2 perditesime
23:42

Kurteshi beson se Supremja do ta përmbysë vendimin e KQZ-së

Sami Kurteshi, përfaqësues i VV-së në KQZ, ka thënë se nuk besojnë se Gjykata Supreme nuk do ta certifikojë listën.

Ai u adresohet subjekteve të tjera politike që të jenë të gatshëm sepse VV-ja nuk do të dorëzohet, ndërsa bindshëm përsëritë se kanë të drejtë.

“Ne nuk jemi nisur nga ky plan, nuk e besojmë se nuk e certifikon. Do punojmë sipas bindjeve dhe planeve tona dhe çdo rrethanë e re sjellë mendime dhe veprime të reja. Nuk dorëzohemi para padrejtësive dhe ata duhet të bëhen të gatshëm që ne nuk dorëzohemi. Jemi të bindur se kemi të drejtë”, tha ai në Interaktiv.

23:35

Kurteshi fajëson Dakën për rastin e deputetit Arifi

Sami Kurteshi ka fajësuar kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, edhe për rastin e deputetit Etem Arifi.

Vota e tij u shpall e pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese, e me këtë ra edhe Qeveria Hoti.

Sipas Kurteshit, Daka ishte anëtare e trupit gjykues në rastin e Arifit, kurse në rastin tjetër kryetare e trupit gjykues. Sipas tij, Daka është dashur të dijë rastin e Arifit dhe të mos e certifikojë, “për fajin” e të cilit ra qeveria.

“Cili është veprimi i zonjës Daka? Ajo ka bërë lëshime të hatashme, edhe më 2019 edhe më 2017. Zonja Daka për të mbuluar fajin e vetë, të cilin e ka nxjerr sheshazi Gjykata Kushtetuese në vendimin e vet që thotë se institucionet e Republikës nuk e kanë një komunikim të mirëfilltë dhe të rregullt në lidhje me këto vepra. Pse po e them, kjo ka të bëjë me rastin e Etem Arifit dhe kërkesa e VV-së ka qenë se a është mandati i tij i rregullt apo jo. GJK-ja ka kërkuar saktësim të kërkesës. Tash a ka dal GJK-ja jashtë kësaj, le ta gjykojnë të tjerët, por ajo në asnjë moment nuk e ndalon kandidimin e këtyre njerëzve. Në atë vendim, GJK-ja thotë se institucionet kompetente nuk kanë pasur komunikiim të rregullt. Ajo që është më paradoksale është kjo: në dy rastet, kryetare e trupit gjykues që e ka gjykuar Etem Arifin ka qenë zonja Daka”, ka thënë Kurteshi në Interaktiv të KTV-së.

23:07

Kurteshi: Daka dhe përfaqësuesit e LDK-së e PDK-së kërcënuan hapur Buleshkajn

Përfaqësuesi i VV-në në Komisionin Qendror Zgjedhor, Sami Kurteshi, thotë se kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka dhe përfaqësuesit e LDK-së e PDK-së, kërcënuan hapur shefin e Zyrës për Certifikim të partive, Yll Buleshkaj.

Buleshkaj, si përfaqësues i Zyrës për Certifikim, sot rekomandoi që listat të votohen në pako, e jo veç e veç. Kjo nxiti reagime te partitë, si PDK e LDK.

Kurteshi në një intervistë në Interaktiv, tha se Daka me përfaqësuesit e LDK-së e PDK-së krijuan një koalicion. Ai e ka akuzuar Dakën që asnjëherë nuk ka qenë e paanshme, e që ia parasheh posti që mban.

“Kjo ka qenë e pritur, reagimet e zonjës Daka, përfaqësuesit të LDK-së e sidomos PDK-së, ishin shumë skandaloze. Këta tre së bashku, Daka me fjalë pak më të zgjedhura, në të vërtetë e kërcënuan zotin Buleshkaj. Ishte kërcënim i hapur, ky koalicion doli i shpërfaqur. Daka kurrë s’ka qenë e paanshme, por sonte tregoi hapur se cilën anë e mban. Qëndrimi i saj nuk është i rastësishëm, kemi pa qëndrimin e saj dhe veprimet e saj. Kjo sonte është maja e Ajsberut”, ka thënë Kurteshi.

Sot gjatë ditës, listat e VV-së, AAK-së dhe Nismës nuk u certifikuan, pasi me aktgjykimin e fundit të Kushtetueses, kandidatët që janë të dënuar për vepra të ndryshme në tri vitet e fundit, nuk mund të garojnë për deputetë.