9 perditesime
14:52

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon një tjetër konferencë paragjyqësore

Është përmbyllur konferenca e tretë mbi ecurinë e çështje gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit.

Avokatët mbrojtës të palëve kanë kërkuar që muajve në vazhdim të mbahet edhe një konferencë paragjyqësore, me qëllim që të sqarohen për çështjet e mbetura.

Avokati Emerson ka kërkuar nga Prokuroria që t’ua japin dosjen e dëshmitarëve dhe hetimeve, në mënyrë që pala mbrojtëse t’i bëjë hetimet e nevojshme.

“S’mund t’u përgjigjemi saktësisht pa na dhënë dosjen e plotë”, ka thënë ai. Mbrojtja ka thënë se një konferencë e tillë në fillim të muajt mars do të ishte e mirëpritur, derisa ka shtuar që konferencat duhet mbajtur për t’u ndjekur procedurat.

14:43

Mbrojtja përmend se ndër pengesat në hetimet është edhe COVID-i

Avokati mbrojtësi i Hashim Thaçit, David Hooper, ka thënë se ndër arsyet tjera që po e vështirëson hetimin e mbrojtjes, pos asaj që nuk po dorëzohet siç duhet materiali nga Prokuroria, është edhe situata me pandeminë COVID-19.

Hooper ka thënë se ndonëse ka kartën diplomatike nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe mund të udhëtojë pa telashe, situata me COVID e bën të pamundur këtë.

Ndërkohë avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka insistuar se ai nuk mund të udhëtojë në Kosovë në këtë situatë për shkak të situatës me pandeminë dhe problemeve shëndetësore që ka.

Ai ka përmendur se edhe së fundi janë mbajtur zgjedhjet në Kosovë ku shumë njerëz kanë qëndruar në afërsi në ambiente të mbyllura.

Ai thotë se mund të evitohej kjo nëpërmjet video-konferencave, por se dëshiron të jetë avokat mbrojtës i përgjegjshëm dhe të mos qëndronte vetëm në zyrë duke shikuar dokumente por të dal edhe në terren.

Emmerson ka insistuar sërish që dosja paraprake të dorëzohet nga Prokuroria në prill.

“Nuk do të shpenzojmë para e burime të hetimeve pa e ditur se cila do të jetë çështja e Prokurorisë. Edhe pas nëntë muajve nëse nuk zgjidhet kjo atëherë do të bëjmë diskutimin e njëjtë. Të jepet dosja paraprake në prill. Drejtësia do që gjykimi të shihet si proces i rregullt. Kur prokuroria nisi punën me këtë politikë, që po e shpalos këtu për të kufizuar aftësinë e mbrojtjes, është në dorën tuaj z. Gjykatës që ta drejtoni kursin e procedurave këtu, për të bërë punë të mirë profesioniste, e t’i tregohet komunitetit ndërkombëtarë që kjo gjykatë e meriton mandatin që i është dhënë”, ka thënë Emmerson.

14:28

Avokati i Veselit: S’mund të nisemi drejt Kosovës për hetime, ka ndikuar pandemia

Avokati i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Ben Emmerson, ka deklaruar se derisa nuk janë filluar hetimet, është e vështirë të vjen në Kosovë për të kryer hetime.

Kjo për arsye se sipas tij, në shtyrjen e datës së hetimeve ka ndikuar pandemia e koronavirusit,duke mbyllur kufijtë e Holadës.

Ai ka shtuar se fillimi i muajit maj do të ishte datë për fillimin e hetimeve nga ana e mbrojtjes.

“Fillimi i majit do të ishte datë për fillimin e nisjes së hetimeve, ashtu siç u tha nga Hooper(avokati i Thaçit), nuk është çështje teknik teknike shtyrja e hetimeve por e kemi pasur të pamundur nisjen e tyre. Prokuroria nuk na ka dhënë materialin e duhur. Duhet të them që do të ishte qesharake nëse nuk do të merreshin parasysh masat si COVID-19”, ka deklaruar Emmerson.

Ai ka shtuar që është e pamundur të udhëtohet drejt Kosovës pasi që nuk kanë marrë dosjen nga Prokuroria, që të fillohen hetimet.

14:22

Krasniqi reagon ndaj prokurorit Smith: Nuk mund të flasësh në emër të qytetarëve të Kosovës

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka reaguar ndaj deklaratave të prokurorit Jack Smith, duke thënë se ai mos të flasë në emër të qytetarëve të Kosovës.

Krasniqi ka thënë se Smith mund të flasë vetëm si mbrojtës i politikave të krimit dhe gjenocidit të Serbisë që ka kryer ndaj popullit të Kosovës.

