1 perditesime
18:40

KQZ-ja paralajmëron se s’do të pranojë të shtunën votat nga diaspora

Edhe pse posta e shpejtë “DHL” kishte thënë se si pasojë e një problemi të shfaqur në Gjermani do të dorëzojë pako me vota nga jashtë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të shtunën, një ditë pas afatit ligjor, kjo gjë është paralajmëruar se do të refuzohet nga KQZ-ja.

Në një përgjigje për KOHËN, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka thënë se “sot përmbyllet periudha e votimit përmes postës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar të pranojë pako të supozuara me fletëvotime të cilat po vijnë nga jashtë vendit”.

Ai ka thënë se deri më tani janë pranuar rreth 38 mijë e 339 pako.

“Pranimi i këtyre pakove po bëhet me përcjelljen e Policisë së Kosovës si dhe vëzhguesve të subjekteve politike dhe organizatave jo-qeveritare të akredituara”, ka thënë ai.

17:18

DHL: Votat nga diaspora do të dërgohen edhe të shtunën në KQZ

Përfaqësues të postës së shpejtë “DHL” në Prishtinë kanë thënë që edhe të shtunën, ndonëse përfundon afati, do të sjellin vota nga diaspora për shkak të një vonese si pasojë e një problemi të shfaqur në Gjermani, në pikën ku mblidhen e pastaj shpërndahet posta.

Ata kanë thënë se kanë njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për problemin dhe nesër do të marrin edhe një kontingjent tjetër për ta dërguar në KQZ.

Deri tash, në adresë të KQZ-së, me “DHL” kanë ardhur rreth 6000 pako/zarfe me fletëvotime nga diaspora.

Qendrën e kësaj poste në Prishtinë të premten e ka vizituar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde. Ai ka thënë se ka pas shumë interesim dhe është mirë që kosovarëve jashtë vendit u është mundësuar të votojnë, edhe pse kjo u ka kushtuar shumë.