4 perditesime

Në Kosovë ekziston Ligji për Barazi Gjinore, madje është dukshëm më i avancuar krahasuar me vendet e rajonit.

20:49

Molliqaj: Partitë politike nuk e kanë të përfshirë barazinë gjinore në programet e tyre

Përfshirjen e grave në sferën publike, veçanërisht në atë politike, e ka përcjellë edhe organizata QIKA, një nismë feministe e cila ka për qëllim ndërhyrjen në diskursin publik rreth çështjeve gjinore. Leonida Molliqaj, që është edhe drejtuese e kësaj organizate, në një intervistë për Raport të KTV-së ka thënë se përfshirja e grave në politikë nuk është aspak shpresëdhënëse pasi që çështjet e partive politike me rëndësi më të madhe, apo çështjet shtetërore, diskutohen nga burrat - për më tepër, edhe debatet në media dominohen nga burrat.

Ajo thotë se gjendja sa i përket përfshirjes së grave në sferën publike është e keqe, teksa shton se partitë politike nuk e kanë të përfshirë barazinë gjinore në programet e tyre.

“Nëse e bëjmë një pasqyrë të përgjithshme, gjendja nuk është fare mirë. Gratë në përgjithësi janë ende jashtë sferës publike, jashtë vendimmarrjes. Por, çfarë ka ndodhur viteve të fundit e që është përparësi, e shohim një përmirësim të angazhimit si në sferën publike në kuptimin e aktivizmit politik e shoqëror, ashtu edhe në atë politik. Nëse flasim sa partitë politike i kanë dhënë hapësirë për vajzat dhe gratë, mund të flasim për listat zgjedhore. Partitë politike vërehen më së miri sa keq qëndrojnë në këtë aspekt. Për shembull vetëm ditët e fundit para përpilimit të listave dalin në terren dhe mbledhin emrat e vajzave dhe grave sa për të përmbushur 30 për qindëshin i cili është i kërkuar prej ligjit, por asgjë më shumë. Nuk e kanë barazinë gjinore të përfshirë nëpër diskutime publike, programet e tyre politike dhe kjo tregon shumë keq se çfarë gjendje e mendësie politike dhe konservatore përkrahin këto parti politike”, tha ajo.

Sipas Molliqajt, që situate në vend të përmirësohet e t’u krijohet më shumë hapësirë grave, duhet të ketë kuota të brendshme në çdo parti politike dhe diskutimi mbi çështjet gjinore.

“Në vend të secilës, partitë politike do të duhej të kishin kuota të brendshme ku do të organizonin e strukturonin mënyrë të barabartë të përfaqësimit, sepse përveç liderëve kryesorë, partitë politike, edhe nënkryetarët, sekretarët dhe të gjitha pozitat kyçe i kanë të rezervuara për burrat. Një mundësi është kuota e brendshme, përveç saj, diskutimi mbi çështjet gjinore, mbi vështirësitë e grave, sfidat që gratë kanë për përfshirjen në sferën publike do të ishte çelësi që do ta hapte partinë që të afrohen më shumë gra. Gjuha që e përdorin burrat në politikë, partitë, mediat ndaj tyre, nuk është gjuhë apo nuk ofron komoditet për vajzat dhe gratë që të angazhohen politikisht”, tha Molliqaj.

 

20:42

Kurti: Shkelja që më është bërë bie në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet

Tinka Kurti e Lëvizjes Vetëvendosje ishte ankuar në organet e drejtësisë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ua kishte dhënë mandatin dy deputetëve të tjerë burra që kishin më pak vota se ajo. Kjo kishte ndodhur për shkak të një neni të Ligjit për Zgjedhje i cili e rregullon kuotën gjinore në përbërjen e Kuvendit.

Kurti ka deklaruar në Raport të KTV-së se rasti aktualisht është në Gjykatën Kushtetuese dhe se në dy shkallët e para i ishte hedhur poshtë kërkesa e saj.

Ajo ka deklaruar se kërkesën e kishte dorëzuar më 3 mars të vitit të kaluar ndërsa Gjykata kishte filluar ta shqyrtojë në muajin korrik dhe sipas saj, kjo kishte rezultuar me humbjen e mandatit.

