Zv.ministri i Bujqësisë, Nehat Ramadani, ka vdekur të hënën mbrëma.
Lajmi është bërë i ditur nga ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami.
“Lajm i trishtë, paskemi humbur një anëtar të devotshëm të qeverisë, zv.ministrin e Bujqësisë z. Nehat Ramadani. Ngushëllimet e mia të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur!”, ka shkruar Bajrami.
Sipas agjencisë së lajmeve Kosovapress, Ramadani ka vdekur si pasojë e COVID-19, por kjo nuk është konfirmuar nga Qeveria dhe familja e të ndjerit.
Ramadani vdiq në moshën 53-vjeçare, ndërkohë që ishte aktivist i hershëm i LDK-së.
“Ah bre Nehat. Na mërzite shumë. Nuk e kam besuar që miqësia jonë 30-vjeçare po ndërpritet sonte. Kam me t’kujtu përjetë për miqësinë e sinqertë, për njerëzinë që e ke shpërfaqë gjithmonë, e për angazhimin e madh në shërbim të atdheut. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Ramadani, miqve e farefisit. U prehtë në paqe shpirti yt i bardhë. Lamtumirë, miku im i shtrenjtë!”, ka shkruar në Facebook, nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Familjes e miqve, telegram ngushëllimi u ka nisur kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ku thuhet: “Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të LDK-së, zv.ministrit Nehat Ramadani. Nehat Ramadani ishte profesionist, punëtor dhe njeri i urtë e me virtyte të larta njerëzore, që me punë dhe përkushtim kreu detyrën e tij në shërbim të vendit dhe institucioneve tona. Në emrin tim personal dhe të LDK-së i shpreh ngushëllime familjes Ramadani, miqve, kolegëve dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tij”.