1 perditesime
10:25

Kurti e Osmani në Prekaz: Ky vend na përkujton sa i lartë është çmimi i lirisë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe u.d. e presidentes Vjosa Osmani kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të familjes Jashari në Prekaz.

Kurti ka thënë se ky vend përkujton se sa i lartë është çmimi i lirisë.

“Prekazi heroik është vendi i kushtrimit për çlirim. Vendi që na përkujton se sa i lartë është çmimi i lirisë dhe se sa të privilegjuar jemi ne që jetojmë e festojmë 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, që i ka rrënjët në gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë. Tre breza të familjes Jashari luftuan e u sakrifikuan. Gjysma e tyre të rënë burra e gjysma tjetër gra e fëmijë. Duke u rikthyer këtu ne bëjmë më të fuqishëm shtetndërtimin demokratik, zhvillimin socio-ekonomik, e drejtësinë instucionale, sepse i tillë është amaneti i dëshmorëve dhe dëshira e nevoja e qytetarëve”, ka shtuar Kurti.

Ndërsa Osmani ka shtuar se ky vend i përkujton të gjithëve edhe dëshmitë e gjenocidit serb.

“Bashkërisht e nderojmë vendin që është ikonë e lirisë. Vendin ku prehen komandanti legjendar Adem Jashari dhe gjithë familja Jashari që janë simbol i sakrificës sublime të luftës së popullit shqiptar për liri. Është vendi ku çdo ditë do t’ia përkujtojmë vetes dhe botës se këtu gjenden dëshmitë e gjenocidit serb, dëshmitë e qëllimit të Serbisë për shfarosjen e popullit shqiptar”, ka thënë Osmani.


Haradinaj homazhe në Prekaz përmend bashkimin me Shqipërinë

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Ai ka thënë se duhet punuar në integrimin euro-atlantik, por se nëse Kosova vazhdon të mbahet peng atëherë duhet shikuar opsionin e bashkimit me Shqipërinë.

Në shënim të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Prekaz.

“Nderojmë komandantin legjendar Adem Jashari, familjen Jashari. Duhet të punojmë për integrim euro- atlantik, por nëse na mbajnë pengë atëherë duhet të kemi si opsionin bashkimin me Shqipërinë”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj i ka filluar vizitat e tij që në mëngjesin e kësaj dite, duke filluar në Reçak e më pas në Gllogjan.

Image

Hoxhaj pas homazheve në Prekaz: Sot me mendje dhe zemër jemi në Hagë me shokët tanë

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka bërë homazhe te Kompleksi Memorial i familjes Jashari në Prekaz, ndërsa ka thënë se sot në 13-vjetorin e Pavarësisë me mendje janë te ish-eprorët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.

“Sot së bashku me kolegët e PDK-së nderuam sakrificën e heroizmin e familjes Jashari. Një sakrificë që lindi shpresën e projektoi të ardhmen, për një Kosovë të lirë, të pavarur e sovrane. Familja Jashari është sinonim i [lirimit e Pavarësisë së Kosovës. Në këtë 13-vjetor të Pavarësisë me mendje e zemër jemi në Hagë, ku janë shokë tanë, që po mbahen në mënyrë të padrejtë atje. Ata do të kthehen fitimtarë e faqebardhë, e po bëjnë një sakrificë të re sublime, për të treguar se nuk mund të rishkruhet historia e drejtë e luftës tonë për çlirim, liri e pavarësi. Natyrisht se Pavarësia e Kosovës para 13 vjetësh ka bërë Ballkanin më të drejtë e paqësor, por mosanëtarësimi i saj në OKB e bën edhe mëtutje të pasigurtë”, ka thënë Hoxhaj. “Sot dua që nga Prekazi heroik t’ju uroj Pavarësinë e Kosovës, fillimisht presidentit Thaçi, kryetarit Veseli, ish-kryeparlamentarit Krasniqi e shumë bashkëluftarëve të tyre që po qëndrojnë në mënyrë të padrejtë në Hagë, e që presim të kthehen fitimtarë e faqebardhë”.

Në pyetjen pse nuk ia ka uruar Pavarësinë edhe u.d. së presidentes Vjosa Osmani, Hoxhaj ka thënë se në një vend të shenjtë, si Kompleksi Memorial i familjes Jashari në Prekaz, nuk ka vend për pyetje të tillë partiake e të politikave ditore.

Image

Hoti në Prekaz: Duke bërë nderime këtu nderojmë gjithë të rënët për lirinë e pavarësinë e Kosovës

Homazhe në Kompleksin Memorial të Familjes Jashari ka bërë edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti. 

“Bëmë nderime këtu, tek të rënët e familjes Jashari, në këtë Kompleks, për të nderuar familjen Jashari, për sakrificën më sublime e më të lartë që mund të bëjë dikush për Pavarësinë e vendit. Duke nderuar këta nderojmë gjithë të rënët për lirinë e pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Hoti.

Image

 

09:58

Bekim Jashari: Duhet të jemi të bashkuar për t’i çuar proceset përpara

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të familjes Jashari në Prekaz.

Ai në përcjellje të kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, e të drejtorëve, asambleistëve, përfaqësues të dala nga shoqatat nga lufta ka bërë homazhe në 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa ka dhënë mesazhin për bashkim.

“U desh shumë mund e sakrificë për të ardhur te kjo ditë. Sot së bashku me kryetarin Lladrovci, drejtorë e asambleistë, shoqata të dala nga lufta, Policinë e Kosovës, po bëjmë nderime për ata që na mundësuan ne që sot të jemi të lirë e të festojmë me dinjitet. Kjo ka vetëm një arsye që të jemi të bashkuar, për t’i çuar përpara proceset. Përndryshe po vazhduam të jemi të përçarë mund të na zgjasin edhe më shumë këto procese, për të cilat ka shumë nevojë vendi që të përfundohen, sidomos për t’i dhënë zhvillim ekonomik vendit. Vetëm atëherë mund të themi se jemi duke finalizuar amanetin e dëshmorëve. Urime të gjithëve”, ka thënë Jashari.

E kryetari i Drenasit, Lladrovci, ka përmendur ish-eprorët e UÇK-së, që janë në Hagë e që po akuzohen për krime lufte.

“Sot në këtë Ditë të Pavarësisë po festojmë pa liderët e themeluesit e shtetit tonë, pa Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimi, e pa bashkëluftarët e tyre. Këtë ditë e kujtojmë edhe komandantin legjendar dhe familjen Jashari, dhe gjithë bijtë e bijat e kombit që dhanë jetën për liri. Urime festa, e festofshim gjithmonë”, ka thënë Lladrovci.