“Një vonesë e tillë sigurisht mua më ka kushtuar me mandat por megjithatë unë pres që të marr një përgjigje ende nga Gjykata, kjo është e rëndësishme për definimin e të drejtës në këtë rast. Është e rëndësishme për rastet e tjera të paraqiten dhe unë shpresoj që vendimi do të jetë para mbajtjes së zgjedhjeve në mënyrë që të evitohen situata të tilla”, ka potencuar Kurti.

Ajo ka theksuar se një veprim i tillë është në kundërshtim me frymën kushtetuese, me nenet e tjera të Ligjit për Zgjedhje dhe është diskriminuese në baza gjinore.

 

20:32

Izmaku: Nuk është e lehtë që një grua ta udhëheqë ndonjë pozitë në PDK

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhevaire Izmaku, ka deklaruar se nuk ka qenë e lehtë futja në një parti ku është themeluar dhe udhëhequr nga komandantët dhe ushtarakët e dalur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Izmaku ka deklaruar në Raport të KTV-së se nuk është e lehtë të merret ndonjë pozitë udhëheqëse në PDK nga gratë ngase akoma degët janë të “bllokuara” nga burrat.

“Nuk është lehtë që pozicioni merret nga gratë në PDK, nuk mungon mbështetja ndaj njëra-tjetrës mirëpo duket që ende degët janë të bllokuara nga aspekti i lidershipit të burrave. Pra, nuk ka shumë guxim të vendoset një grua në krye të degëve, ende ka nevojë të ketë kandidat për kryetar të komunave”, ka deklaruar ajo.

Deputetja e PDK-së ka deklaruar se tani zëri i grave brenda partisë është më i fuqishëm dhe pret të ketë progres në këtë drejtim.

“Sigurisht se jemi në prag të proceseve reformuese”, ka deklaruar Izmaku.

 

20:16

Kusari-Lila: Komponenti gjinor duhet të jetë pjesë e secilës politikë

Një grua e cila dallohet nga të tjerat për nga numri i posteve udhëheqëse që mbajti është Mimoza Kusari-Lila. Rrugëtimin e saj e filloi si kryetare e Odës Ekonomike Amerikane në vend. U përfshi në politikë. Përpos postit të deputetes, Kusari-Lila ishte edhe Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, por vazhdon të mbetet e vetmja grua e cila mbajti edhe postin si kryetare komune në Kosovë, më saktë në Gjakovë.

Në Raport të KTV-së, ajo ka folur për pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje dhe krijimin e forumeve të grave, për të cilat thotë se sot nuk janë të domosdoshme.

Kusari-Lila tha se as në partinë e saj nuk e konsideron të nevojshëm një forum të tillë, pasi sipas saj, roli i gruas duhet të shkrihet në të gjitha strukturat.


“Në Alternativë nuk kam forum të gruas, sepse nuk e kam konsideruar të nevojshme që të ketë ndarazi trajtim të politikave gjinore burra e gra, që politika duhet të trajtohet dhe komponenta gjinore duhet të jetë pjesë e secilës politikë, e jo vetëm të diskutohet për pushimin e lehonisë që për mua është absurd që të diskutohet si çështje e grave. Forumet e grave e kanë kryer punën e tyre. Në kohën kur në Kosovë ka pasur dozë më të madhe të konservatizmit, në kuptimin e perceptimit të gruas në politikë, ka qenë e domosdoshme të krijohet ajo hapësirë, por duhet të fillojë të shkrihet në të gjitha strukturat”, tha ajo.

Kusari-Lila sheh edhe një anë të forumeve që ka ndikuar që gratë të mbeten vetëm brenda tyre por jo edhe në struktura jashtë forumeve.

“Një aspekt tjetër, që të qenurit anëtare e kryesisë së forumit të gruas ose kryetare e forumit, e ka amnistuar liderin e partisë ose kryesinë që ato gra kanë pozita në forumin e gruas, nuk na duhen në vendimmarrje. Ndërsa, të gjitha vendimet në raport me zgjedhjet, përfaqësimin, politikat, janë bërë në kryesi. Në një mënyrë, u ka dhënë alibi burrave që mos të kenë dhe të mos shtyhen shumë që të kenë gra brenda, por se janë bashkë në forumin e grave”, u shpreh Kusari-Lila.

