2 perditesime
Arbëri

PDK-ja garon e vetme, s’ka vendim për koalicion me Nismën

Anëtarja e kryesisë së PDK-së, Valdete Idrizi, ka thënë se qeveria Kurti e kjo në detyrë në krye me Avdullah Hotin, kanë qenë qeverisje inatesh e qeveri ku janë larë hesapet.

23:37

PDK-ja garon e vetme, s’ka vendim për koalicion me Nismën

Valdete Idrizi nga PDK shprehet bindshëm se kjo parti në zgjedhjet që do të mbahen më 14 shkurt, do të garojë e vetme.

Për kërkesën e Nismës Socialdemokrate që të bashkëpunojë me PDK-në në këto zgjedhje, Idrizi thotë se nuk ka pasur ndonjë vendim lidhur me të.

“PDK në këto zgjedhje do të garojë me identitetin e vet, nuk ka asnjë vendim të koalicionit të mundshëm me Nismën”, tha ajo në Interaktiv të KTV-së.

Ish-deputetja e Partisë Demokratike tha se në sondazhe dalin të dytët apo të tretët si parti, ndërsa shprehet se nuk kanë vija të kuqe për asnjë subjekt.

“Jemi të dytët, jemi të tretët, por në zgjedhje garojmë për të fituar. Ne aleancë si gjithherë do ta kemi aleancë qytetarin. Një parti nuk mund të qeverisë vetëm. PDK asnjëherë vija të kuqe nuk kemi për parti politike”, përfundoi ajo.

23:33

Idrizi: Votues të dikurshëm të VV-së e LDK-së do të votojnë për PDK-në

Valdete Idrizi, ish-deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se në zgjedhjet e ardhshme, kjo parti do të marrë vota edhe të votuesve të dikurshëm të Lëvizjes Vetëvendosje e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ajo ka thënë se qytetarët janë bindur me “konstruktivitetin e PDK-së”.

“Konsiderojmë se edhe si shtet jemi goditur shumë keq me shkuarjen në Hagë të liderëve të UÇK-së, kryetari jonë, Kadri Veseli dhe ish-presidenti Hashim Thaçi. Pikërisht pse ata s’janë këtu është motivim shtesë i qytetarëve dhe strukturave që të dalin në mënyrën më të dinjitetshme të përkrahin PDK-në. Kjo konsistencë e konstruktivitet që kemi treguar në këtë legjislaturë ka ndikuar pozitivisht te qytetarët. Madje kur po bisedoj me ta të parën e të dytën fjalë thjesht na falënderojnë që ishim të tillë në opozitë. Në opozitë ishte edhe VV-ja, por s’kemi qenë ne aso opozita që të themi zi, zi, zi. Këtu është dallimi. Jo vetëm elektorati apo strukturat e PDK-së, ne i kemi edhe disa qytetarë që pikërisht për këto arsye që i përmenda, kemi pa që PDK-ja është e hapur për njerëz. Edhe lista kur të finalizohet besoj se do të tërheqë edhe më shumë votues. Tashmë kemi më besoni ka edhe publikisht, me emër e mbiemër, që kanë qenë votues të VV-së e LDK-së, apo s’kanë qenë votues fare”, ka thënë ajo në Interaktiv.

23:12

Idrizi: Pa PDK-në nuk ecën shteti

Anëtarja e kryesisë së PDK-së, Valdete Idrizi, ka thënë se qeveria Kurti e kjo në detyrë në krye me Avdullah Hotin, kanë qenë qeverisje inatesh e qeveri ku janë larë hesapet.

Ajo në Interaktiv të KTV-së tha se Partia Demokratike ka luajtur rol kyç si opozitë gjatë dy qeverive të fundit.

“E kemi pa VV që nuk ka votuar pro për asnjë, nëse do ishim edhe ne negativ, ku do shkonte ky vend. U pa që pa PDK-në nuk mundet me ecë ky shtet. E kemi luajtur një rol kyç në një qeveri jashtëzakonisht të lodhtë, e kemi ndihmuar shtetin të ecë tutje, jo këtë qeverinë Hoti apo Kurti”, tha ajo.

Sipas saj, qytetari duhet t’i mbaj mend të dy këto qeveri e po ashtu PDK-në për alternativat që kanë dhënë.

“Kemi pa qeverisje inatesh, qeveri ku janë larë hesapet mes vete dhe ne kemi qëndruar bukur mirë si opozitë. Kemi thënë që mblidhini votat dhe do t’i keni edhe tonat. Ishte me të vërtet qeveri e lodhtë dhe është mirë që shkoi dhe duhet qytetari t’ua mbaj mend. Sidomos PDK-në do ta mbajnë mend si opozitë tejet konstruktive, kemi pasë nisma konkrete, amendamente, kemi ofruar alternativa që do parandalonin këtë situatë”, tha ajo.

Idrizi insiston se pa partinë e saj vendi do të shkonte në kolaps, teksa mbështetet në votimin e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike dhe atë për buxhetin.