“Reagim i imi në fjalën e prokurorit Smith, kur foli në emër të popullit të Kosovës. Në emër të qytetarëve të Kosovës, në emër të popullit të Kosovës, mund të flasim ne përfaqësuesit e tij. Unë 45 vjet të jetës i kam të angazhuara për lirinë, drejtësinë dhe çlirimin e kombit tim nga robëria. Në zgjedhjet e vitit 1992, kam qenë i zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës që regjimi kriminel i Serbisë nuk e lejoi të konstituohej. Pas luftës çlirimtare kam qenë në të gjitha legjislaturat, deri në atë të vitit 2014, përfaqësues i qytetarëve të Kosovës. Dhe kisha lutur prokurorin nëse duhet të flas në emër të dikujt, ose duhet të flas në emër të krimeve të pretenduara, le të bëhet mbrojtës i politikave të krimit dhe gjenocidit që regjimi i Serbisë ka përdorur kundër kombit tim nga viti 1876-78 të shekullit XIV. Prandaj në emër të popullit tim, në emër të kombit tim, në emër të luftës dhe sakrificave të mëdha të vendit, flasim ne përfaqësuesit e tij e jo ata që tentojnë të dënojnë luftën shumëvjeçare të kombit tim, e në mënyrë të veçantë luftën e fundit të popullit tim për liri, drejtësi, pavarësi e për shtetndërtim, për të cilën dhe e kemi fituar mbështetjen ndërkombëtare. E kemi çliruar Kosovën e Kosova sot është shtet i pavarur, i lirë nga ai regjim”, ka thënë Krasniqi, ish-zëdhënës i UÇK-së.

14:14

Hooper: Nuk jemi gati t’i fillojmë hetimet

Avokati mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, David Hooper, ka deklaruar se nuk janë të gatshëm t’i fillojnë hetimet.

Hooper ka deklaruar se kanë pasur vështirësi në qasjen e plotë të materialeve relevante dhe diskutimit të mirëfilltë me klientin e tij.

“Ne nuk i kemi filluar hetimet, nuk i shoh që mund të fillojnë para prillit, edhe sikur të mos ishte çështja e koronavirusit, do të ishte e vështirë. Më duhet të shoh edhe lidhjet me klientin tim, në këtë rast, Hashim Thaçin”, ka deklaruar Hooper.

Ai ka kërkuar që të ketë qasje në dokumentet dhe materiale e duhura në lidhje me rastin në fjalë, duke përmendur se kanë angazhuar një hetues si parësor, për t’u ndihmuar në procesin e hetimeve nga ana e mbrojtjes.

13:30

Smith thotë se data e dorëzimit të dosjes paraprake të lidhet me datën e gjykimit, përmend frikësimin e dëshmitarëve

Prokurori Jack Smith ka kërkuar që dorëzimi i dosjes paraprake të lidhet me datën e gjykimit, dhe se mos të ketë hapësirë të madhe mes këtyre, pasi rrezikohen dëshmitarët.

“Është e rëndësishme t’i jepet mbrojtjes koha dhe burimet për t’u mbrojtur. Por kjo gjykatë duket të ketë konsiderata tjera për të marrë parasysh kur caktohet data e gjykimit dhe e dorëzimit të dosjes paraprake. Kemi një orë e gjysmë këtu dhe nuk është përmendur realiteti i frikësimit të dëshmitarëve, është realitet i kësaj çështje e do të mbetet. Është fakt që nëse ka hendek të madh mes nxjerrjes së gjitha dokumenteve e datës së gjyqit, atëherë do të rrezikojë dëshmitarët e kjo nuk është folur. Janë vendosur masa mbrojtëse, janë bërë redaktime, është zvogëluar rreziku, por nuk është eliminuar tërësisht. Duhet të themi gjitha këto, pasi nëse lejohet kohë e madhe me muaj, atëherë nuk do t’i shërbejnë dëshmitarëve e viktimave”, ka thënë Smith.

Ai ka shtuar se Prokuroria është që të caktohet një gjykim më i shpejt, e të caktohet data e dorëzimit të dosjes paraprake në lidhje me këtë datë, në mënyrë që të ketë të drejtë për viktimat, të akuzuarit e po ashtu edhe për Kosovën.

Ai ka përmendur edhe 20 milionë euro që ka alokuar Qeveria e Kosovës për mbrojtjen e të akuzuarve, ndërsa ka thënë se është me rëndësi që të ketë burime që mbrojtja të përgatitet.

13:04

Emmerson kërkon që Prokuroria ta dorëzojë dosjen paraprake në fillim të prillit

Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka kërkuar që Prokuroria ta dorëzojë dosjen paraprake në fillim të prillit, në mënyrë që mbrojtja të mund të bëjë hetimet e të përgatitet si duhet për gjykimin.

Ai ka thënë se Prokuroria nuk po përmbush detyrimet e veta dhe se në materialet që ka dorëzuar nuk ka lidhje mes dëshmitarëve, incidenteve apo vendngjarjeve ku pretendohet se janë kryer krimet.

“Ajo që thotë Prokuroria është se do të marrim këto udhëzime kur ata të dorëzojnë dosjen paraprake. Ne na duhet ajo më herët. Sugjerojë z. Gjykatës që të urdhërohet një datë të dorëzimit nga Prokuroria të dosjes paragjyqësore në fillim të prillit. Të dorëzohet bashkë e të mbushen ato boshllëqe që Prokuroria po i lë fillimisht, në mënyrë që të nisim hetimet tona. Prokuroria po na vë në pozitë që të hyjmë në pyll pa dalje”, ka thënë Emmerson.

