kishte shprehur gatishmërinë që të mbesë në kontakt me Walkerin, por, sipas saj, fondacioni s’ishte përgjigjur.
Ajo ka bërë të ditur se ka kërkuar raportet e punës për periudhën e deritashme për të kuptuar natyrën e shërbimeve të ofruara.
“ASNJË RAPORT NUK ËSHTË DORËZUAR dhe asnjë dokument pune lidhur me këtë kontratë nuk është gjendur në Presidencë. Ne kemi kërkuar raporte pune në veçanti për muajt nëntor e dhjetor, ashtu siç parashihet në nenin 6 të kontratës, por asgjë nuk është dërguar deri më tani”, ka vazhduar ajo.
“Çdo mik i Kosovës do t’i ketë përherë dyert e hapura në institucionet tona, prandaj edhe siç kemi ofruar bashkëpunim deri tani do ta ofrojmë edhe tash e tutje. Ndërkaq çdo mënyrë e angazhimit do të bëhet vetëm e vetëm në përputhje me ligjin”, ka përfunduar Osmani.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.