3 perditesime
23:40

Gjoshi: PDK-ja po rritet, do të dalim në vend të parë

Shefi i Shtabit Zgjedhor të PDK-së, Betim Gjoshi, beson se Partia Demokratike e Kosovës do të dalë e para në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ai, i ftuar në Interaktiv të KTV-së, tha se partia ku bën pjesë është e vetmja që ka trend të rritjes në muajt e fundit.

“Në 6-7 muajt e fundit jemi partia e vetme që kemi ngritje. Sipas matjeve tona të brendshme dhe të jashtme. VV-ja thoshte se është në 50%, tash ka rënë në 40% dhe deri në zgjedhje do të bie edhe për 10 për qind. Nuk po them se jemi parti e parë, por as më 2014 nuk jemi futur si parti e parë dhe kemi fituar,. As VV-ja nuk është futur më 2019 si parti e parë, ishte LDK-ja, por fitoi. Neve programi dhe lista do të na nxjerrin si parti e parë”, ka thënë Gjoshi.

23:33

Gjoshi: Kurti të ballafaqohet me Hoxhajn, le ta marrë edhe Vjosa Osmanin me vete

Betim Gjoshi nga PDK ka thënë se lideri i VV-së Albin Kurti e Vjosa Osmani e cila në zgjedhjet e shkurtit ka dalë me iniciativë të veten e që i është bashkuar një liste të përbashkët me VV-në, duhet të ballafaqohen në debat me Enver Hoxhajn.

Ai në Interaktiv tha se programi i PDK-së do t’i prekë të gjitha kategoritë dhe se sipas tij, një të tillë nuk e ka asnjë parti tjetër.

“Kandidati ynë për kryeministër për të gjitha fushat u ka kërkuar debat liderit të VV-së dhe le ta marrë edhe Vjosën me vete, ta shohin çfarë programi ka për Kosovën. Osmani përballë Hoxhajt, ta shohim programin që kemi ne, që trajton të gjithë qytetarët, punëtorët, sektorin privat, kategoritë sociale, mësuesit, mjekët, kategoritë e dala nga lufta, ndërmarrësit, të gjitha kategoritë. Të tjerët kanë pasë vetëm gjuhë urrejtëse ndaj tjerëve, nuk kemi pa asgjë”, tha ai.

23:18

Gjoshi: Qalajt iu dha letër-lëshimi prej Policisë, do të jetë pjesë e listës

Shefi i Shtabit Zgjedhor të PDK-së, Betim Gjoshi, ka pohuar se ish-drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj që tash ka aderuar në PDK, do të jetë pjesë e listës për zgjedhjet e 14 shkurtit. Ai në Interaktiv të KTV-së tha se Qalaj ka marrë letër-lëshimin nga Policia që konfirmon pranimin e dorëheqjes së tij nga ana e institucioneve të sigurisë.

“Ju ka jap letër-lëshimi prej Policisë dhe do jetë pjesë e listës. Ende nuk është pjesë e strukturave, por do jetë pjesë e listës”, tha ai.

Gjoshi tha se Qalaj është bashkuar me Partinë Demokratike për të dhënë kontributin e tij për sigurinë në vend, pasi shton se për Qalajn PDK-ja ka qenë dera më e sigurt.

PDK-ja ka mbetë adresa e vetme për njerëz që duan ta dhënë kontributin për Kosovës. Është një prej njerëzve që ka marrë lëvdata më të mëdha dhe është zgjedhë në mënyrë transparente dhe është largu në mënyrë jotransparente. Ai ka pa që janë cënuar institucionet e sigurisë në Kosovë, më së shumti ka bë reforma në polici dhe ka vënë disa gjëra në vijë në aspektin e sigurisë. Do ta jep kontributin e vet në kuadrë të rendit dhe ligjit.

23:12

Gjoshi: Gent Cakaj është i mirëpritur në PDK, por nuk do të jetë në listë për deputet

Shefi i shtabit zgjedhor i PDK-së, Betim Gjoshi, ka përjashtuar si mundësi që ish-zv.ministri i Punëve të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj, të jetë pjesë e listës së PDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Gjoshi, në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se Cakaj është i mirëpritur në PDK, porse kësaj here nuk do të jetë pjesë e listës.

“Z. Cakaj është i mirëpritur në PDK, kemi rrugë bashkëpunimi me të, por kësaj here nuk pritet të jetë pjesë e listës së PDK-së. Ka edhe disa obligime të tij. Nuk përfundon jeta politike me këto zgjedhje”, ka thënë Gjoshi.

Cakaj, si zv.ministër në Shqipëri ishte edhe ushtrues detyre i ministrit të Punëve të Jashtme deri para pak javësh.