Arbëri

Avdyli: Më 14 shkurt, populli ta dërgojë Isa Mustafën në pension

 

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka vazhduar betejën me kryetarin e ish-partisë së tij, Isa Mustafën. Në një reagim në Facebook, kandidati për deputet nga lista VV-“Vjosa”, ka thënë se në zgjedhjet e 14 shkurtit “votuesi i LDK-së ka shans ta dërgojë në pension Isa Mustafën”.Një ditë pasi Mustafa fyeu kundërshtarët dhe ata që kritikuan partinë e tij në studio televizive, Avdyli i është kundërvënë Mustafës duke e quajtur “politikan të papërgjegjshëm, intrigant, shpifës, manipulator, tinëazar, e jolegjitim”.

“Ku është Isa Mustafa. Ai tani rri i qetë diku, pa qarë kokën, derisa të tjerë kërkojnë votën për të. Ai s’është në lista për deputetë, por më 15 shkurt ai dhe një grup pa legjitimitet, ka rrezik prapë ta marrin në dorë fatin e një populli të tërë, siç e morën në vitin 2019 duke torturuar një opinion të tërë me negociata pa fund për postin për President për vete. Prandaj më 14 shkurt duhet të dalim #KREJTdheDREJT në zgjedhje për ta shpëtuar Kosovën nga ky politikan që fatin e vendit e rrezikon për interesa puro personale. Më 14 shkurt pas 40 vite karrierë votuesi i LDK-së ka shans me votë të dërgojë z. Mustafa në pension, duke mos lënë Kosovën e ngulfatur nga ai. S’ka dyshim që në mes 110 kandidatëve në LDK njoh plot djem e vajza të mira që meritojnë votën por me 15 shkurt ata që mund të zgjidhen s’vendosin asgjë as për koalicionet, as politika e mëdha për vendin. Vendos Isa me një grup të panjohur, krejt bazuar në interesa të tyre grupore”, ka shkruar Avdyli.