Arbëri

IKD-ja kërkon hetim ndaj Lumezit e Hysenit për avancimin e këtij të fundit

Foto: Ilustrim
 

(KosovaPress) - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës të iniciojë hetim penal kundër kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi dhe prokurorit Bahri Hyseni për konflikt të interesit me rastin e avancimit të këtij të fundit në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Ndërsa apeloi që të hyrat shtesë të prokurorëve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të mos kalojnë 25 përqind të pagës bazë.

IKD ka ardhur në përfundim se prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit janë funksionarët publikë më të paguar në Kosovë ndërsa avancimi i tyre bëhet në mënyrë të kundërligjshme, për çka të shtunën ka publikuar raportin “Ligjshmëria e avancimeve dhe përfitimeve në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit”.