Sipas saj, politikbërja duhet të jetë e ndërlidhur dhe të trajtohet njëjtë si për burrat, gratë e të rinjtë dhe që marrin pjesë në vendimmarrje si një komponentë.

 

20:04

Sfida e grave në politikë

Në Kosovë ekziston Ligji për Barazi Gjinore, madje është dukshëm më i avancuar krahasuar me vendet e rajonit.

Ky ligj mbron dhe vendos barazi ndërmjet gjinive në themel të zhvillimit demokratik të shoqërisë kosovare, dhe ofron mundësi të barabarta për pjesëmarrje të grave dhe burrave në zhvillimin politik, ekonomik, social, kulturor dhe të gjitha fushat e jetës shoqërore.

Në teori, ky ligj po ashtu obligon të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, si dhe institucionet e tjera publike të sigurojnë përfaqësim të barabartë gjinor prej 50 për qind për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse.

Dhe pavarësisht se Kosova ka ligje të avancuara, në praktikë zbatimi i tyre megjithatë çalon.

Ndonëse Kosova si shtet ka bërë hapa para sa i përket rritjes së numrit të grave të përfshira në pozita të larta në institucione të ndryshme të vendit, megjithatë numri i tyre nuk është i kënaqshëm.

Mes tjerash, tashmë me vite, qeveritë të cilat formohen në Kosovë gjithmonë janë përpjekur që në përbërje të kenë edhe gra në poste të ministrave dhe zëvendësministrave, por prapë numri i tyre nuk ishte i kënaqshëm.

Derisa vendi pret shpalljen e datës së zgjedhjeve për të parë se si do të duket përbërja e re e qeverisë, kjo e fundit kishte vetëm tre ministre, atë të Punëve të Jashtme, të Kulturës dhe Ekonomisë e Financave, nga gjithsej 16 ministri.

Nga 46 zëvendësministra sa kishte emëruar qeveria Hoti, vetëm tetë prej tyre ishin gra, ndërkaq kishte edhe një zëvendëskryeministre, e cila vinte nga partneri i koalicionit Nisma Socialdemokrate.

Por që nga viti 2000, shkalla minimale e përfaqësimit të grave në Kuvendin e Kosovës është bërë e mundur vetëm përmes kuotës, e cila ua rezervon 30 për qind të ulëseve — kundrejt burrave, të cilët praktikisht e kanë të garantuar shpërndarjen e 70-përqindëshit tjetër.

Por legjislatura e fundit e Kuvendit të Kosovës për herë të parë u udhëhoq nga një grua. Edhe pse shpeshherë efekti i kuotës gjinore është kontestuar, ka mjaft raste që gratë të cilat fillimisht janë zgjedhur deputete për shkak të saj, më vonë këtë synim e kanë arritur edhe pa kuotë.

Një efekt i tillë është vërejtur edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017, ku gratë fituan 38 prej 120 ulëseve në Kuvend; 17 prej tyre i fituan vendet në saje të kuotës e 21 tjera i fituan vendet e tyre me meritë nga beteja me trefishin e numrit të kandidatëve burra.

Përderisa në vitin 2019 numri i grave deputete të cilat e kanë fituar këtë post pa kuotë ka qenë dukshëm më i madh.

Por një problem tjetër me të cilin ballafaqohen gratë në politikë është edhe dhuna online.

Instituti Kombëtar Demokratik ka radhitur një varg problemesh me të cilat përballen gratë në politikë.

Instituti Kombëtar Demokratik në Kosovë ka organizuar edhe Javën e Gruas, ndryshe ngjarje vjetore mbarëkombëtare që mbledh në një mjedis ndëretnik, më shumë se 120 gra dhe burra nga partitë politike, shoqëria civile, biznesi, media dhe akademia, me qëllim të zgjerimit dhe forcimit të kapaciteteve të grave udhëheqëse dhe t’i mbështesë ato për të marrë pozicione më të mëdha drejtuese.

Gjatë tetë vjetëve të fundit, Java e Gruas ka ofruar një platformë për debat mbi politika dhe diskutim intensiv me politikanë prominent dhe zyrtarë të zgjedhur.

Kjo u mundëson pjesëmarrësve të mbajnë në përgjegjësi përfaqësuesit e tyre përderisa në të njëjtën kohë mbështesin zhvillimin e shkathtësive të lidershipit për gratë në politikë.