Nga mbrojtja po ashtu është thënë se është e vështirë të bëhet një lidhje pasi ka shumë dokumente e shumë dëshmitarë, dhe se duhet bërë lidhje mes tyre.

12:29

Emmerson akuzon ZPS-në për çështjen e nxjerrjes së materialeve, thotë se nuk ka asnjë provë kundër Veselit

Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka akuzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar për çështjen e nxjerrjes së materialeve. Ai ka thënë se është mënyrë e pa organizuar dhe kaotike se si bëhet kjo dhe se po pengohen hetimet.

Ai ka thënë se mund të jenë dy arsye prapa kësaj, një se ata që janë në Prokurori janë jokompetent për këtë punë, e që thotë se dyshon, dhe se e dyta është se kjo bëhet qëllimshëm vetëm për të dënuar me çdo kusht të akuzuarit.

Ai ka shtuar se po duhet të lexohet grumbulli i provave që është dorëzuar në mënyrë kaotike.

Ka thënë se në to përmenden 34 vendngjarje krimesh të pretenduara nga Prokuroria, dhe se secila prej tyre ka kronologjinë e vet, dhe se asnjëra nuk është analizuar siç duhet nga Prokuroria.

“Janë 34 vendngjarje të ndryshme ku pretendohet nga Prokuroria se janë kryer krime dhe se në asnjë prej tyre nuk përmendet se ishte i pranishëm klienti im Kadri Veseli”, ka thënë Emmerson, që ka shtuar se po pengohen hetimet e mbrojtjes, ndërsa ka thënë se është duke punuar një grup hetuesish të angazhuar nga ekipi i tij që nga janari me çështjen e materialeve.

Emmerson ka shtuar se Prokuroria është fokusuar që të dënohen patjetër të katër të akuzuar dhe të paraqitet grupi si një ndërmarrje kriminale e organizuar.

 “Ka ardhur koha që Gjykata ta merr në dorën situatën dhe t’i shtrojë prokurorisë pyetje se pse po e bën kaq të vështirë punë e mbrojtjes. Prokuroria siç duket ende se ka kuptuar se çfarë çështjes do të ngre dhe si pret që mbrojtja të fillojë punën e saj, kur nuk e ka thënë qartë se cilat prova do përdoren”, ka shtuar Emmerson. 

Avokati mbrojtësi i Veselit, Ben Emmerson, ka insistuar se sulmi i tij nuk është sulm individual ndaj prokurorit Jack Smith, por për mënyrën se si po punon ZPS-ja.

Ai i ka bërë thirrje gjykatësit të procedurës paraprake Nicolas Giju që të hiqen pengesat që po bën Prokuroria në mënyrë që mbrojtja të jetë në gjendje të kryej detyrën e vet.

“Siç është situata aktualisht, duket se Prokuroria ka politikë ta bëjë çështjen sa më të vështirë për mbrojtjen, që të vështirësojë hetimet. Ne do t’i kërkojmë gjyqësorit të pavarur që të ndërhyjë e të sjellë në rrugën e duhur Prokurorinë. Nuk duhet lejuar Prokuroria ta dërgojë këtë në drejtim të gabuar. Duhet të hiqet kjo vijë. Nuk është sulm ndaj një personi, por është sulm ndaj mënyrës se si funksionon Prokuroria. Zoti Smith është në krye të saj”, ka thënë Emmerson.

Emerson ka shtuar se ankesat e tij nuk janë individuale ndaj njërit përfaqësues të Prokurorisë, por në tërësi, duke deklaruar se Prokuroria duhet ta bëjë punën e saj në mënyrë konsistente.

“Duhet t’i hiqni pengesat në të dy anët që të ketë drejtësi”, i ka thënë Gjykatës mbrojtja e Veselit.

Edhe avokati tjetër mbrojtës David Young ka folur për vështirësitë në lidhje me materialet e ofruar nga prokuroria.

12:09

Mbrojtja e Thaçit: Janë qindra dëshmitarë që s’dimë asgjë për ta

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, David Hooper ka deklaruar se janë bërë të ditur 124 dëshmitë në rastin e klientit të tij, mirëpo nuk është dhënë asnjë informatë rreth tyre.

“Ka dëshmitarë që s’janë bërë të ditur, nuk është dhënë ndonjë përmbledhje, çfarë do të diskutojnë këta dëshmitarë. Asnjë dëshmitarë nuk është bërë i njohur bashkë me provat sepse kur ka një dëshmitar, duhet të ketë edhe të dhëna”, ka deklaruar ai.

Hooper ka shtuar se mungojnë dëshmitë dhe të dhënat e tyre.

11:47

Gjykata Speciale: Nis seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Hagë ka nisur konferenca e tretë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit.

Nga fillimi i nëntorit, katër ish-krerët e UÇK-së janë në paraburgim në Hagë. Ata po akuzohen për krime lufte.

Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes një parashtrese drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake lidhur me konferencën e tretë ka kërkuar që fillimi i gjykimit të jetë në shtator të vitit 2021.