2 perditesime
16:57

Mustafa: Osmani nuk ka ndikuar në rënien e LDK-së, vota ka shkuar në Vetëvendosje

Kryetari në dorëheqje i LDK-së, Isa Mustafa e rezultatin e zgjedhjeve të së dielës e ka quajtur populist dhe jo të mirë për Kosovën si vend demokratik.

"Për mua çdo rezultat që është populist në çdo vend, edhe përpara në regjimet e tjera edhe tani në demokracinë evropiane nuk është treguar në asnjë rast i mirë dhe i dobishëm për asnjë vend. Gjithsesi edhe për këtë rezultat mendoj sepse asnjëherë politikat populiste asnjë vendi demokratik nuk i kanë shërbyer. Kanë vendosur qytetarët, nuk e vëmë në pikëpyetje vendimin e tyre, por që besoj që i kemi bërë mirë Kosovës me këtë rezultat unë nuk besoj", ka thënë ai.

Pas mbledhjes me kryetarët e degëve të partisë, Mustafa ka deklaruar se nuk është pishman për prishjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi ka thënë se këtë e ka bërë për të ruajtur raportet me SHBA-në dhe të ardhmen e vendit, duke shtuar se Vjosa Osmani nuk e ka dëmtuar LDK-në në këto zgjedhje dhe se vota e tyre ka shkuar në Vetëvendosje.

"Dhe më tutje që besoj që kemi bërë ne gabim në LDK që kemi prishur koalicionin me Vetëvendosjen nuk besoj sepse kemi bërë shumë mirë, sepse kemi bërë për të ruajtur marrëdhëniet strategjike me SHBA-në dhe për të ruajtur dinjitetin e partisë tonë, dhe tonën vetë. Në qoftëse e kemi paguar çmimin, e paguajmë çmimin por për mua është shumë më i lehtë të paguajmë një çmim me një votë dhe me disa vota sesa të paguajmë çmime me parterët tanë strategjikë dhe me ardhmërinë tonë", ka shtuar tutje Mustafa.

Tutje, ai se Vjosa Osmani nuk ka ndikuar në humbjen e zgjedhjeve.

“Derisa kemi zhvilluar fushatë s’kemi pasur asnjë sinjal që ka ndikuar Vjosa Osmani në rënien e LDK-së, vota jonë ka shkuar në VV, njerëzit që kanë votuar para një viti e gjysmë kanë votuar Vetëvendosjen, a ja kanë qëlluar apo s’ja kanë qëlluar do ta shohim”, tha Mustafa.

15:34

LDK-ja ende s’ka kandidat për kryetar të partisë

Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka emër për kandidatin e partisë. Këtë e ka deklaruar zyrtari i kësaj partie, Arban Abrashi, duke thënë se të gjithë kryetarët e degëve do të mbesin në pozitat e tyre, deri në mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor.

Abrashi ka shtuar se kryetari i dorëhequr, Isa Mustafa, i ka njoftuar kryetarët e degëve për dorëheqjen e ofruar. Ai ka thënë se të gjithë kryetarët e degëve do të mbesin në pozitat e tyre deri ne mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor

Abrashi ka përmendur se do të formohen dy komisione, njëri do të merret me organizimin e Kuvendit Zgjedhor, kurse tjetri me kandidatët për kryetar të partisë.

14:08

Mblidhen kryetarët e degëve të LDK-së

Dy ditë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës pësoi humbjen më të thellë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, dhe një ditë pasi për këtë arsye u dorëhoq Kryesia e Partisë, në selinë e LDK-së janë mbledhur kryetarët e degëve.

Takimi ka nisur në orën 14:00, ka mësuar KOHA.

LDK-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit doli e treta me rreth 13 për qind të vota, që ishte rezultati më i dobët në histori të kësaj partie. Lëvizja Vetëvendosje doli e para me mbi 45 për qind, ndërsa PDK-ja e dyta me rreth 17 për qind. Si pasojë e rezultatit të dobët, Isa Mustafa u dorëhoq nga kryesimi i partisë ndërsa u zotua se do të mundësojë shpejt zgjedhjen e një kryetari të ri.

Dikur kjo parti ka qenë kryesorja në vend, ndërsa me zgjedhjet e fundit LDK-ja nuk kryesonte as në komunat të cilat i kishte bastione të saj.