2 perditesime
18:11

Nisma: Çlirimtarët duhet të jenë në Parlamentin e Kosovës

Nisma Socialdemokrate ka vazhduar me betejën e saj politike me Partinë Demokratike të Kosovës. Sekretari i kësaj partie, Bilall Sherifi ka thënë se kjo parti duhet të jetë në Kuvend, teksa ka kritikuar PDK-në se “nuk e ka pritur që kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, do të sulmojë një bashkëluftëtar për një mohues të gjenocidit” duke iu referuar kandidatit të PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhajt.

“Jepjani votën Nismës jo vetëm që nuk pendoheni, por kjo votë do të jetë momenti më krenar që mund ta keni. Nuk ka kurrfarë dallimi mes Limajt dhe Hashim Thaçit. Nuk ka logjikë të derdhësh lot krokodili për Hashimin dhe të dalësh kundër Limajt në anën tjetër. Asnjë dallim nuk ka mes Fatmirit, Hashimit e Kadri Veselit. Dallimet kanë qenë pas luftës vetëm për shkak të politikës. Nuk ka dallim mes Fatmirit dhe Hashimit sa i përket luftës. Prandaj e ftoj Ramizin dhe gjithë të tjerët: Votojeni Nismën Socialdemokrate dhe të gjithë çlirimtarët duhet të jenë në parlamentin e Kosovës”, ka thënë ai.

17:35

Pa nisur tubimi, Policia gjobit Nismën për shkelje të masave anti-COVID

Policia e Kosovës ka gjobitur Nismën Socialdemokrate pak minuta para se të niste tubimin e radhës elektoral në një hotel në rajonin e Prishtinës, pasi kishte shkelur masën për numrin e kufizuar të qytetarëve brenda ambientit të mbyllur.

Tubimi ka nisur pas gjobitjes, me shumë aktivistë të Nismës që tashmë janë brenda sallës.

15:35

Limaj në Prizren: Shihemi më 14 shkurt në ditën e fitores së çlirimtarëve

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vizituar Prizrenit ndër të tjera sot, ndërsa është drejtuar me një mesazh, duke thënë se më 14 shkurt do të jetë dita e fitores së madhe të çlirimtarëve.

Ai ka thënë se nga ky vend historik i kombit tonë, fryma çlirimtare është bartur brez pas brezi.

Lideri i Nismës ka thënë se më shumë se kurrë na duhet kjo frymë çlirimtare, e cila u bart në kushte dhe rrethana shumë më të vështira, por falë burrave të mëdhenj të këtij kombi arritën që në rrethana të vështira të ruajnë traditën, kulturën, identitetin e mbi të gjitha gjuhën e kombit tonë.

“Në qytetin e bukur të Prizrenit, ishim për të takuar strukturat tona dhe bashkë me ta, nderuam heronjtë tanë dhe vizituam Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. U jemi tejet mirënjohës mbështetësve tanë në Prizren, që janë rreshtuar fuqishëm krah çlirimtarëve të 121-it, që pas 14 shkurtit, në Parlament e kudo do të angazhohen për rikthimin e të vërtetës sonë kombëtare dhe historike”, ka shkruar Limaj në Facebook.

Ai ditën e nisi duke e vizituar Fushë-Kosovën, para se shkonte në Komoran, në Tërpezë, Malishevë, Rahovec e më pas Prizren.

“Vota për numrin 121 është votë për mbrojtjen e vlerave të Rahovecit dhe vlerave tona kombëtare”, ka shkruar Limaj në Facebook pas vizitës në Rahovec.