2 perditesime
21:28

Kurti: Uroj që të lënduarit të shërohen sa më shpejt

Për shpërthimin ka reaguar edhe lideri i VV-së, Albin Kurti. Ai ka uruar të lënduarit të shërohen sa më shpejt dhe sa më lehtë.

“Një javë pas shpërthimit të bombolës së gazit në rrugën Prishtinë-Ferizaj, afër një lagjeje private ku mbetën 12 të lënduar, sot morëm lajmin tragjik për shpërthimin e një bombole të ngjashme në Ferizaj, prej ku 15 u dërguan për trajtim në QKUK, kurse tre të tjerë në kujdes intensiv. Uroj që të lënduarit të shërohen sa më shpejtë e të kthehen te familjarët e tyre me të cilët bashkëndjej në këto momente. Dy shpërthime për një kohë kaq të shkurtër janë alarm për autoritetet lokale dhe qendrore për t’u vënë në krye të detyrës në inspektimin e lokaleve. Këso ngjarje tragjike që janë të shmangshme nuk mund të quhen thjesht fatkeqësi e nuk do të duhej të ndodhnin. Shteti është mbikëqyrje e mirë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

20:08

Osmani viziton të lënduarit e Ferizajt, bën thirrje për një qendër për trajtimin e djegieve

Ushtruesja e detyrës së presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar QKUK-në pas lëndimit të 12 personave nga një shpërthim i bombolës së gazit në Ferizaj.

Osmani para mediave ka bërë thirrje që të ndërtohet një qendër për trajtimin e djegieve pasi që sipas saj, shifrat e djegieve gjatë viteve në vend janë të mëdha.

“Kjo tragjedi për familjarët na ka mësuar që shëndetësia kërkon investime. Kërkon sigurim shumë më të madh sa i përket rregullativës dhe bombolave të gazit. Numri i përafërt i djegieve në vitin e kaluar është mbi 100 dhe ne duhet t’i japim zë kërkesës së doktorëve që të kemi një qendër për djegiet”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka falënderuar stafin mjekësor për përkushtimin në trajtimin e pacientëve.

Në QKUK aktualisht janë të shtrirë 12 pacientë, 7 prej tyre me djegie të rënda të cilët janë të vendosur në trajtimin intensiv qendror.

18:34

Osmani për shpërthimin në Ferizaj: Jam e tronditur

15 persona janë dërguar në Emergjencën e QKUK-së pas lëndimeve të marra nga shpërthimi i bombolës së gazit në Ferizaj.

Për rastin në fjalë kanë reaguar disa nga zyrtarët politik në vend. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka shkruar se ndjehet e tronditur nga ngjarje e sotme dhe lutet për shëndetin e të lënduarve.

“E trishtueshme ngjarja në Ferizaj në këtë fillimvit. E tronditur nga lajmi për shpërthimin e fuqishëm të pasdites në një nga restorantet në këtë qytet. Në këto momente lutemi për shëndetin e të lënduarve dhe jemi pranë familjarëve të tyre. Duke u lutur që të mos ketë viktima, shpresojmë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më”, ka shkruar Osmani.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, u ka uruar shërim të lënduarve dhe ka kërkuar zbardhje të rastit.

“I tronditur nga lajmi për lëndimin e 42 qytetarëve të Kosovës, në mesin e të cilëve ka edhe të mitur, nga shpërthimi i bombolës së gazit në një lokal afarist në Ferizaj. Të gjithë të lënduarve ju dëshiroj shërim sa më të shpejtë dhe kthim pranë familjeve të tyre. Duhet sa më parë të zbardhen rrethanat e këtij rasti”, ka shkruar Hoti.

I prekur me rastin thotë se ndihet edhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj. Ai ka thënë se ka biseduar me kryetarin e Ferizajt, Agim Aliun për të mësuar gjendjen e personave të përfshirë në aksident.

“Tani në këto momente gjithçka duhet të fokusohet në shpëtimin e jetërave të të lënduarve në këtë fatkeqësi. Falënderoj ekipet e emergjencës, policinë e zjarrfikësit që bënë gjithçka që të ndihmojnë sa më shpejtë të lënduarit”, ka shkruar Hoxhaj.

Kryetari i Nismes, Fatmir Limaj, ka thënë se bashkëndjen me 40 qytetarët e lënduar në këtë shpërthim. Ai ka shkruar se lutet që gjendja shëndetesore e tyre të përmirësohet.

Për këtë, ka folur edhe ministri në detyrë i MPB-së, Agim Veliu, i cili thotë se lajmet e tilla janë shqetësuese dhe se rastet e tilla duhet të ngrisin nevojën e kujdesit më të madh.

“Ministria e Punëve të Brendshme me agjencitë e saj do të vazhdojnë të ju dalin në ndihmë qytetarëve të saj pa dallim në çdo rrethanë, duke ju ofruar përkujdesje dhe siguri”, thuhet në statusin e tij në Facebook.