1 perditesime
Arbëri

Qeveria e Kosovës mes vettingut të vazhdueshëm dhe atij rrënjësor

Qeveria e Kosovës mes vettingut të vazhdueshëm dhe atij rrënjësor
Katër opsione i janë prezantuar Qeverisë së Kosovës, nga Grupi Punues për procesin e reformave në drejtësi. Vettingu gjithëpërfshirës është njëri nga opsionet e propozuara, në të cilin duhet të kalojë Qeveria. E zëvendëskryeministrit, Driton Selmanaj, ka thënë se do të vendoset mes vettingut të vazhdueshëm dhe vettingut gjithëpërfshirës, që është reformë rrënjësore në drejtësi
19:19

Qeveria e Kosovës mes vettingut të vazhdueshëm dhe atij rrënjësor

Puna disamujore e Grupit Punues për reformat në drejtësi është përmbyllur me një raport rreth 80 faqesh, të cilin ia kanë dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë. Katër modalitete i parasheh ky dokument. Megjithatë, zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj ka thënë se do të vendoset mes vettingut të vazhdueshëm dhe vettingut gjithëpërfshirës, që është reformë rrënjësore në drejtësi

Prishtinë, 16 dhjetor - Katër opsione i janë prezantuar Qeverisë së Kosovës nga Grupi Punues për procesin e reformave në drejtësi.

Vettingu gjithëpërfshirës është njëri nga opsionet e propozuara, në të cilin duhet të kalojë Qeveria.

Raporti rreth 80 faqesh tregon situatën në të cilën gjendet sistemi i drejtësisë, ndërsa përshkruan 4 opsionet se si do të mund të implementoheshin.

“Dokumenti lidhur me modalitetet e llogaridhënies me përfshirjen e vettingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë, fillimisht ka identifikuar sfidat kryesore nëpër të cilat ka kaluar dhe vazhdon të ballafaqohet sistemi i drejtësisë. Qëllimi i dokumentit të tillë është skanimi i gjendjes dhe problemeve me të cilat ballafaqohen sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial në Republikën e Kosovës, si dhe parasheh modalitetet të cilat do të adresonin çështjet e besimit dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë”, thuhet në raport.

Opsioni i parë është ai i status quosë në sistemin e drejtësisë.

“Opsioni I i cili përmban status quonë e sistemit të drejtësisë, konstaton rregullimin aktual ligjor në bazë të të cilit organizohet dhe funksionon sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor, si dhe konstaton problemet kryesore me të cilat ballafaqohet gjyqësori dhe prokuroria”, thuhet në këtë dokument.

Opsioni i dytë ofron disa ndryshime të nevojshme ligjore, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e besimit dhe të llogaridhënies.

“Në ndryshimet e tilla përfshihen kryesisht, por nuk kufizohet në rregullimin e përgjegjësive disiplinore të gjykatësve dhe prokurorëve dhe në ndërtimin e një mekanizmi efikas të verifikimit të vazhdueshëm të gjykatësve dhe prokurorëve dhe në vlerësimin e performancës së tyre”, thuhet aty.

Opsioni i tretë është “mix” dhe thërret në adresimin e përmirësimit të gjendjes së sistemit të drejtësisë përmes aprovimit dhe zhvillimit të vettingut.

“Opsioni III, ‘mix’, thërret në adresimin e përmirësimit të gjendjes së sistemit të drejtësisë si përmes aprovimit dhe zhvillimit të vettingut, ashtu edhe përmes ndërhyrjeve të tjera ligjore dhe operative që adresojnë elementet e tjera ku stagnon llogaridhënia, performanca dhe efikasiteti i atyre që vënë drejtësinë”, shpjegohet aty.

Ndërsa opsioni i katërt është vettingu rrënjësor.

“Opsioni IV, i cili përfshin vettingun, ofron një reformë më rrënjësore që përfshin verifikimin e integritetit të gjykatësve dhe të prokurorëve. Vettingu është procesi përmes të cilit vlerësohet dhe verifikohet integriteti, performanca dhe etika e gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, përfshirë KGjK-në dhe KPK-në”, thuhet në këtë raport.

