1 perditesime
21:17

PDK-ja premton rritje pagash e pensionesh

Kandidati për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj, tha se me këtë parti në qeveri do të ketë rritje pagash për mësimdhënësit, policët, mjekët e infermierët dhe rritje të pensioneve të moshës dhe të veteranëve.

Sipas tij, kudo në vned po ndjehet fryma e fitores së Partisë Demokratike.

"Është një program që të moshuarve do t'iu ofrojë jetë të dinjitetshme, sepse do t'i rrisim pensionet 30 për qind, 40 për qind edhe për ata në moshë edhe për ata të cilët kanë dhënë kontribut. Është një program, i cili veteranëve të luftës, invalidëve të luftës, familjeve të dëshmorëve, do t'ua rrisë pensionin deri në 300 euro falë mirënjohjes që kemi ne për kontributin e tyre. Është një program, i cili synon të zhvillojë ekonominë, ta modernizojë shoqërinë, ta përmbyllë shtetndërtimin e Kosovës. ", tha ai në tubimin me banorët e Isniqit të Deçanit.

Ndërkaq, në takimin në Rahovec, Hoxhaj tha se për vreshtarët do të ndajë 2.000 euro subvencione për hektar.

17:14

Hoxhaj: Gjysmën e popullatës do ta vaksinojmë kundër COVID-19

Duke mos respektuar asnjë masë mbrojtëse kundër COVID-19, ka filluar tubimi elektoral i PDK-së, në Gjakovë. Shumë persona janë mbledhur në një hapësirë të mbyllur, e që shumë nga ta nuk kanë as maskën mbrojtëse dhe nuk po respektojnë distancën. Kandidati për kryeministër kësaj partie, Enver Hoxhaj i cili erdhi me më shumë se gjysmë ore vonesë është pritur me duartrokitje nga simpatizantët e tij, derisa as vet nuk ka pasur maskë.

Hoxhaj, ka bërë edhe fushatë për zgjedhjet lokale derisa ka prezantuar programin e partisë nëse do të jenë në krye të Qeverisë nga zgjedhjet e 14 nëntorit.

Hoxhaj ka thënë se nëse PDK-ja do të qeveriste me Gjakovën, do të ishte ndryshe. Ai ka premtuar se gjysmën e popullatës do e vaksinojnë kundër COVID-19, derisa Hoxhaj nuk u përkujdes as ta vendoste maskën dhe të mbante distancën.

Kandidati për deputet nga kjo parti dhe kryetar i degës në Gjakovë, Hajdar Beqa, ka përmendur ish-kryetarët e kësaj partie, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

Ai ka prezantuar kandidatët për deputetë që janë nga kjo parti nga komuna e Gjakovës.

Beqa tha se dy kryeministrat që shkuan nuk do të kthehen më dhe se atyre u deshën me muaj për të arritur negociatat e tyre. Beqa ka thënë se nuk ka ndodhur asgjë e mirë në Kosovë pa PDK-në.

Hoxhaj ka ftuar edhe një herë Albin Kurtin në debat, derisa ka thënë se rival e sheh vetëm atë, por që do të fitojë.