4 perditesime
21:17

Palushi: Kosova ka nevojë për reformë zgjedhore

Nëse jo reformë kushtetuese, në Kosovë më së paku duhet të ketë reformë zgjedhore, është shprehur avokati Kushtrim Palushi të enjten në Deskun e KOHËS.

“Kundërshtimet apo diskrepancat mes neneve të ndryshme të Kushtetutës që rregullojnë në thelb çështjen e njëjtë, të drejtën për të zgjedhë dhe zgjedhur, tregojnë që ka nevojë edhe Kushtetuta e Kosovës të analizohet edhe një herë nga fillimi edhe në fund, nëse jo të rregullohet për ta plotësuar atë me nene apo sqarime të reja, së paku diskrepancat apo kundërshtimet e neneve me njëra tjetrën të largohen”, ka thënë ai duke shtuar se Kosova ka nevojë për “Kushtetutë të qartë, efikase dhe të dobishme”.

Ai ka shtuar Kushtetuta ka menduar që fushëveprimi i Qeverisë të bëhet me ligj të veçantë, ndërsa Kosova ende s’ka ligj të veçantë për Qeverinë edhe pse Kushtetuta u miratua më 2008.

“Nëse jo reformë kushtetuese, më së paku duhet të flasim për reformë zgjedhore dhe ligjore për arsye se kjo situatë që kemi është si rezultat i një ligji që ekziston. Partitë duhet urgjentisht pas zgjedhjeve të amendamentojnë ose ndryshojnë Ligjin për Zgjedhjet. Nëse ndryshon ai ligj, edhe aktgjykimi i Kushtetueses që ua ndalon kandidimin kandidatëve të dënuar në tri vitet e fundit, bie në ujë sepse bëhet irelevant”, ka thënë ai.

Sipas tij, me ligjet në fuqi në Kosovë “mund të kemi një kandidat për kryeministër që ka kryer vepër serioze para katër vitesh” pasi “nuk kemi kritere çfarë kryeministri të kemi”.

21:10

Zekaj: Standardi për t’u bërë deputet është më i lartë sesa standardi për ta mbajtur mandatin

Yll Zekaj nga IKD ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ua ndalon kandidatëve të futen ne garë për deputetë nëse kanë janë të dënuar, ka rënë ndesh me vetë nenet.

Sipas tij, Kushtetuesja ka bërë absurditet juridik me ngritjen e standardit në fazën e kandidimit, për çka shton se standardi për t’u bërë deputet është më i lartë se ai për ta mbajtur mandatin.

“Standardi i krijuar tani për t'u bërë deputet, është më i lartë se standardi që ekziston për ta mbajtur postin e deputetit. Kjo nuk mund të qëndrojë. Nëse Gjykata Kushtetuese ka krijuar një standard që kërkon për çfarëdo vepre, nëse ai dënim është edhe një vërejtje gjyqësore të mos lejojë të bëhet deputet, si mund ta lejojë atë që për 11 muaj nëse është i dënuar me burg të mbajë pozitën e deputetit. Prandaj, ky vendim i Kushtetueses ka rënë ndesh edhe me këto tri nene që përcaktojnë aspektin zgjedhor, neni 45, 71 dhe 73. Edhe vetë Kushtetuesja ka bërë një absurditet juridik me këtë ngritje të këtij standardi në fazën e kandidimit”, tha ai në DESKU të KTV-së,

Zekaj tha se kjo nuk është mënyra si të dekriminalizohet skena politike.

“E dijmë që është i nevojshëm dekriminalizimi i skenës politike. Kjo nuk është asesi mënyra e dekriminalizimit të skenës politike”, përfundoi ai.

21:01

Çfarë ndodh me kandidatët e pacertifikuar, sipas Palushit

Avokati Kushtrim Palushi thotë se nëse kandidatët që nuk janë certifikuar për zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk shfrytëzojnë mjetet e ankimimit, atëherë vendimi do të bëhet i plotfuqishëm dhe di të hiqen nga fletorja e votimit.

Palushi në një intervistë në Deskun e KOHËS, ka thënë se lideri i VV-së, Albin Kurti, mund vetëm figurativisht t’i prijë listës, ligjërisht jo.

“Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullat zgjedhore janë të qarta në aspektin që, kur një vendim i KQZ-së hyn në fuqi apo bëhet i plotfuqishëm. Nëse kandidatët e pakënaqur nuk shfrytëzojnë mjetet e ankimimit, atëherë vendimi bëhet i plotfuqishëm dhe ata kandidatë në mënyrë automatike, sipas detyrës zyrtare, nga ana e KQZ-së largohen nga fletorja zgjedhor. Në debatin e opinionit publik, Kurti mund të thotë se është bartës i listës, por vetëm figuratvisht, sepse ligjërisht nuk votohet dhe nuk do të hyjë në garën për deputetë”, ka thënë Palushi.

20:49

Palushi: PZAP-ja dhe Supremja mund të hedhin poshtë vendimin e Kushtetueses

Avokati Kushtrim Palushi ka thënë se për kandidatët për deputetë që mund të kenë problem me certifikim nga KQZ-ja, janë dy rrugë për të adresuar ankesat e tyre. Tha se ekziston mundësia që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të përmbyset nga ajo e Supremes apo PZAP-ja, megjithatë, shton ai, kjo do të nxiste debat tjetër.

“Hipotetikisht ka mundësi që të përmbyset ky vendim i Kushtetueses nga Supremja apo PZAP-ja, sepse Gjykata Supreme dhe PZAP-ja trajton secilin rast veç e veç, me meritat e tij, nuk i trajton rastet në përgjithësi. Mundet PZAP-ja dhe Supremja të sjellë vendim që hedhin poshtë vendimin e Kushtetueses, megjithatë vendimi i Supremes do nxisë debat tjetër se cili është efekti i Kushtetueses nëse nuk i respektojmë vendimet e saj”, tha Palushi në DESKU të KTV-së.

20:33

Zekaj e sheh absurd aktgjykimin që ia ndaloi Kurtit dhe të tjerëve kandidimin për deputet

Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka cilësuar absurd aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese përmes së cilit i është ndaluar kandidimi për deputet 47 personave, përfshirë kandidatit për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në Deskun e KOHËS, Zekaj ka thënë se Kushtetuesja me aktgjykimin që të dënuarve për vepra penale në tri vitet e fundit me vendim të prerë t’u ndalohet kandidimi për deputet, ka disa “absurditete juridike”.

“Ne si Institut i Kosovës për Drejtësi kemi përcjellë vendimmarrjen në rastin e kërkesës së VV-së për ish-deputetin Etem Arifi. Praktikisht ky aktgjykim ka disa absurde juridike të shprehura mes ekspertëve dhe juristëve. Ky aktgjykim më shumë ka trajtuar nëse Kushtetuta është në pajtim me ligjin sesa e kundërta. Ajo e ka obligim nëse disa nene janë në përputhje me Kushtetutën dhe jo të kundërtën”, ka thënë ai duke shtuar se aktgjykimi bie ndesh me nenet e Kushtetutës se të gjithë qytetarët kanë të drejtë të kandidohen për t’u zgjedhur, pos nëse u ndalohet me vendim të gjykatave.

Sipas tij, vendimi ka qenë i papritshëm.

Duke u bazuar në këtë aktgjykim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi të mërkurën se 47 kandidatë për deputetë nuk kanë të drejtë të kandidojnë.

Në anën tjetër, avokati Kushtrim Palushi ka thënë se me aktgjykim Kushtetuesja ka tejkaluar kërkesën e VV-së për votën e ish-deputetit të dënuar për vepër penale.

“Në aktgjykimin e saj, Kushtetuesja ka tejkaluar kërkesën e VV-së, por s’ka faj vetëm Kushtetuesja sepse kërkesa e VV-së s’ka qenë e qartë mjaftueshëm për t’u kufizuar vetëm në votën e deputetit. Madje gjykata konstaton edhe për kryetarin e Kuvendit, KGJK-në e të tjerat se këto institucione s’e kanë të qartë kur ai e ka humbur mandatin. E vërteta është se duke arsyetuar këto dy procese, e drejta për t’u zgjedhur deputet dhe humbja e mandatit si deputet janë pashkëpushmërisht të lidhura me njëra tjetrën”, ka shtuar ai.