Opsioni i tillë, sipas dokumentit, parasheh që përmes procesit të vettingut synohet të arrihen: depolitizimi i sistemit të drejtësisë; deinfluencimi i sistemit të drejtësisë nga grupet e interesit; fuqizimi i sundimit të ligjit; ngritja e cilësisë profesionale të sistemit të drejtësisë; ngritja e llogaridhënies në sistemin e drejtësisë; ngritja e rezultateve dhe e performancës kualitative në sistemin e drejtësisë e të tjera.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, në një konferencë të përbashkët me zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj dhe me kryesuesin e Grupit Punues, Florent Spahija, ka thënë se ky është hapi i parë për të mundësuar largimin e të korruptuarve nga sistemi i drejtësisë.

“Ky është vetëm hapi i parë për të krijuar një sistem më llogaridhënës dhe më të fortë për t’i mbrojtur prokurorët dhe gjyqtarët e ndershëm dhe për t’i larguar ata që nuk janë të ndershëm”, ka thënë ministri Selimi.

Se me cilin modalitet do të vazhdohet, do ta vendosë Qeveria e Kosovës. Sipas zëvendësministrit Selmanaj, dy opsionet e para nuk ka shanse që të zgjidhen, ndërsa do të vendoset në mes të vettingut të vazhdueshëm dhe atij gjithëpërfshirës.

“Ne si Qeveri na mbetet të vendosim njërën nga modalitetet që na janë ofruar nga Grupi punues. Të zgjedhim njërën nga modelet që janë të përshtatshme për Kosovën. Jemi të bindur që me modalitetin që do të zgjedhim, po u vjen fundi edhe dembelëve të sistemit të drejtësisë, të korruptuarve brenda sistemit të drejtësisë dhe atyre që deri tash kanë pasur një qasje të papërgjegjshme, ka deklaruar zëvendësministri.

Nëse zgjidhet vettingu gjithëpërfshirës, procesi do të marrë kohë, sipas Florent Spahijas, 5 vjet.

“Qeveria është e lirë të zgjedhë edhe dy modalitete, pra të bëjë kombinimet e tyre. Është një raport, i cili mund të ndikojë në përmirësimin e drejtësisë, në besimin e qytetarëve në drejtësi dhe në rritjen e integritetit dhe llogaridhënien në sistemin e drejtësisë”.

Vettingu është kontroll i vazhdueshëm i integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim që të vlerësohet dhe sigurohet përshtatshmëria e tyre për të qenë pjesë e sistemit.

 

11:31

Ministri Selimi: Vettingu duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe jo politik

Është lansuar dokumenti mbi modalitetet e llogaridhënies duke përfshirë vettingun në sistemin e drejtësisë në Kosovë, me ç'rast u tha se deri në fund të dhjetorit do të vendoset edhe lloji i modalitetit që do të zbatohet.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj ka thënë se sot “po kurorëzojnë një punë të shkëlqyer që është bërë me një dokument përmbajtjesor”.

“Ne mendojmë dhe jemi të bindur që me këtë dokument me modalitetin që do të zgjedhim, jemi të sigurt dhe jemi të bindur se po ju vjen fundi dembelave që janë brenda sistemit të drejtësisë dhe të korruptuarve brenda këtij sistemi. Jemi të bindur se me këtë modalitet që do të zgjedhim ne do të ndërtojmë besimin e njerëzve në Kosovë ndaj pushtetit të drejtësisë. Dhe, kur të kemi besimin e ndërkombëtarëve, jemi të sigurt se vizat do t'i marrim më shpejt”, tha ai.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se do të jetë një projekt gjithëpërfshirës për shkak se është i rëndësishëm implementimi i tij, raporton KP.

Ai tha se vettingu duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe jo politik, teksa shtoi se ka një dakordancë brenda koalicionit qeverisës që ky proces të ecë. Ai tha se këtë muaj do të vendosin për llojin e vendimmarrjes që do të zgjedhin.